KKGJILAN

Naser Kelmendi ka perandorinë e tij

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Familja Kelmendi e udhëhequr nga Naseri ka në pronësi kompani tregtare që operon në Dubai, biznese që merren me patundshmëri në Mal të Zi, hotele e restorante në Sarajevë, biznese të tregtisë me naftë e vetura si dhe argjendari në Kosovë.

Kreu i familjes mohon që merret me biznesin e drogës, por ai dyshohet se udhëheq një rrjet kriminal që merret me drogë, kontrabandë të naftës, duhanit, trafikimit me njerëz, pastrim parash e zhvatje, shkruan “JNK”.

“Njeri i dhënë pas veturave dhe femrave”, është përshkrimi që i ka bërë vetës biznesmeni kontrovers Naser Kelmendi, kur para një viti ka dhënë një intervistë ekskluzive për një medium malazias.

“I dua veturat. I dua femrat. Por ajo çka fillimisht mua më shkon në mendje janë vetëm femrat”. Madje, thotë ai, në Serbi shkon vetëm hatri tyre.

Kur është pyetur se çka e lidhë atë me Serbinë, Kelmendi është përgjigjur shkurt: “Më pëlqejnë femrat”.

“Jam 54 vjeçar e droga nuk më ka interesuar kurrë. Jam thjeshtë një biznesmen”, pati thënë vitin e kaluar Kelmendi, për Vijest-in, një shtëpi mediale në Mal të Zi.

Sivjet ai ka 55 vjet dhe është në listë të zezë të SHBA-së pasi që vlerësohet se udhëheq një rrjet kriminal ballkanik që merret me biznesin e drogës.

Departamentit Amerikan i Thesarit dyshon se Kelmendi udhëheq një nga familjet më të forta kriminale shqiptare në Ballkan e cila merret me trafikimin e heroinës, kokainës dhe anhidridit acetik, një lëndë e parë që përdoret në prodhimin e heroinës, dhe në Europë transportohet nëpërmjet Ballkanit.

Emri i tij në listë të zezë të Shtëpisë së Bardhë u vu përkrah liderit të kartelit meksikan të drogës Hoze Antonio Sota Gastemula si dhe tregtarit afgan Sajed Vazir Shah.

Eco Higjiena

Kelmendi është duke u kërkuar nga Policia e Bosnjë e Herzegovinës e cila ka marrë një aksion të gjerë për kapjen e tij.

Një flet-arrest ndaj tij është lëshuar më 19 shtator edhe nga autoritetet në Kosovë pasi autoritetet boshnjake e kërkojnë Kelmendin përmes Interpol-it.

Por, Naser Kelmendi ende nuk është kapur edhe pse dyshohej se kishte hyrë në vend prej datës 10 shtator. Zyrtarët policorë e kishin parë në Pejë duke pirë kafe por nuk kishin mundur ta arrestonin në mungesë të ndonjë urdhri përkatës.

Pas lëshimit të flet-arrestit, policia kosovare zuri një person tjetër që i kishte përngjarë si Kelmendi, por e ka liruar më vonë. Ajo nuk e di nëse Kelmendi, që ndërkohë u bë i padukshëm, ende qëndron në Kosovë.

Por djali i tij Elvisi tashmë është arrestuar.

Problematike mbetet ekstradimi i tyre në Bosnjë edhe nëse autoritetet arrijnë të arrestojnë Naser Kelmendin pasi që Kosova dhe ky shtet nuk kanë marrëveshje për këtë çështje.

Gjatë këtij muaji, Naser Kelmendi kishte qëndruar edhe në “Hotel Dukagjini”, pronë e biznesmenit Ekrem Lluka.

“Hoteli është publik. Aty mund të rrijë kushdo”, i ka thënë Lluka gazetës, përmes telefonit.