Në 47-vjetorin e vdekjes, Idriz Lladova – Mahmuti, një emër i shquar i një kohe
(1911 – 1970) – (Njeriu që i shpëtoi masakrës së Gjilanit). Malësia e Karadakut është njëra nga pjesët e Kosovës, që ka përjetuar mjaft tmerre gjatë luftërave të zhvilluara në këto anë. Këtu dhuna në njerëz nuk është ndalë dot. Konfiguracioni i kësaj ane të Kosovës, e cila gjendet me kufirin e Serbisë, por që këto troje të Kosovës Lindore janë marrë kaherë nga regjimi i Beogradit me mënyra të ndryshme, në radhë të parë, duke bërë luftë të egër, pra duke vrarë njerëz të pafajshëm, vetëm se ishin shqiptarë dhe jetonin në trojet e veta stërgjyshore. Shumë banorë të fshatrave kufitare, siç janë Seferët, Isaukajt, Lezbalia e të tjera, njerëzit janë tradhtuar duke u thënë që ata të kthehen me Preshevën, se do të kenë lehtësi jo vetëm në tatim, por edhe në shumë fusha tjera të jetës.
Dhe, kjo ngjau, ku sot, këto treva nuk janë më pjesë të Kosovës, por të Serbisë. Edhe sot e kësaj dite, njerëzit e kësaj ane e dinë që punuan për ta shtyrë kufirin matanë, në territorin e huaj serb, ku një pjesë e tokës pjellore mbeti nën territorin serb. Por, shqiptarët e vërtetë, sidomos disa nga figurat e shquara atdhetare të kësaj ane, si: Idriz Seferi, tribun i dalluar i shqiptarizmit, mandej Xheladin Kurbaliu, Hasan Aliu (Remniku), Liman Staneci e të tjerë, bën luftë me okupuesin e nuk u pajtuan kurrë. Ata edhe u ndoqën nga okupuesi, se ishin kundërshtarët e parë të regjimit të asaj kohe.
Edhe në kohën e bugarit, siç e kanë quajnë këtë okupues, banorët e fshatrave të Karadakut, kanë pësuar shumë. Thonë, njerëzit janë persekutuar pa asnjë dëshmitar. Janë përvluar me ujë valë, por edhe janë vrarë e masakruar barbarisht. Më së miri, në këtë fejton do të mbështetemi në disa të dhëna e dokumente, ku njerëzit e kanë pësuar me kokë. Koha e bugarit ishte një kohë e rëndë për banorët e kësaj ane. Bullgaria e pati një okupim gjer në lumin Morava e Binçit. Të gjitha fshatrat, që ishin në anën e Karadakut, ato u sunduan nga bullgarët.
Kufiri ishte një zonë e tmerrit. Njerëzit, që dilnin ilegalisht nëpër familjet e tyre, nëse nuk kishin “leje”, torturoheshin gjer në skajshmëri. Por, nëse edhe merrnin “leje”, ata diçka paguanin. Ishte kjo kohë kur jetoi Hasan Aliu (Remniku). Më mirë kjo kohe rrëfehet në romanin “Tradhëtia” të K. Resulit. Por, të kësaj gjenerate, të Hasan Remnikut, por pak më të rinj, janë edhe disa figura njerëzish të kësaj ane, të cilët e kanë mbrojtur popullin nga ky okupues. Janë Haxhi Idriz Mahmuti – (Lladova), nga fshati Lladovë, komuna e Gjilanit. Mandej, shquhet në këtë brez, Haxhi Fazliu (Dauti), nga fshati Haxhaj, Mustafë Rashiti, mësues e patriot i dalluar i kësaj kohe. Por, pati edhe disa emra të tjerë, të cilët vepruan kundër okupuesve të kohës.
Haxhi Idriz Mahmuti – Lladova, është i lindur më 1911 në fshatin Lladovë. Ishte një njeri i rrallë i kohës. Ai qe njeriu që pati autoritet të madh në popull. Vetëm natyra e pati “lindur” si të tillë: të ditur, atdhetar, por edhe njeri që pajtoi shumë gjaqe për të mirën e popullit të tij. Ai, në jetë, thonë, i pati disa nga vetitë më të veçanta të njeriut. Pati disa karakteristika të njeriut shpirtmirë e zemërgjerë. Por, ishte edhe atdhetar i madh në jetë. Haxhi Idrizi pati kryer vetëm shkollën fillore me mësim në gjuhën joamtare. Më vonë, siç mësojmë, ai mësoi për fe. Të gjithë të familjes së tij e kanë respektuar si njeri të ditur e të mençur. Si i vogël, thonë, qe mjeshtër i madhe i punës e i jetës. E deshi zanatin e zdrukthëtarisë, por punoi edhe punë të tjera. Zatën, kjo “zeje” ia mundësoi Haxhi Idrizit që ai ta mbajë familjen nga ajo jetë e rëndë e skamnore. Në vitet 1948-49, ai ishte bërë një “kmet” fshati. Këtë gradë ia dhanë bullgarët. E panë se Haxhi Idrizi ishte njeri i “hollë” për shumë punë të jetës, e përcillnin dhe e ruanin. Ai pati edhe pamje të bukur prej njeriu.
Varrezat e martirëve lladovas të luftës së fundit 1999
Stacioni policor, në Zhegër, atë kohë ishte një vend ku u keqtrajtuan shqiptarët. Komandant i këtij stacioni ishte njëfarë Vuliqi nga Llashtica. Për çdo gjë, ky “zot” njeri, bënte kërdi në njerëz. Ai pati edhe”erën” jo të mirë në popull. Thoshin, “ kush shkon tek ai, vështirë e ka pasur të kthehet i gjallë”. Ishte njeri i ngarkuar prej shovinisti e çetniku serb. I tillë ishte për atë kohë të rëndë. Ai, nga “shërbëtorët” e popullit, mësonte se kush e ha “puna”, si “atdhetar”, e torturonte dhe në fund e likuidonte pa gjurmë. Atë kohë, karaullat e bullgarëve ishin në Nasalë, te Ura e Madhe, afër Budrikës e Lladovës.
Haxhi Idrizi, prej një mjeshtri të mirë, ua rregullonte të gjitha këndet, raftët, sandukët e dyert e këtyre karaullave. Por, thonë, këto punë i ka bërë me “zor”, e jo me dëshirë. E paguanin pak, sa për të mos thënë se ka punuar pa pare. Këto karaulla ishin te Morava e Binçit, afër Budrikës serbe. Aty ka qenë një bunar (pus). Haxhi Idrizi ka punuar jo vetëm larg shtëpisë, por edhe brenda në odë. Nuk ka pasur punëtori tjera për punë. Tërë ditën ka punuar, por natën pushonte e bisedonte me vëllezërit dhe me miqtë që i vinin në odë për të bujtur. Oda e tij , thonë, kurrë nuk është mbyllur nga të afërmit e tij. Ajo përherë ka qenë e hapur. Ai nuk përtoi të rrijë gjer vonë duke biseduar për situatën shumë të rëndë, por bisedonte edhe për gjëra tjera madhore. I këshillonte njerëzit të jenë syçelë për shumë “sende”, siç thoshte ai. Bisedonte me njerëzit autoritativë të fjalës e të pushkës. Por, disa të afërm të tij, thonë se, në odën ku punonte e rrinte ai, e ka ruajtur një bugar. E kanë njohur mentalitetin e tij si njeri autoritativ. Mendonin se, po të fliste ai në popull, se “kjo nuk bën, do të çohen në këmbë i madh e i vogël”. Ai ishte mjeshtër i madh i fjalës dhe i punës. Shtonin se ai (Idrizi) rregullonte edhe armë. Ai, qe i përcjellur në arë e në punë.
E, Xha Idrizin kjo ”gjendje” e mundonte, se mos po e gjen ndonjë e keqe e papritur. Por, siç thonë, çdo gjë kalon, kaloi edhe kjo “heqamë” kohe. Njëherë Haxhi Idriz (Mahmuti), qenka ruajtur nga bullgarët mu te udhëkryqi i rrugës së fshatit Lladovë. Një ditë prej ditësh, siç na shton djali i tij, Metush Mahmuti, Haxhi Idrizin e ftojnë në stacionin policor, në Zhegër. E fton komandant Vuliqi i Zhegrës. Para kësaj kohe, ka qenë një pak kohë, Shqipëri. Dhe, fshatarët e Lladovës, duke parë kohën që bëheshin padrejtësi të mëdha në popull, nga Krajli i Serbisë, ku serbëve ua jepte tokën më të plleshme, e cila gjer atë kohë ka qenë “utrinë”. Ata, një ditë çohen dhe ua vjedhin misrin serbëve të Llashticës. Lladovasit këtë vjedhje nuk e bëjnë natën, por në pikë të ditës. E konsideronin këtë tokë si të tyre. Ishte kjo një pjesë në territorin e fshatit të tyre. Mu për këtë, Haxhi Idrizin e ftojnë në Llashticë, i cili ka dashur t’i bindte serbët dhe komandantin e policisë, Vuliqin, se “ata që e kanë marrë misrin, nuk janë të katundit të tij dhe se janë të tjerë”. U thotë, si shton Metushi: “Baba u ka thënë serbëve të shkojnë lirshëm në arat e tyre, por edhe le ta marrin bereqetin e verës”. Por, kur i dëgjon këto fjalë komandanti, Vuliqi, ai e fton Haxhi Idrizin jo në Llashticë, por në Zhegër. E shtinë brenda. Përnjëherë i fton ai edhe dy femra (shkina) nga Llashtica. Para Xha Idrizit Vuliqi ato i pyet: “Çka ju ka ba Idrizi?” Njëra iu përgjigjet: “O, ma mirë mos me fol. Ky njeri çka s’na ka ba. Na ka fy…S’kemi guxuar as te ara të dalim. Ia kemi pasur frikën. I keq është dhe ai duhet të dënohet…” Tjetrën e pyet, Vuliqi, e ajo shton: “Jo. Gjynah është prej Zotit me fol keq, kur ky njeri nuk ka ba asgjë. Është veç i mirë. Idrizi nuk na ka ba asgjë neve, vetëm na ka mësue për të mirë. Kjo po rren dhe i paska marrë inati atij. Ai na ka treguar për dëmet në ara. Nuk ka faj, kjo po rren shumë…”Në atë moment, në prani të Xha Idrizit, Vuliqi, ngrihet në këmbë e ia jep një shuplakë kësaj shkine. Ndërsa, Metushi rrëfen: “Mu kjo shkinë, që e ka mbrojtur agën (Xha Idrizin), mua më ka treguar fie e për pe për këtë ngjarje. Dhe, prej atij momenti, ajo kurrë nuk kishte guxuar shkojë te ajo. Ato te dyja kanë qenë nga Llashtica. Më kanë thënë se, vetëm përse unë kam treguar drejtë, Vuliqi më ka rrahur rëndë”. – Aga Idriz, shton Metushi, u mor me zor. E kanë lidhur për duar mu në një shtëpi ku e ka ftuar Vuliqi. Ai nuk e deshi një njeri autoritativ në popull. Mu për këtë, ai bënte “skenar” për t’u hakmarr në njerëz me autoritet.
Llaza i Zhivkit, nga Zhegra, agën Idriz e ka marrë dhe e ka çuar në Gjilan. E ka çuar rrugës së Pasjanit serb. Baba, shton Metushi, me vete e ka pasur një orë të bukur dore. Llaza, kur ia sheh orën e mirë, agës Idriz, ia merr pa e pyetur. Atë kohë, vetëm baba ka mbajtur orë dore. Në këmbë e kanë çuar për Gjilan. Rrugës, LLaza i kishte thënë babës Idriz: “Ta mora orën, se më ka pëlqyer fort. Çka të bëj? Unë e kam pasur urdhërin nga të tjerët për të vrarë, m’u te Ura e Pasjanit. Aty e kam pasur urdhërin më të lënë, e kurgjë mos me ni për ty. Ti je shkrue në letër për patare (pushkatim). Por, unë boll që nuk desha të të vras, por po të çoj në Gjilan. Atje, se çka të bëjnë, nuk e dij, – i ka thënë babës ky Llaza i Zhegrës. “ Lidhur e kanë çuar Xha Idrizin në Gjilan. Të lidhur e ngujojnë me disa shqiptarë. Aty, si shtojnë, kanë qenë shumë vetë shqiptarë. Kur të nesërmen i kanë përcjellur për pushktim, ashtu lidhur e në pizhame e pa këpucë. Ka qenë “gjendje” e tmerrshme. Disa, thonë, kanë qenë mbi 100 vetë. Ka të dhëna se kanë qenë edhe më shumë. Ishte kohë dimri, kohë e ftohtë e me borë. Ky vend, sot është ish- komuna e Gjilanit. Por, edhe sot këtu punon Kuvendi komunal i Gjilanit. Më parë, ky vend, si shtojnë disa qytetarë, ka qenë një ndërtesë me podrum. Ka qenë burgu i OZN-ës.
Podrumi ka shërbyer për t’i torturuar njerëzit. Një i afërmi i autorit të këtyre radhëve, ka shtuar se, “ai që ka hyrë në këtë podrum, s’ ka dalë më i gjallë. Janë mbytur njerëzit me çekan të gurit, me peshë gjer në dhjetë kg të rëndë.” Këtu magjuptë (romët), që kanë i shërbyer okupatorit të asaj kohe, kanë qenë torturuesit më të mëdhenj të këtyre sjelljeve çnjerëzore. Këtu i kanë mbyllur njerëzit (shqiptarët), vetëm për t’i torturuar dhe për t’i shfarosur një nga një. I kanë zgjedhur njërëzit e “punës” në çdo fshat e qytet. Kur i kanë sjellur në orët e vona të mbrëmjes për t’i pushkatuar, të gjithë të “dënuarit” shqiptarë kanë qenë holl të veshur. S’kanë pasur pantollona e as këpucë llastiku. Edhe ato opinga (këpucë) kanë qenë prej lëkure të buallicave apo lopëve. Të gjithë lidhur i kanë përjellur. Përanash bënin roje çetnikët serbë të armatosur gjer në dhëmb. Këta kanë qenë xhandarë të egërsuar, të cilët, për një lëvizje të vogël, njeriun e vranin si qenin në rrugë. Metush Mahmuti, djali i Haxhi Idrizit, shton më tutuje:” Për afër, më ka thënë baba Idriz, e kam pasur njëfarë Eminin nga Mogilla e Vitisë. Atij, rrugës ia kam zgjidhur duart. I kam thënë: “Zgjidhmi duart”. Por, ai nuk ia kishte zgjidhur. Ishte kohë e ftohtë dimëri. Kohë e mbrëmjes. Sapo terri e kishte kapluar qytetin, Gjilanin. Rrugës na kanë rreshtuar nga katër vetë. Ata, që na përcillnin përanash, ishin të gjithë serbë të armatosur. Një afër meje, më ka shtuar baba, vazhdimisht kishte qarë. Baba nuk e kishte duruar atë. E kishte lutur një xhandar serb që atë ta largojnë pak më larg rreshti të tyre. E kanë larguar, por në vend të tij, vjen Emin Mogilla. Baba Idriz i kishte thënë:” A, erdhe, a?” Por, kur janë afruar afër Xhamisë së Madhe, mu në qendër të Gjilanit, ku sot është e rrënuar kjo xhami, i kanë ndalë të gjithë. I kanë tubuar si një, të gjithë afër. Atëherë baba i kishte thënë Eminit të Mogillës për t’ia zgjidhur edhe atij duart. Ai kishte marrë forcë dhe ia kishte zgjidhur duart. Nuk ishin frikësuar nga pushkatimi, por duart u ishin ajur nga lidhja e fortë. Babës ia kanë liruar duart, thonë. Ashtu me duar të lira, ai është nisur rrugës pakthim.
Emini i Mogillës, rrugës i paska thënë babës: “Po ikim. Ja këtu është lumi dhe ikim kah sytë-këmbët. “Që tu po këcejmë, aga Idriz”. Aga, shton Metushi, i kishte thënë: “Jo, se këtu na zënë e na vrasin përnjëherë.” Ish kanë reka e vogël dhe shumë e ngushtë. Ata te dy, – si më ka rëfyer baba, – e kanë pritur momentin kur të largohen pak më tutje, në fushë. Por, pa një pa dy, kur e kam parë Eminin që është gjuajtur në lumë. Unë u tmerrova. Kur e vrejtën çetnikët serbë, se u iku një shqiptar, ata përnjëherë ia krisin rafalet e automatikëve. Krejt plumbat i kemi parë duke gjuajtur Eminin e Mogillës. Ai iku e u mësheh diku, ku askush nga rojet serbe nuk mundi ta gjente. Ai krejt për rekë kishte shkuar te Morava e Binçit. Dhe, për Moravë, për Moravë ka arritur te Mulliri i Tahirit në fshtin Budrikë. Aty Emini ka hyrë pak kohë brenda. Por, “gjendja” këtu nuk kishte qenë e qetë. Ishin përzier diçka ballistat me Hysen Tërpezën e me një vëlla të tij. Emini nuk qëndron shumë kohë dhe prapë kthehet rrugës për Moravë.
Ishte kohë dimri. Fillimi i dhjetorit, viti 1944. Ai ashtu zbathur e me pak veshje, në dane, ik nëpër akull të Moravës. Kur arrin te Reka e Mogillës, ai ka lakuar për shtrat të lumit e ka mbërri në fshatin e tij, Mogillë. Ai, thonë, sipas Ismajl Halitit, 70-vjeçar nga Gjylekreshta e Vitisë, “Emin Mogilla, në fund vdes nga një aksident në mal”. Babën Idriz, me qindra të tjerë, i kanë çuar drejt ferrit. Aty pati njerëz të moshave të ndryshme. Pati nga të gjitha fshatrat shqiptare. I kanë çuar te varret, kah Kusca, ku sot është restorani “Ideal” apo ish-kombinati “Mlladost”. Ishte ky vend ku kanë pre qerpiq magjuptë e Gjilanit. Është ky vend në anën e majtë të Kuscës. Bile, thonë, para luftës së fundit, Stavra i Zhivanit, nga Zhegra, këtu e ka ka pasur një vend të gjerë për shitjen e mallrave të ndryshme. Po në këtë vend i kishin rregulluar gropuar gropat e mëdha për varre masive. Ishin më shumë se 100 vetë. I kanë rreshtuar. Çetnikët serbë apo vrastarët e zinj, vetëm tri metra larg tyre i kanë pasur njerëzit që donin t’i pushkatonin. Ata mezi pritnin të merrnin komandën për t’i pushktuar shqiptarët e pafajshëm. Secili prej tyre kishte nga një pushko-mitrolez e armatim tjetër. Pa një pa dy, thonë, u kanë dhënë urdhër: “Nishani na gllavi!” (Drejtohuni në kokë). Por, pak sekonda pa thënë ”zjarr”, janë rrëzuar gati të gjithë. Ishin të lidhur njëri me tjetrin. Andaj, po të lëvizte njëri, binin të gjithë në atë anë. Dhe, ata që u rrëzuan, i morën e i drejtuan prapë në këmbë. I kanë rreshtuar për së dyti, si një. Është dëgjuar komanda: “Drejtojani në kokë”! Duke thënë këtë, unë, ka shtuar baba Idriz, jam ra dhe nuk më kanë hetuar se rashë i “gjallë”. Më rroku edhe mua plumbi në dorën e majtë. Ma qiti tejpërtej dorës. Gjaku më rridhte, por isha i fortë dhe droja se mos po vijnë të na mbysin për së rati. Baba, kur i ka parë se s’ka asnjë eprorë çetnikë aty, ai i ka larguar trupat e pajetë dhe, duke shikuar anash, ka ikur nga ky ferr i tmerrit”. Baba, duke menduar të ik kah Zhegovci, e ka humbur mendjen nga frika dhe është kthyer kah Malisheva e Epërme, në Capar, komuna e Gjilanit. Këtu ka dalë për të parën herë. Ishte me opinga, të cilat nuk ia kanë hequr prej këmbëve. Vetëm këtij nuk ia kanë hequr këpucët. Duke u afruar afër një shtëpie, njëri ka bërtitur prej ballkonit të shtëpisë me këto fjalë: “Kush je bre ti?” Baba Idriz i ishte përgjigjur: “Unë jam… filani, filani nga Lladova”. Ai prapë i kishte thënë: “Hup prej këtij vendi”. Xha Idrizi, duke ikur nga vdekja e sigurt, por edhe i plagosur rëndë në dorën e majtë, gjaku kishe lënë gjurmë gjer në Capar.
Fshatarër dronin nga njerëzit regjimit, se u ishin kërcënur se, nëse e dinë ata se ti je këtu, na kallin krejt me familje. Idrizi i pyet kah është Malisheva. Ia bëjnë me dorë teposhtë. Ishte natë. Vetëm nën dritën e hënës, ai ka ikur për të shpëtuar shpirtin, jetën… Kjo kohë ka qenë pas darke. Atëherë, xha Idrizi është nisur kësaj rruge teposhtë. Ka kaluar male, e gjaku i rrjedhte nëpër borë, sikur të jetë ndonjë pejsazh ngjyrash. Është ra në Malishëvë, te Hashantë e Pyllit. Këta i ka pasur dajë. Dy shtëpi kanë qenë. I kanë quajtur Hashan të Pyllit, këndej kah Uglari. Ishte vend lugajë. Baba ka thënë së “ jam hi aty te dajt përfundi shtëpisë. Njerëzit banonin në katin e dytë, kurse gjaja (kafshët), në katin përdhesë. Ishte njëlloj podrumi. “Jam hy, thoshte baba, brenda dhe jam ulur përmbi një lopë. Ishte plehu i lagët. U dashtë lopën ta bëj si shkam. Por, kur lopa çohet nga vendi, më ra një shportë me qepë në kokë, që kishte qenë e varur në tavan. E mora një qepë e po e ha. Por, mendja më shkonte se, mos jam në një shtëpi të “cërnagorëve” (malazezve). Nuk e dijsha mirë se ku jam. Kur e kam ngrënë qepën, atëherë sikur më doli këllapia dhe pak e kuptova se jam në shtëpi të dajës, Adil. Atëherë, tha, jam dalë nga këtu, se qepa mi ka qelë sytë. Jam dalë shkallëve përpjet e kam hypur në katin e dytë. U tfillova në shtëpinë e dajës Adil. Në derë kam rropulluar pak dhe ma ka çelë derën gruaja e dajës, Xhyla. Ate e kam njohur mirë. Ajo shpesh te ne ka ardhur në Lladovë. Kam hyrë brenda. Ajo e ka ndezur koftorin, se isha mërdhi nga të ftoftit. Vetëm daja Adil Sahiti, ka qëndruar me gruan në këtë shtëpi. Më sollën bukë të kallamojtë me pasul. Por, nuk më lanë të ha shumë. Më thane: ”Bir e flej pak, se kur të çohesh, prapë ke me hangër sa të duash bukë. Në mëngjezin e hershëm më kanë marrë daja Rexhep e daja Ramush. Ata më kanë larguar përtej shtëpive tona, me një lug mali. Më kanë shtie në një ortek bore. Ishte bora një metër e gjysmë. Gjersa unë qëndroja aty brenda në borë, aty arritën disa shkije (serbë), me saja e zagarë për të marrë dru. Ishin të gjithë ta armatosur. Me ta ishte edhe Habib Malisheva. Zagarët vinin gjurmave të më gjejnë. Atëherë, e kam ngritur kokën e u kam thënë: ”Për i za të Zotit, largomi prej këtij vendi. Ai më ka pyetur:“Kush je ti?” Baba i është përgjigjur: “Unë jam dikushi që “s’ka nevojë t’i me ditë ma tepër. Të tregoj, i kishte thënë, më vonë se kush jam”. Atëherë, Habibi u ka bërtitur:” Kthehuni, se këtu s’paska dru.” Ata kthehen në një vend tjetër. Shkijet i marrin sajat e “llovaçkat” në krah. Ata janë dalë në vend tjetër. Pas tyre janë kthyer edhe zagarët. Baba Idriz e kishte ndërtuar tunelin e borës 20 metra nga vendi ku ka hyrë. Aty ka qëndruar disa ditë. U shkua daja Rexhep e daja Ramush për ta marrë. Kur janë afruar aty afër, babën Idriz nuk e kanë gjetur. Por, kur i kanë parë gjurmë e sajave, zagarëve dhe gjurmët e njërëzve, kanë menduar keq. Kthehen prapa. Aga Idriz del prej atij vendi dhe hyn në shtëpinë e dajës Adil. Kurse, këta djemtë i thonë nënës së tyre: “Oj, nënë? Idrizin e kishin zënë! Se aty pamë vetëm shenja të sajave, zagarëve e të njerëzve”! Ajo u thotë: ”Jo, or bir. Idrizi ka ardhur këtu tek ne!” Ja, në dhomë është ai.” Djemtë ia presin me fjalë: “Mos na rrej, bre!” Atë natë, Xha Idrizin e kanë marrë te dy dhe e kanë përcjell gjer te Morava e Binçit. E kanë qitur në këtë anë të Moravës, te Mrizi i Uglarit. Aty xha Idrizit i kishin thënë: “Udhë e mbarë! Ishalla nuk të gjen ndonjë e keqe rrugës”! Xha Idrizi ua kthen: “Edhe Juve, ju ruajtë Zoti, o djema”! Metushi, vazhdon rrëfimin: ”Baba ka ardhur krejt për afër Moravës, nën fshatin Pasjan. Fill vet. E më së keqi e kishte pasur rrugës, se ishte shkrirë akull nga jugu dhe është dashur patjetër të hyjë në ujë. Kur është hyrë në ujë, t’mos kishte qenë një rakitë (shelgje), që ishte mbajtur për te, ai për pak për ta marrë lumi me atë akull të trazuar. Ajo rakitë, babën e kishte shpëtuar nga rreziku. Xha Idrizi ka dalë në buzë lumi dhe dalëngadalë ka ardhur në Lladovë. Ishte natë, e ne nuk e kemi ditur, por as fëmijët nuk e kanë ditur se ka ardhu aga Idriz në shtëpi. Vetëm nëna e ka ditur, por të nesërmen e kanë ditur Haxhi Ramizi, Haxhi Ismajli e Rashit Mahmuti, tani i ndjerë. Pas pak kohe, u kanë treguar edhe dy plakave të shtëpisë. Baba është kërkuar nga regjimi serb i asaj kohe. Ky regjim nuk e ka dashur. E ka përcjellur dhe ka pyetur çdo njeri, se a e kanë parë Idriz Mahmutin diku. Ne babën e kemi ruajtur shumë. Ai është strehuar në muri ndërmjet odës e ahurit të kafshëve. Këtu është rregulluar një birë e madhe.
Më parë, rrëfen Metushi, – këtë birë e kemi ndërtuar për ruajtjen e pasulit e grurin. E, në odë, baba Idriz e ka pasur edhe një birë, ku nga fundi ka qenë. I venin kënatat (enët nga balta) mbi këtë birë. Këtu ka jetuar baba Idriz, ku për së larti e ka pasur kapakun me njëë shtyllë në kren të forcuar me gozhdë. Kjo “mesele” nuk i ka bërë njerëzit të dyshojnë, se aty të ketë njerëz të gjallë që ruhen. Aty baba ka qëndruar tërë ditën, ndërsa natën ka dalë. Kur ka ardhur dikush, ai ka hyrë në birë. Nëntë muaj ka qëndruar në këtë vend. Prej këtij vendi, xha Idrizi ka shkuar në fshatin Ostrovicë, Malësia e Karadakut të Preshevës. Ky vend është afër fshatit Shurdhan, te “madeni” (xeherorja) e Ostrovicës, në kodër. Këtu Xha Idrizi (Lladova), ka qëndruar me tre apo katër vetë disa ditë me Ismajlin e Shurdhanëve. Ismajli, sot jeton në Gjilana. Ai është baba i Xhemajl Hysenit, ish- kryetar i komunës së Gjilanit. Ishte kohë e rëndë. Xha Idrizi nuk pa pasur të drejtë votimi. E, Haxhi Ismajli i paska shtuar: ”Hajde, se atje në Karadak e kemi një shpellë në dhe. Këtu rrimë dhe se kemi mjaft të hamë, se jemi afër shtëpive tona. Disa binë në dorë. Ndërsa, Xha Idrizi e Haxhi Ismajli, jo. Një natë, si shton Metushi, baba i tij kishte parë ëndërr. Ëndërr, se do t’i rrethojnë e do t’i zënë gjallë. Andaj, atij vonë, i del gjumi. Ai qohet e thotë: ”Ismajl, çu, se kanë me na zanë” Ai, me fjalë ia pret: “Flej more, çfarë të zanme”! Xha Idrizi i thotë: “Ti, si të duash, rri. Por, më mirë po të them, eja. Unë do të largohem nga ky vend”. Thonë, janë dalë në një shpat ku lisat ishin të lartë. Po rrijnë. Kah mëngjezi, kur po i vërejnë nga larg, e kanë rrethuar atë shpellë ku kanë banuar. Kanë filluar të bërtasin:”Dilni, dilni, se jeni të rrethuar!” Nuk ka pasur asnjë aty të qesin zë. Atëherë, ata hudhin bomba në atë shpellë. Kur e panë se, s’është askush aty, ata u larguan. Prej këtij vendi, Xha Idrizi me Haxhi Ismajlin kanë marrë rrugën e kanë shkuar te Sefert. Këtu kanë qëndruar dy ditë apo tri ditë. Aty patën mendjen të rrijnë më shumë, por ata i ka parë një vajzë e këtij fshati.
Prej këtij vendi, Haxhi Idrizi vjen në Lladovë. Ka jetuar si i përndjekur. Në dorë e ka çitur Ramiz Cërnica. Babëgjyshi im, nga Zhegra, Bekteshi, thotë Metushi. E, Bekteshi ka qenë baba i nënës time. Bekteshi, daja im, Alinë e Zhitisë, e ka pasur dajë ai. Tani ai ka shkuar e u ka treguar Ali Zhitisë, se gjyshi, Idriz Lladova (Mahmuti), është gjallë. Ali Zhitia e ka pasur shok Ramiz Cërnicën për kokë. Ai është shkuar prej Zhegre të buajë aty në Cërnicë, e i ka treguar: ”O aga Ramiz, Idrizi është gjallë!” Ai ia kthen: “Po, a? Veç po më vjen zor, se në këtë vend të kisha vra!” Ky ia kthen: ”Qysh bre, aga Ramiz kështu po thue?” Ramiz Cërnica i thotë: ”A kallëzohen kjo fjalë, bre?! Unë atij, ai tjetrit dhe…” Tash Ramiz Cërnica e din se Haxhi Idrizi është gjallë. Ai (Ramizi), ka thënë:”Thuaj Idrizit le të bjerë në dorë, në Gjilan. Baba ka bisedaur me Haxhi Ramizin dhe nesër ai dorëzohet në Gjilan. Është shkuar aga me Haxhi Ramizin te “naqallniku”. Kur ka hyrë brenda, ate e mundojnë se mos ka bashkëkpunuar me bullgarët.
Xha Idrizi u thotë “Jo”, ata “Po”. Xha Idrizi u thotë shkurt: ”Unë kam punuar vetëm si mjeshtër, e jo si ndonjë tjetër. Ata e dinë këtë. Kurrë s’ka dalë Xha Idrizi nga shtëpia. Kmet fshati ka qenë. Përherë i ka mësuar katundarët e tij që të jenë të sjellshëm në jetë. Por, eprorët serbë, të UDB-së, i thonë: “Ke bashkëpunuar, e tash po thua, jo?! Jo, u thotë atyre. Atëherë atij i kanë thënë të dalin përjashta. “Naqallniku” iu paska ngërmuar xha Ramizit:” Ju keni me gjetur atë njeri, pse ju kanë akuzuar për pushkatim?” Del aga në koridor me Haxhi Ramizin. Në atë moment vjen Ramiz Cërnica. Ai pa një pa dy, shton: “Çka është kjo? Çka jeni habitur?” I përgjigjet: “Kështu po na thonë”. Hyn e pranon “hajvani”. I thonë: “Thuaj, “Po”, dhe shkon në shtëpi. Xha Idrizi hyn për të dytën herë brenda. Atëherë, ata e kuptojnë dhe i thonë: “Ec te shtëpia”. Metushi, rrëfen: ”E kanë lëshuar babën me Haxhi Ramizin. Ata në këmbë kanë ardhur te shtëpia, në Lladovë. Haxhi Ramizi i ka thanë agës që të mos rrijë sivjet në shtëpi. “Sivjet, i tha, dil e puno dikah. Se nuk ke leje votimi dhe nuk është mirë për ty”. Baba nuk u mendua shumë e i mori “haletet e shkoi në Rahovicë të Preshevës. Atje e ka ndërtuar xhaminë e Preshevës.
Mande, ka punuar në Caravajkë, dyer e dritare. Atë kohë, kryetar në Caravajkë ka qenë Qazim Buhiqi. Ate , baba e ka pasur boxhanak. Në Rahovicë, një Mulla Tahiri, e ka marrë babën mbi vete. Djali i tij, në atë kohë, kishte qenë kryetar, ndërsa djali tjetër (Tahiri), sekretar partie. Pra, e kishin marrë situatën në dorë. Ata i kanë thënë babës Idriz: ”Veç me naj marrë këtë vëlla e me ia mësue zanatin, se s’ka kush ty me të fol”. Aty baba Idriz ka qëndruar një vjet e më tepër. Pas kësaj kohe, ai ka ardhur në shtëpi. Në këtë kohë, ai në Zhegër ka punuar dyer, dritare të shkollës fillore, sot “Agim Ramadani”. Me duart e veta, ai i ka punuar dritaret e shtëpisë së kulturës “Idriz Seferi”, Ambulancës së fshatit etj.” Këto punë Xha Idrizi i ka bërë me pare. Ai qe mjeshtër i madh i punës dore. Nuk pati punë që nuk diti të punojë. Punoi jo vetëm me dru, por punoi edhe mure dhe kulme të shtëpive. Dora e tij punoi e nuk u ndal anjëherë.
Ishte njeri që bashkëpunoi me shumë atdhetarë të vendit
Xha Idrizi bashkëpunoi me Adem Stançiçin e me Haxhi Fazliun e Haxhajve. Por, ka bashkëpunuar edhe me Mulla Kadrinë e Llashticës. Ai ka pajtuar shumë familje shqiptare në fshatrat e Malësisë së Karadakut. Bie fjala, ka pajtuar familje në Remnik, e disa në fshatra të Karadakut, si në Ilincë etj. Mandej, ai ka pajtuar edhe në komunën e Vitisë. Fjala e tij ishte fjalë që zuri vend, e cila kurrë nuk është keqpërdorur nga askush. Në një rast, qytetari Kadrush Emini, 57- vjeçar, nga Lladova, ka shtuar: “Baba im, Haxhi Mitati, tash i ndjerë, më pati rrëfyer për Haxhi Idrizin, si pajtimtar të gjaqeve.
Kur në një rast shkon t’i pajtojë dy familje në Myçibabë, dhe puna kryhet me sukses, shoqëruesi i xha Ramizit, kur del prej katundit, i drejtohet me këto fjalë Xha Ramizit:” Po, mirë bëmë aga Idriz. Sikur të pajohen të gjithë, çka do të bëjmë ne? Kush do të na jep bukë?” Xha Idriz ia kthen: “O burrë, unë nuk pajtoj familje për bukë, se bukë e kripë gjejmë kudo, edhe nën opangën e të keqit, por dua t’i pajtojë vëllëzërit në mes vete për të kaluar mirë në jetë.”! Apo, djali i tij, Hajrushi, tash i ndjerë, e kishte shoqëruar babën e vet në disa vende për të pajtur gjaqe. Kur shkon në një fshat të Vitisë, babë e bir duhet ta kalojnë lumin, sepse mungonte ura në atë vend. Djali i tij, Hajrushi, përvilet për ta kalur babën matanë lumit. Kur xha Idrizi i gjindet djalit të tij në shpindë, ai i thotë babës së tij për shaka: “A më thua qen, më? Po qe se më thua, të lëshova në lumë…” Haxhi Idrizi nuk bëri zë. Kur doli nga uji, ia kthen me një të rame shkelm, por Hajrushi e dinte këtë se do t’ia kthente prindit të tij.
Pak për jetën e tij personale
Haxhi Idrizi jetoi vetëm në fshatin Lladovë. U lind më 1911. Ka jetuar vetëm 69 vjet. Më 1970 ka vdekur. Ishte vetë i treti vëlla: Idrizi, Ramizi e Xhaviti. Xhaviti ka qenë një njeri trim. Ai ka luftuar me forcat kundërshtare të regjimit serb të asaj kohe. Është vra në Prekaz. Ka qenë ushtar në Brigadën e Shaban Palluzhës, më 1944. Në Drenicë ka vdekur në rrethana të panjohura. Nuk i dihet varri. Haxhi Ramizi, vëllau i xha Idrizit, për Xhavitin ka shtuar, sa ishte gjallë: “Disa herë kam shkuar ta kërkoj varrin e vëllaut tim, Xhavitit në Drenicë. Nuk mund të flija nga ëndrrat, se ato sikur “më dëftonin se do ta gjej dikur varrin e vëllait tim. Por, jo!.” Dhe, me një mik nga Cërnica, kam shkuar, por nuk kam mundur ta gjej varrin e tij. Kur kam shkuar njëherë, e kam takuar një lopar të anës së Prekazit. Ai më ka thënë se, varrin e Xhavitit e di se diku e ka varrosur afër Prekazit. Sipas fjalëve të tij, kinse vetë e ka varrosur në një vend, por varri është gropuar jo shumë thell. Haxhi Ramizi ka shtuar se, “ky çoban, jo aq i ri, e kishte pasur veshur jelekun e Xhavitit. Këtë ia njoha, ka thënë xha Ramizi. Por, për te ka ditur më shumë edhe Raif Cërnica. Kur janë ndarë Fadil Hoxha me Shaban Palluzhën, kishte qenë një ndarje e madhe historike. Shabani u kishe thënë ushtarëve të vetë: “Unë njerëzit e mi nuk i çoj atje, në Vojvodinë. Ai “PO”, ky “JO”. Ndahen. Një ndarje historike dhe e dhimbshme shqiptare. Në anën e Shaban Palluzhës janë tubuar luftëtarët shqiptarë, të cilët e dinin luftën e drejtë të tyre. Me ushtarët e Shaban Palluzhës ka qenë edhe Raif Cërnica. Aty Raif Halimi (Cërnica) del e u thotë shokëve: “Qysh ta bëjmë një plan për t’ua hedhur bombat në Shtabin e partizanëve?”. Sepse, Shtabi i partizanëve ka qenë në Prekaz. I pari është ngritur Xhaviti, nga Lladova, e u ka thënë shokëve: “Unë shkoj vullnetar”. Xhaviti e dy të tjerë, kanë shkuar, por të tjerëve nuk u tregojnë. Në fillim e kanë vra rojën, te dera. Mandej, kanë hyrë brenda. Xhaviti i pari ka prirë. Aty ai ka qëndruar dhe ua ka hedhur bombat. Por, duke dalë, se ishte terr, ai vritet nga një vrastar jo shqiptar. Xhaviti e ka lënë një djalë, Zeqën, tash i ndjerë. Ndërsa, Haxhi Idrizi, pas vete i ka lënë tre djem: Metushin 66-vjeçar, akoma jeton, Hajrushin 54-vjeçar, ka vdekur pas luftës së fundit dhe, Banushin 55-vjeçar. Metushit ia kanë vrarë djalin, Banushin në luftën e fundit. Banushi menjeherë pas luftës së fundit, 1999 vdes. Vdes në ditën e parë duke shkuar në shkollë. Ai vdes pak metra para se të hynte në klasë. Ai pati dëshirë të madhe të punojë me shkollarët e rinj, me të cilët punoi afro 30 vjet me radhë. Ai qe një arsimdashës i madh i arsimit. Për shkollën shqipe, ai ishte munduar shumë. Mu për këtë, regjimi serb, atë e kishte kërkuar disa herë për ta arrestuar. Ka qenë i burgosur. Ishte një arsimtar i merituar i popullit, nga familja e xha Idriz Mahmutit, nga Lladova./tefik selimi/rajonipress/


