Uji Dea

Ndihmohet Besiana Shahini

/ 2 minuta lexim

Gjilan – Me moton “Zemrat e mëdha, për zemrën e vogël”, nxënësit e klasës së VII/2 të shkolla fillore “Nazim Hikmet” nga Dobërçani, kanë organizuar për herë të dytë në këtë vit shkollor shitjen e ëmbëlsirave të cilat ata vetë i kanë përgatitur si dhe një turnir humanitar në futboll dhe në volejboll me qëllim që t’i ndihmojnë Besiana Shahinit, vogëlushes 3 vjeçare nga fshati Capar komuna e Gjilanit e cila vuan nga një sëmundje e rëndë.

Organizimin e këtij aktiviteti e ndihmuan drejtori dhe mësimdhënësit e shkollës, si dhe u përkrah nga nxënësit e të gjitha paraleleve të shkollës, disa lokale, shitore afariste në fshat, etj.

Rexhep Arifi mësues në këtë shkollë tha për rajonipress se një falënderim i madh u takon edhe të dy imamëve të xhamive të fshatit që e kanë mobilizuar xhematin për ta përkrahur aktivitetin dhe u kanë mundësuar nxënësve që të qëndrojnë para xhamive për t`i shitur ëmbëlsirat pas namazit të xhumasë.

UBT

Sipas Arifit nga shitja e ëmbëlsirave, organizimi i turnirit si dhe ndihma vullnetare e mësimdhënësve dhe bashkëvendësve tanë, janë tubuar gjithsej 542.50€, dhe të hollat janë dorëzuar në familjen e Besianes, më datën 30 janar 2014 nga përfaqësuesit e nxënësve të shkollës si dhe dy mësimdhënës.

Organizatoret nga këshilli i nxënësve, Blerta Kryeziu dhe Artiola Abdyli, nxënëse të klasës së VII/2, u kanë shprehur falënderim të gjithë atyre që e kanë përkrahur idenë dhe aktivitetin e klasës se tyre me qëllim që të solidarizohen dhe ta ndihmojnë vogëlushen Besiana Shahini, duke i dëshiruar shërim sa më të shpejtë dhe kanë bërë apel tek të gjithë që të ndihmojnë me mundësitë e tyre që engjëllushja e vogël të rritet e të jetojë si gjithë fëmijët e tjerë./rajonipress/