UBT

Mustafa: Punoni shumë, mos bëni sfilatë e mos flisni “muhalife”

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Reagim ndaj prononcimit të djeshëm të një ish ushtari të Zonës Operative të Karadakut lidhur me varrezat e dëshmorëve (që është pjesa e parë e qendrës memoriale disa hektarëshe) më erdhi si detyrim i domosdoshëm. Është kështu sepse ishte edhe fyes e denigrues. Ishte prononcim sa i pasaktë (nga mungesa e dijes së këtij ushtari për këtë projekt), po aq edhe cinik sepse vinte nga një bashkëluftëtar i shumicës së dëshmorëve i cili e kishte patur pushtetin absolut moral (por edhe faktik e real sepse jaranat e tij i kishte pasë në qeverinë e qendrës përherë) për tetë vite me radhë para ardhjes tonë në qeverisje të komunës ka thënë Qemajl Mustafa.

Reagimi i plotë i Qemajl Mustafës

Po të kishte ardhur një reaksion i tillë (qoftë edhe fyes) nga familjarët e dëshmorëve ose edhe nga ndonjë invalid e veteran, të cilët nuk u involvuan asnjëherë në politikë, por vetëm e ndihmuan sinqerisht dhe me urti e durim punën e saj, nuk do të reagoja kurrën e kurrës sepse e vërteta është që kjo fazë e parë e projektit ende nuk është përfunduar pavarësisht pengesave objektive.

Po ia kujtoj këtij ushtari të nderuar (që tani është aktiv në politikë) se shokët e tij (të mbetur gjallë) anekënd Kosovës i patën ra “gurit e drunit” dhe i patën krijue fondet për me i ndërtue varrezat dhe parqet memoriale për shokët e tyre të luftës e të punës që kishin rënë në fushëbeteja e në detyrë. Për dëshmorët e tyre, për dëshmorët tanë.

Ky ushtari ynë i nderuar, që aq fortë qënka “brengosur” tashti për mosrealizim të kësaj faze të projektit e merr guximin dhe i fyen pikërisht ata që e patën kurajon politike po edhe profesionale me e nisë këtë projekt sa fisnik po aq edhe kompleks. Ishte projekt kompleks si përnga ana procedurale, politike e morale e tij por edhe përnga vëllimi i investimeve për realizim të tërësishëm të tij.

Pas miratimit të procesit dhe zgjedhjes së idesë më të mirë nga shtëpitë projektuese (në rrugë disamujore konkurruese), komuna e kishte themeluar në vitin 2009 këshillin gjithëpërfshirës, të ekuilibruar mirë politikisht e profesionalisht, për ta ndihmuar dhe përcjellur hap pas hapi realizimin e këtij projekti të rëndësisë së veçantë për komunën dhe Anamoravën.

Ky veterani që tashti doli me prononcim fyes e diskreditues e kishte përfaqësimin e tij të dyfishtë apo te trefishtë në këtë këshill. Me sa më kujtohet mua, përveç z. Ahmet Isufit, në këshill ishte përfaqësimi i denjë i SHDL e UÇK të Gjilanit (veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve) por herëpasëherë kur kishim të bënim me seanca interesante e të rëndësishme, në to ishte prezent edhe vet ky ushtari ynë i nderuar që sot është “i brengosur tej mase” i cili, e ngre zërin nga pozicioni tashmë jo i shokëve të dëshmorëve (sepse nga ky pozicion nuk i beson më kush) por, nga pozicioni i mbrojtjes së interesave të ngushta politike të një subjekti politik.

Po ia kujtoj këtij ushtari të UÇK, këtij punëtori të mirë dhe pa dyshim këtij miku e kontributëdhënësi të lirisë e të pavarësisë së Kosovës se projekti ishte kompleks përnga natyra e tij sepse duhej të kishte miratimin koncensual të të gjitha përfaqësimeve të shoqërisë së komunës. Fazë tejet e rëndësishme dhe e ndieshme ishte miratimi i listës së dëshmorëve dhe procesi i rivarrimit të trupave të dëshmorëve. Edhe më komplekse ishte faza e hulumtimit dhe e formimit të listës meritore të emrave që duhej të skaliteshin në murin memorial të qendrës. Pas punës së mundimëshme por të palodhëshme shumë mujore e përfunduam me pajtueshmëri të plotë dhe sot këtë listë me mbi njëmijë emra heronjësh, dëshmorësh, martirësh e viktimash e kemi në qendrën memorial të Gjilanit.

Ishte ky një hap kolosal dhe brilant në periudhën e lirisë së komunës tonë. Ku ka më mirë se ta kesh rastin ta restaurosh kujtesën tonë të shkatërruar me shekuj nga okupuesit e nga barbarët por, tashmë, edhe të mbuluar nga pluhuri i trashë i harresës së decenieve të shumta.

Unë personalisht po edhe të gjithë ata që punuan rreth pjesës morale të këtij projekti, jemi plotësisht krenarë që komunës ia ofruam këtë mundësi të rrallë e të domosdoshme.

Asnjëherë nuk mund t’ua paguajmë hakun veteranëve, invalidëve e familjeve të dëshmorëve të luftës së UÇK në Gjilan për angazhimin e mirë dhe kontributin e veçantë që ata e dhanë në këtë projekt. Dua ti veçoj me këtë rast z. Ahmet Dakun dhe z. Ilir Tahirin që me shumë të tjerë ishin pjesë e pandashme e punës që nga fillimi deri në fund.

Asnjëherë nuk mund t’ua paguajmë hakun historianëve tanë plotësisht të përkushtuar për “gropimin” nëpër terrenin dhe kujtesën e komunës z. Aliriza Selmanit dhe Reshat Ramadanit dhe të tjerëve.

Pse projekti ka mbetur në këtë fazë e kam sqaruar disa herë për publikun dhe për oponencën politike qëllimkeqe të PDK. Dëgjon vetëm ai që ka veshë e sheh vetëm ai që ka sy. Me kushtin që ta ketë vullnetin me i bërë që të dyjat.

UBT

Mungesa e fondeve nga qeveria përgjithësisht për projektet në Gjilan, e posaçërisht për këtë projekt dhe për përmendoret e memorialet e komunës kanë bërë që projekti të zvarritet e të mos kryhet në kohën e duhur. Për këtë kam shprehur përherë dhe e shprehi keqardhjen time të sinqertë edhe sot por disa gjëra janë jashtë mundësisë së kryetarëve të komunave përherë. Atë forcë “magjepsëse” e “madhore” e ka vetëm qeveria e një vendi e cila e pat filluar në vitin 2010 investimin e më shumë se njëzet projekteve në komunë po pastaj për fat të keq dhe për arsyet nga më të ndryshmet nuk vazhdoi me përmbylljen e tyre. Përkundër insistimit tim të përhershëm.

I kishim ne në Prishtinë disa kuadro që “mrizonin” përherë nëpër hijet këndshme të qeverisë dhe i shërbenin asaj qoftë me rolin e deputetit që e kishin, qoftë me pozicionet e larta zyrtare në ekzekutiv apo aty – këtu në bordet e agjensionet e qeverisë e të kuvendit të Kosovës por që nuk u pamë hajr.

Të tillët merreshin me akomodimin e vehtes së tyre dhe të të afërmve të tyre dhe vilnin edhe nga dy rroga shpesh nga fondet publike të këtij vendi fukara.

Ju mbetem borxh të tillëve nëse nuk ua theksoj ndonjë projekt rruge ose kanalizimi e ujësjellësi nëpër lagjet e tyre e që e bënë bujë kur i morën nga qeveria por asnjëherë nuk u interesuan institucionalisht e hakikat, për komunën e tyre si tërësi. Kemi shembuj shumë konkretë për këtë që e thash.
Ushtari ynë i respektuar bie pikërisht në mesin e atyre që i spikata më lartë.

Doli kryetari i tashëm i komunës para disa ditësh dhe bëri svilatë si zakonisht dhe ndezi qirinjë në shenjë respekti e kujtimi për masakrën e Gjilanit para shtatëdhjetë vitesh. Bile tha (bazuar në gojëdhëna) që janë vrarë e masakruar atëherë mbi tetë mijë shqiptarë këtu në Gjilan po nuk e tha dot që kryetari i komunës dhe qeveria komunale para mandatit të tij e filluan ndriçimin e njëmendtë të asaj epoke e asaj tragjedie me argumente, me libra, me dorëshkrime e me kujtesën ende të mpreftë të pleqëve tanë.

E po, dikush mundet vetëm me bë svilatë qirinjësh e dikush përnjëmend e ka edhe dijen, edhe guximin, e bën edhe punën dhe merrët me punë të mira e të mëdha.

“Sa dhe qysh ta ka dhënë Zoti”! – thotë populli. Ndryshe as nuk bëhet as nuk mundesh.
Ne i qelëm rrugë këtij projekti madhor e të papërsëritshëm të komunës. Projekti detal është paguar atëherë dhe e keni në komunë. Krejt kjo që ka mbetë është pjesa e lehtë e punës, është aspekt puro teknik e financiar.

Unë shpresoj që së paku këtë, kryetari i tashëm dhe t`i ushtari im i respektuar do të mund ta bëni në ditët në vazhdim sepse e keni borxh ta bëni.

Populli le ta vlerësojë se a bie (sipas teje gjithnjë) tradhëtia mbi ata që nuk e nisën kurrë dhe që e patën pushtetin absolut politik, moral e real tetë vite me radhë që nga viti 2000 në të dy nivelet, e që ishit pikërisht ju dy apo bie mbi ne që me financat e pakta të komunës por me dije, me punë të disiplinuar e filluam guximshëm dhe ia dolëm ta realizojmë pjesën e rëndë të punës – projektimin, rivarrimin, murin memorial, obeliskun,…

Sipas “kujtesës dhe mësimeve” të kryetarit të tashëm nga historia e kësaj tragjedie kanë mbetur edhe shtatëmijë emra pa u sjellur në mur.

Do ta kisha përgëzuar sinqerisht dhe botërisht nëse brenda katër viteve të mandatit të tij i sjell në këtë mur bile gjysmën e listës që e hartuam dhe e argumentuam ne. Pra, pesëqind emra të kësaj masakre.

Do të kishim me fillue e me e nderrue bindjen që kryetari i tashëm i komunës tonë të mirë nuk është vetëm kryetar “muhalifesh” e svilatash si deri tashti.

Bëjeni!.

Mund të ju interesoj: