Hidromorava

Nacionalizmi i dështuar, miliarda në xhepat e Serbisë

/ 8 minuta lexim
ARKATANA

Ekspertë të ekonomisë, përfaqë- sues të bizneseve e të shoqërisë civile, njëzëri pajtohen me vlerësimin se Kosova ka dështuar në kultivimin e nacionalizmit ekonomik. Ata thonë se 17 vjet pas lufte vendi po vazhdon të jetë i varur nga produktet serbe.

KOSOVA, E VËRSHUAR NGA MALLRAT E ARMIKUT TË PAVARËSISË

Politikat e qeverisjeve kosovare stimuluan tregtinë me serbët, shkruan gazeta Kosova Sot.

Ekspertë të ekonomisë, përfaqë- sues të bizneseve e të shoqërisë civile, njëzëri pajtohen me vlerësimin se Kosova ka dështuar në kultivimin e nacionalizmit ekonomik. Ata thonë se 17 vjet pas lufte vendi po vazhdon të jetë i varur nga produktet serbe. Ndërkaq, sipas tyre, fajtore për këtë gjendje janë kompanitë mafiooligarkike, të cilat po ua imponojnë qytetarëve produktet e Serbisë me çmime më të lira. Sipas tyre, këto kompani janë duke i bërë të varura nga këto produkte, në vend se ato të mbështetnin industrinë ushqimore në Kosovë, për të zëvendësuar produktet serbe, por edhe produktet e tjera. Analistët thonë se një pjesë e madhe e fajit është edhe te pushtetarët tanë, që deshën apo nuk deshën, e kanë mbështetur Serbinë të fuqizohet ekonomikisht dhe e kanë dëmtuar Kosovën. Njëkohësisht po këta pushtetarë nga analistët akuzohen se e kanë shkatërruar ekonominë e Kosovës, duke e lënë anash industrinë ushqimore. Sipas tyre, neve na duhen vite për ta rikuperuar ekonominë e Kosovës, që e shkatërruan pushtetarët, duke favorizuar mafio-oligarkët, të cilët favorizuan prodhimet serbe. Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë se po shtohet vlera e importeve nga Serbia.”Në vitin 2015 kemi pasur rreth 370 milionë euro importe nga Serbia, kurse në vitin 2016 importi nga ky shtet arriti në 389 milionë euro. Kurse, eksportet e Kosovës, si dhe rritja e këtij eksporti në Serbi, është simbolike. Nëse në vitin 2015 kemi pasur eksport ne vlerë të 27 milionë eurove në Serbi, në vitin 2016 kjo është rritur në 36 milionë euro”, ka thënë Stavileci.

Prodhuesit vendorë të lëngjeve mbulojnë 65 për qind të tregut

Bizneset janë të mendimit se janë shumë produkte të Serbisë që lehtë mund të zëvendësohen me prodhimin vendor. Ndonëse kanë kapacitete të mëdha për eksport, ata nuk mund të eksportojnë në Serbi. Shembull për këtë është prodhuesi i pijeve joalkoolike, Bashkim Osmani, që është drejtor i kompanisë “Laberion” nga Podujeva. Ai thotë se prodhuesit vendorë të këtij sektori kanë kapacitete më të mëdha prodhuese sesa nevoja e tregut kosovar. Sipas tij, lëngjet e prodhuara në Kosovë dominojnë tregun vendor.”Kemi kapacitete të mjaftueshme për tregun vendor, e po ashtu për eksport në vise të Ballkanit dhe të BE-së. Aktualisht, ne – prodhuesit e lëngjeve vendore – mbulojmë 65 për qind të tregut në Kosovë (importi me 35 për qind)”, ka thënë Osmani, duke shtuar se për shkak të politikës serbe nuk mund të eksportojnë në Serbi. Kryetari i AKB-së, Agim Shahini tha se në kohën e një konkurrence jo të ndershme të tregtisë, sidomos nga fqinjët tanë, konsumimi i prodhimeve vendëse nuk është vetëm vlerë ekonomike, por edhe vlerë kombëtare. “Qytetarët tanë duhet që t’i japin prioritet konsumimit të prodhimeve vendore, nga të cilat pos përfitimit dhe rritjes së prodhimtarisë vendore, rritet edhe mirëqenia qytetare, punësimi dhe zhvillimi ekonomik i shtetit”, potencoi ai. Shahini shtoi se janë rreth pesë miliardë euro të qytetarëve tanë që po eksportohen në Serbi, e cila na shkatërroi e po ndërtohet me para të qytetarëve të Kosovës dhe kjo duhet të ndalet. Sipas tij, nacionalizmi ekonomik kombëtar i mungon shqiptarëve.

CEFTA e dëmtoi Kosovën

Mobi Casa

Profesori i ekonomisë në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, Muhamet Sadiku, ka thënë se Kosova duhet ta zhvillojë sektorin prodhimtarisë që të mos varet nga importi serb.”Këmbimi tregtar ka qenë gjithmonë asimetrik me Serbinë”, ka thënë ai. “Kosova është ekonomi e hapur ndaj të gjithëve, pra edhe ndaj Serbisë. Mu për këtë, për ta lehtësuar këmbimin tregtar mes shteteve të ish-Jugosllavisë – plus Shqipërisë dhe të tjerëve në rajon – ndërkombëtarët krijuan tregun e lirë CEFTA, të cilën Serbia më së shumti nuk e ka respektuar veç për ta dëmtuar Kosovën. Kështu, bilanci tregtar me Serbinë është negativ. Kjo na shtynë të ndërmarrim politikat e duhura ekonomike, që Kosova këtë varësi ta vërë në binarë normalë. Askush në Kosovë nuk ka kërkesa për ndaljen e importit serb, por ka kërkesa logjike për reciprocitet me Serbinë”, ka thënë Sadiku. Njohësi i kësaj problematike, Milazim Abazi, bankier, tha për “Kosova Sot” se në mungesë të nacionalizimit ekonomik, raportet ekonomike me Serbinë po vazhdojnë që të jenë po aq të këqija sa edhe ato politike. ” Me vetë faktin se ne me Serbinë kemi një bilanc tregtar katastrofal, mbulimi i importit me eksport është vetëm 5 për qind, importi 300 milionë, ndërsa eksporti vetëm 15 milionë, i bie se Kosova në Serbi eksporton para, ndërsa Serbia eksporton mallra në Kosovë”, theksoi ai. Eksperti Abazi tha se mallrat kosovare për të depërtuar në Serbi duhet të kalojnë nëpërmes barrierave të panumërta, ndërsa ato nga Serbia shpeshherë nuk i nënshtrohen as doganës. “Njëjtë ndodh edhe me lëvizjet e afaristëve kosovarë në Serbi. Ata maltretohen dhe trajtohen si qytetarë të rendit të dytë, duke u çnjerëzuar në çdo pikë të kalimit kufitar”, tha ai. Andaj, sipas Abazit, është koha e fundit që edhe si shtet, edhe si shoqëri, por edhe si afaristë t’i themi stop trajtimit të pabarabartë në raport me Serbinë.

Pasojat e privatizimit të gabuar

Eksperti i ekonomisë dhe ligjëruesi, Nehat Maxhuni tha për “Kosova Sot” se nuk kemi nacionalizëm ekonomik. “Ekzistojnë një mori faktorësh që ndikojnë në këtë deficit tregtar me Serbinë. E para është që qeveritarët tanë edhe ato fabrika që i patëm i shkatërruan duke i privatizuar shkel e shko, duke e shitur makinerinë e tyre për skrap, ndërsa objektet i ridestinuan për depo të ndryshme të mallrave të gatshme të importuara nga Serbia dhe nga vendet e tjera. Tokat bujqësore i shkatërruan me ndërtime, rërë e beton”, tha ai. Maxhuni thotë se politikat e gabuara të privatizimit dhe politikat e gabuara fiskale e shkatërruan prodhuesin vendor dhe Kosova mbeti vetëm treg i shitjes për Serbinë dhe vendet e tjera. “Kjo gjendje është se Serbia i ka kushtuar shumë rëndësi prodhimit, ku prodhuesit janë financuar dhe stimuluar nga ana e qeverisë së Serbisë, investitorëve të huaj u janë ofruar të gjitha kushtet për të investuar në Serbi, me çka ka bërë që për tregun kosovar mallrat e tyre të jenë atraktive dhe të lira”, theksoi Maxhuni. Gjithnjë sipas Maxhunit, kontribut shtesë që të kemi këtë deficit tregtar me Serbinë, më të madhin në vend, ka dhënë Qeveria jonë, e cila në raport me Serbinë që nga pas lufta e ka hequr doganën për të gjitha produktet e Serbisë, gjë që nuk ka ndodhur edhe me vendet e tjera. “Serbia jo që nuk ka bërë asgjë për produktet e Kosovës, por i ka penguar që ato të depërtojnë në tregun e Serbisë sot e kësaj dite”, ka thënë ai.

Konsumatorët e nëpërkëmbur

Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku (Konsumatori) tha se shumica e produkteve nga Serbia janë franshiza ose produkte me licenca të blera në Evropë, ku kushtojnë më lirë dhe niveli i kontrollit të cilësisë e sigurisë së tyre është më i besuar. Ai tha se janë investimet e shtetit dhe të bizneseve të Serbisë në Kosovë, investime të fshehta – të padeklaruara publikisht, e që qytetari konsumator jo rrallë i quan ” ambasada – konsullata ekonomike të Serbisë në Kosovë “. “Pra, ato kryesisht janë markete, të cilat, thjesht, ia imponojnë qytetarit konsumator produktet e caktuara. Janë ” inkompetencat ” e shtetit ndaj vijës së kufirit poroz, kontrollit të pamjaftueshëm të hyrjes – importit të mallrave nga Serbia, kontrollimi pamjaftueshëm i cilësisë e sigurisë së produkteve të importuara kryesisht ilegalisht – kontrabandë”, theksoi Kaçaniku. Sipas tij, dominojnë interesat e oligarkëve politikë-institucionalë, biznesorë- meritokratë…të rrjetëzuar e të organizuar rreth sabotimit të ekonomisë, të bizneseve, të prodhimeve dhe të interesave të shtetit, si dhe të qytetarit konsumator. E keqja, sipas Kaçanikut, është se institucionet, asociacionet dhe mekanizmat e Republikës së Kosovës, sikur kanë frikë dhe hezitojnë të kryejnë obligimin që del nga mandati i tyre, e që është informimi, edukimi, arsimimi e vetëdijesimi i qytetarit konsumator.

(Kosova Sot)