Fundamenti

Në 41-vjetorin e vrasjes nga UDB-ja të poetit Alush Canaj

/ 11 minuta lexim
Uji Dea

Nga Avdush Canaj – Më vranë ata të mos këndojë për atdheun, për fëmijët dhe ëndrrat e tyre për lirinë. Shkrimtari Beqir Musliu në një shkrim në Zërin e Rinisë, në shkurt të vitit 1972, ku përkujtonte poetin, shprehte dhembjen e madhe për vrasjen e poetit ngase letërsia shqipe kishte humbur një poet të talentuar të dorës së parë, një zë të ri të poezisë. Ndërkaq në përurimin e vëllimit poetik Vals veror, në vitin 1992, njëzetë vjet pas vdekjes, në kohën e represionit të Millosheviqit, pati thënë haptas : “ Alushin e vranë siç e vranë edhe Rexhep Elmazin e poetë të tjerë. Mendimet që i kam patur për poezinë e Alushit, para njëzetë vjetësh,kur e kam lexuar, i kam edhe sot,niveli i poezisë së tij është edhe sot. Shihet vrulli i tij, gjakimi i tij, ngutja e tij në jetë.”

Alush Canaj poet tragjik në letërsinë tonë.

Ishte dhe mbeti njëri ndër figurat më të dhembshme të letërsisë sonë për fëmijë.

Ka mbi dyzetë vjet e kemi poezinë e tij me vargje brilante.
Edhe sot na përcjell hija e tij me atë buzëqeshjen e përhershme e flokët kaçurel si prej dielli.

Kujtesa për të nuk zbehet dot edhe pas dyzetë një vitesh..
U lind më 24 gusht të vitit 1952 në fshatin Koretin të Kamenicës, Dardanës së sotme. Në vitin 1956 në kohën e terrorit, të aksionit të armëve dhe të shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi, familja e tij u vendos në Gjilan. Këtu Alushi mbaroi shkollën fillore dhe gjimnazin.

Si nxënës i fillores u dallua për talentin e tij ndaj artit poetik. Lexonte me ëndje veprat letrare, duke patur pasion të veçantë poezinë, që më vonë u shndërruar në një dashuri e mori lulëzim të hovshëm. Vjershën e parë e botoi në Rilindjen për fëmijë, në vitin 1965, në moshën 13-vjeçare, në 13 pranvera të tij.

Dhe më s`u ndal së botuari ngase portat e gazetave dhe revistave për fëmijë, për vjershat e tregimet e tij,ishin të hapura gjithmonë. Botoi në Pionieri, Gëzimi, Fatosi, Flaka e Vëllazërimit, Shëndeti e Zëri i Rinisë.

Në bankat e gjimnazit bëri emër si poet. Tani më ai nderohej dhe çmohej jo vetëm në qytetin e tij, por edhe më gjerë. Vjershat dhe tregimet e botuara , bënin me dije se ishte një talent i rrallë, një penë e mprehtë e letërsisë sonë. Emri i tij lakohej shpesh edhe në qarqet letrare në Prishtinë, në Rilindje, si një krijues që do ta begatojë letërsinë tonë.

Katër vjet qe kryetar i Rinisë Shkollore të gjimnazit në Gjilan. Si poet që ishte, shquhej për organizimin e orëve letrare në qytet e tij, manifestime këto që tubonin të rinj të shumtë, që përmes artit poetik, ngjallnin tek ta idetë atdhetare dhe patriotike, nuk shiheshin me sy të mirë nga lakejt e UDB-së. Ata e kishin kuptuar mirë misionin prej poeti të Alush Canajt.

Dhe e piketuan menjëherë.

Pas përfundimit të gjimnazit u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, nga të cilat u shkëput pas një viti ngase atje e pa për së afërmi urrejtjen gjenetike që kishin serbët nda shqiptarëve. Duke mos e duruar dot këtë, u kthye në Prishtinë, në Fakultetin Filozofik regjistroi Degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe .

“Dhe ne duhet shtrënguar grushtin fort, grushtin si të Migjenit e “ t`i biemë malit që s`bëzanë”.

Derisa ishte në Beograd, i shkruante letra shokut të tij të bankës, Mehmetali Rexhepit, i tregonte atij për padrejtësitë që i shihte atje në dëm të shqiptarëve, dhe këtë qytet ai e quante të zi sepse krejt të zezat për shqiptarët e Kosovës vinin nga andej, atje e kishin strofullën

Një letër e këtillë kishte shkuar deri në gjimnaz , lexohej me kureshtje nga nxënësit atëherë, dorë më dorë, nëpër orët mësimore , dhe më pas e njëjta, bie në duar të organeve të UDB-së. Tashti UDB-ja , përmes saj po e njihte edhe më mirë figurën e Alush Canajt. Në letër shkruante përafërsisht kështu:
“ Këtu vëllezërit tanë qenkan të përbuzur. Ata i shoh çdo ditë në stacione autobusësh e trenash duke bartur valixhet e serbëve, duke pastruar rrugët, duke bërë punë fizike nga më të rëndat për kafshatë të gojës.

Pse të trajtohen në këtë mënyrë shqiptarët në këtë Qytet të Bardhë? Pse? Pse të shtypën me të vetmin faj vetëm pse janë shqiptarë, me plis të bardhë?
Dhe ne duhet shtrënguar grushtin fort, grushtin si të Migjenit e “ t`i biemë malit që s`bëzanë”.

Ta dini mirë, ky qytet qenka i zi! I zi qenka Beogradi! “
Vjershat e tij atdhetare, qëndrimi i tij prej revolucionari i përmasave të gjera, letra nga Beogradi-Qyteti i Zi, bëri ai që të përcillet edhe më shumë nga hijenat e lakejt e UDB-së me në krye Selim Broshën. Ia kishin frikën fjalës së tij poetike që jehonte nëpër orët letrare, prandaj filluan ta merrnin në biseda informative në zyrat e UDB-së duke ushtruar edhe dhunë fizike ndaj tij. E bënin këtë ata që ishin dorë e zgjatur e shkelësit, që për fat të keq nuk ishin të paktë, ata ashtlëpirësit e mashtruar e shpirtshitur, që nuk e donin diellin të rrezojë mbi Kosovën e përvuajtur.

Në një dokumentar të Radiotelevizionit të Kosovës të shfaqur ditë më parë, njëri nga sigurimcat e UDB-së në Gjilan, Muharrem Halili, duke e larguar përgjegjësinë nga vetja, fajin ua hodhi kolegëve të tij të vdekur: “Kurrë s`kam dëgjuar për këtë emër që po e përmend, për Alushin. As nuk e njoh. Unë s`kam patur me të. Atë e kanë marrë në pyetje Selim Brosha, Naip Hoxha e Ismajli. Kryesor i këtij rasti ka qenë Selimi. Unë Selimin e kam patur shok. Jam i betuar të mos e jap sekretin e Sigurimit “.

Ndonëse e pati bërë gati për botim përmbledhjet me poezi Kur çel trëndelina e Valsi veror, s`arriti t`i shoh të botuara meqë nuk e lan ata që e kishin vënë në shënjestër si tepër të rrezikshëm për sistemin sllavokomunist.
Njëzetë vjet pas ndarjes së tij nga jeta dorëshkrimet e panë dritën e botimit nën titullin Valsi veror, botuar nga Redaksia e Zërit, në vitin 1992, nën përkujdesjen e autorit të këtyre radhëve.

Dhe ata e vranë një natë, pikërisht me 14 shkurt të vitit 1972. Diku rreth orës 20, në shtëpinë e tij, e vranë me gotën e helmit që ia mbushën vetë.

Kur po i perëndonin sytë në spital, në agimin e ditës së re, në orën 5 të mëngjesit të 15 shkurtit, doli zëri i tij:
“Më vranë ata të mos këndojë për atdheun, për fëmijët dhe ëndrrat e tyre për lirinë, por kënga për atdheun dhe lirinë do të këndohet gjithmonë.”

Derisa shpirti i tij fluturonte në qiell, e ëma e tij, Nënë Vaxhideja, në një dhomë spitali, u torturua psiçikisht nga UDB-ja, për të kuptuar, siç thanë ata ,të vërtetën e vetëvrasjes së Alushit,” për një dashuri të pafat.”

Po nëna e Alushit, e dinte të vërtetën, e njihte mirë djalin e saj. Si një heroinë u tha në sy:
“ Ju e vratë! Ju ia dhatë gotën e helmit ta pi!”

Oh! E vranë poetin me talent të lindur. Në lulëzimin e pranvera të tij. Ende pa i mbushur të njëzetat.

Kishte vetëm 19 vjet e 6 muaj e 9 ditë.
Ishte një vdekje që tronditi gjithë Kosovën
Pastaj qiti fjalën tjetër Sigurimi dhe bashkëpunëtorët e tij: Alushi ka lexuar romani Pse të S. Spases dhe Filozofinë e Niçes dhe” pikërisht kjo ka ndikuar në vetëvrasjen e tij.” Diçka që nuk pinte ujë, nuk e hante populli, aq më pak familja e tij.

Uji Dea

Shkrimtari Beqir Musliu në një shkrim në Zërin e Rinisë ku përkujtonte poetin, shprehte dhembjen e madhe për vrasjen e poetit ngase letërsia shqipe kishte humbur një poet të talentuar të dorës së parë, një zë të ri të poezisë. Ndërkaq në përurimin e vëllimit poetik Vals veror, në vitin 1992, njëzetvjet pas vdekjes, në kohën e represionit të Millosheviqit, pati thënë haptas : “ Alushin e vranë siç e vranë edhe Rexhep Elmazin e poetë të tjerë. Mendimet që i kam patur për poezinë e Alushit, para njëzetë vjetësh,kur e kam lexuar, i kam edhe sot,niveli i poezisë së tij është edhe sot. Shihet vrulli i tij, gjakimi i tij, ngutja e tij në jetë.”

Kurse shkrimtarin Hajro Ulqinaku, për nekrologun kushtuar Alushit të botuar në Flaka e Vëllazërimit,siç ka thënë ai vetë, e marrin në pyetje Sigurimi në Ferizaj.

Në arkivin e shtëpisë së tij, janë gjetur edhe disa vjersha e tregime që nuk janë përfshirë në vëllimin Vals veror. Është tepër impresionuese vjersha kushtuar Shqipërisë, një lirikë e mrekullueshme dhe moderne, e shkruar në vitet 70, që flet për shpirtin patriotik dhe atdhetar të Alush Canajt:

Atje larg në veri
Nëna ime Shqipëri
Si ylber me shtatë ngjyra
Lule e çelur, më e mira
E kam dritë, e kam xhan
Korbat e zezë prej saj më ndanë
Oh, sa keq! U bubu,
AJO pas malesh unë këtu
Zog do bëhem të fluturoj
Nënën time ta takoj
Ta puth në faqe si dikur
T`i them në prehër : U bëra burrë
Ujq e dhelpra më vijnë pas
Dashuri e Nënës do t`i vras.

Dhe pas leximit të këtyre vargjeve, nga vetë Alushi, në orë letrare në Konviktin e nxënësve të shkollave të mesme në Gjilan, që e ndezën publikun duke u ngritur në këmbë më duartrokitje, një aktivist i Lidhjes së Rinisë së atëhershme, i thotë:
“Ç`bërë vëllaçko?”
“S`bëra asgjë të keqe! Bëra atë që desha. Unë vetëm e lexova. Deti kos le të bëhet!”- ia kthen Alushi.

Ai nuk mundi të mos këndonte se, i këndonte zemra, shpirti, për nënën e vetme, Shqipërinë, Shqiponjën e maleve. Edhe pse ishte e ndaluar. Ai nuk i honpste ata që na i kishin vënë prangat. Ishte vetë guximi. Në këtë mënyrë ai po e shkruante biografinë e vet, veprën e tij jetëgjatë.

Alushin e vranë me gotën e helmit.
E vranë, por poezinë tij nuk mundën dot. Ajo është e pavdekshme siç është i pavdekshëm edhe vetë poeti, Alush Canaj./rajonipress/

Nga krijimtaria e Alushit

Alush CANAJ:

Në këto male

Në këto male epike
Me kroje rrëzë guri
Luftoi me kral e mbret
Atë Bajram Curri.

Në këto male legjendare
Ku zogjtë pinë ujë pa gotë
Pushkën s`e ndalën kurrë
Azemi e dada Shotë.

Në këtë male këngësh
Me ballin në re
U betuan dhe lis e gur:
-Do të mbrojmë, atdhe!

(1966)

Ylli i Arbërisë

Kush ia shtypi kokën
kuçedrës së tërbuar?
Kush ia ktheu
nderin shqiptarit?
Kush e solli në jetë
lulen e lënduar?
Kush ia shëroi krahët
shqiponjës së malit?

Skënderbeu-
trim me fletë,
Skënderbeu-
kurorë e lirisë,
Skënderbeu-
rrufe, shigjetë…
Skënderbeu-
Yll I Arbërisë.

(1966)

Ëndrra në krahët e erës

Fusha mbylli sytë,
edhe qielli
me këngë të kaltra.
Vrik erdhi gjumi
më çoi te lumi
era në breg
me mori mbi flatra.

Fluturoja fushës,
fluturoja malit
sikur me raketë!
Pyllthit me lulëkuqe
vizatova një mollëkuqe
n`pallat të zambakut
në katin e tretë.

Peshqit në det
më mësuan not
te i Dashurisë Kep.
As vetë nuk e di
si rashë në thellësi.
Kur me puthi nëna,
unë: sa një plep!

(1969)