Natali implikon MPB-në

Gjykata e Qarkut në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh shtetases gjermane Natali Velijaj, e cila dyshohet se ka përvetësuar 1.4 milionë euro, që është dashur t’ia japë kompanisë austriake që prodhon pasaporta për kosovarët.
Fisnik dhe Betim Blakajt, të cilët dyshohen se janë bashkëpunëtorë në këtë aferë, u janë caktuar nga 30 ditë arrest shtëpiak. Veliaj ka implikuar edhe zyrtarë të lartë të MPB’së në këtë rast.
Natali Veliaj i di emrat e zyrtarëve të lartë të MPB-së që pretendon se ua ka transferuar paratë në llogaritë e tyre, por nuk i ka treguar as prokurorit e as policëve hetues. Për emra dhe mbiemra, Natali Veliaj ka një kusht. Që të jetë dëshmitare e mbrojtur, gjë që nuk është aprovuar nga prokurorët e EULEX-it. Madje, prokurorët e rastit, Pascal Persoons dhe Drita Hajdari kanë kërkuar paraburgim për shtetasen gjermane, gjë që edhe u pranua nga gjyqtari i procedurës paraprake Vehbi Kashtanjeva.
Veliaj dhe vëllezërit Fisnik dhe Betim Blakaj në orët e mesditës janë sjellë duarlidhur para këtij gjyqtari, i cili pas një seance maratonike ka vendosur paraburgim prej një muaji për Veliajn, ndërkaq vëllezërit Blakaj do të qëndrojnë tridhjetë ditë në arrest shtëpiak.
Njëri nga ta Fisnik Blakaj ka sharë me nënë gazetarët që ishin mbledhur para Gjykatës së Qarkut. Avokati i Veliajt, Tomë Gashi sqaron se klientja e tij është vetëm viktimë e një afere të madhe korruptive sepse, siç i ka thënë ajo, paratë që ka marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme kurrë nuk ia ka paguar kompanisë austriake që ka prodhuar pasaportat kosovare e as që e ka ndërmend t’ia paguajë, sepse pretendon se ka formë të shkruar se ku i ka transferuar këto para.
“Kjo deklaron se paratë që i ka transferuar tek zyrtarët e MPB janë transferuar me kërkesë të kompanisë austriake që ka fituar tenderin. Që i bie se dikush ia ka kërkuar asaj kompanie këtë shumë si kompensim për tenderin e fituar”, tha Gashi pas seancës.
Por, emrat e tyre, sipas Gashit, nuk do të dalin asnjëherë nga goja e Natalisë, përderisa asaj nuk i është plotësuar kërkesa që të jetë dëshmitare e mbrojtur. Ai madje ka kritikuar sistemin juridik të Kosovës, që, sipas tij, nuk është i përgatitur t’u jep imunitet personave që dëshirojnë të lajmërojnë aferat korruptive.
Shtetases gjermane nuk i është pranuar edhe një kërkesë që gjyqtar në këtë rast të jetë një gjyqtar i EULEX-it. “Me këtë vendim u vërtetua se gjyqtarët tanë nuk janë të gatshëm që të merren me aplikimin e formave ligjore, por thuajse gjithnjë bie nën ndikim të prokurorit”, tha Gashi.
Sipas tij, klientja është treguar e gatshme që të bashkëpunojë, por prokurorët ia kanë pamundësuar këtë.
“Kemi të bëjmë me një person e cila asnjëherë nuk e ka mohuar se nga MPB kompania e saj e ka marrë shumën prej 1 milion e 400 mijë euro dhe ajo shumë, sipas saj, është ndarë me disa pjesëtarë të MPB që ua ka dërguar në llogari të tyre Është fare lehtë që të zbulohet kjo aferë korruptive, por si duket sistemi i drejtësisë krejtësisht ka vendosur që të veprojë ndryshe që këtë aferë ta përmbyllë me arrestimin e Natalisë dhe me mbajtjen e saj në paraburgim”, tha Gashi.
Arsyetimi i gjyqtarit Kashtanjeva për masën e paraburgimit për Veliajn është se pasi që ajo është shtetase e huaj, mund të largohet nga Kosova e po ashtu edhe mund të ndikojë te dëshmitarët dhe provat. Këtë fakt e hedh poshtë avokati Gashi, që, sipas tij, ajo kur ka dashur të udhëtojë e ka lajmëruar prokuroren dhe po atë ditë është arrestuar në mënyrë “spektakulare”.
Ndaj vendimit të gjyqtarit mbrojtja ka paralajmëruar ankesë, ndërkaq për dallim prej Natalia Veliajt, e cila ashtu siç erdhi edhe doli me duar të lidhura, vëllezërit Blakaj dolën ndryshe.
Ata u dërguan nga policia në arrest shtëpiak në shtëpinë e tyre në Istog.
Blakajt së bashku me Natalia Veliaj janë arrestuar të hënën në mbrëmje nga policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës. Gjermanja 38-vjeçare dyshohet se ka përvetësuar një milion e 400 mijë euro për vete, para këto që ishin dedikuar për kompaninë austriake Österreichische Staatsdruckerei” (OeSD).
Sipas dyshimeve, ajo kishte mundur ta bindte Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) që pa kurrfarë autorizimi të shkruar të devijonte adresën ku duheshin paguar paratë për pasaportat e prodhuara nga ndërmarrja austriake “Österreichische Staatsdruckerei” (OeSD). Për pasojë, pagesa ishte bërë te firma e Velijajt, “Consulting EU Sh.p.”, që OeSD-ja e kishte përfaqësues në Kosovë.
Kjo pastaj nuk i kishte përcjellë për në Austri rreth 1.4 milionë euro, pasi konsideronte që shuma është shpenzuar për shërbimet në llogari të OeSD-së që ka bërë në Kosovë si dhe për taksa.
Por, kur këto mjete nuk i kanë shkuar në konto, OeSD-ja ka thënë se paratë i do nga MPB-ja, pasi kurrkujt nuk i kishte dhënë autorizim që t’i bënte apo t’i pranonte pagesat, e në anën tjetër nuk ishte deklaruar fare se përse një shumë prej rreth 2 milionë eurosh e kishte pranuar në këtë rrugë që tani e konteston.(express)