Mustafa: Nuk është koha të rrëzohet qeveria
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në emisionin “Debat” të RTK-së, ka deklaruar se nuk është momenti për ta rrëzuar qeverinë.
Mustafa, duke folur për zgjedhjet parlamentare, të cilat mendohet se do të mbahen më së largu deri në qershor të këtij viti, ka thënë se nëse në këtë kohë rrëzohet qeveria, do të rrëzoheshin edhe zgjedhjet.
Sipas tij, nuk është lavd nëse dikush ia arrin ta rrëzojë qeverinë në këtë kohë, ndërsa siç tha ai, “lavd është nëse krijojmë kushte të domosdoshme që zgjedhjet të jenë të mira”.
Mustafa ka thënë se me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka pasur bashkërendim rreth nismës së tyre për mocion votëbesimi ndaj qeverisë.
Lideri i LDK-së e ka përmendur edhe datën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, duke theksuar se partia e tij vlerëson se zgjedhjet do të duhej të mbaheshin më 8 qershor./tribuna/
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa thotë se nuk mund të rrëzohet qeveria tash për tash, për shkak se vlerëson se me një mocion ndaj qeverisë, rrëzohen zgjedhjet. Mustafa thotë se LDK do t’i fitojë zgjedhjet. Vlerëson “kulturën e mirë të komunikimit” me kreun e PDK-së Hashim Thaçi. Thotë se Ilir Deda shkoi në zyrën e tij urgjentisht dhe i ofroi bashkëpunim. Për këtë dhe çështje të tjera, Mustafa ka folur në emisionin “Debat” të RTK-së.
(E plotësuar) Sejdiu mund t’i jepte deklaratat e tij edhe në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së
Isa Mustafa: Zoti Sejdiu ka dhënë deklaratat e tij. Qëndrime të tilla ka pasur mundësi të diskutohen edhe në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, sepse ne i diskutojmë të gjitha gjërat atje.
Kemi krijuar një bosht kurrizi nëpër tërë Kosovën. Kemi rritje të votës edhe në ato komuna ku nuk kemi fituar. Kemi një shtrirje nëpër tërë Kosovën.
Zhvillimi ekonomik është synimi ynë kryesor. Synim i dytë do të jetë reforma në arsim dhe reforma në shëndetësi. Shteti ligjor dhe lufta kundër korrupsionit do të jenë fokusimi i tretë ndërkaq i katërt do të jetë rruga e integrimeve evropiane.
Duhet të ndodhë procesi i reprivatizimit
Isa Mustafa: Në parim kemi përkrahur privatizimin sepse jemi për ekonomi të tregut. Presim të ndodhë proceci i reprivatizimit. Është proces që duhet të ndodhë. Unë nuk e di në lidhje me dyshimet për procesin e privatizimit, me këtë duhet të merret drejtësia.
Çështja e Trepçës duhet të mbetet çështje e interesit nacional të Kosovës.
Ne do ta bëjmë privatizimin e PTK-së por nuk mund të përcaktoj nga këtu tani afatin e privatzimit, por do të ndodhë sepse nuk ka asnjë arsye që PTK-ja të mbetet kështu si është.
Është rrezik që mund të na vije një situatë që mund të sjellë bosnjëzimin e Kosovës. Sjellja e qeverisë serbe ëshhtë e tillë që bën marrëveshje por nuk i respekton ato. Po shihet edhe me sjelljet e njerëzve atje.
Me z. Thaci kemi ndërtuar një kulturë komunikimi, por jemi të përcaktuar të ndërrojmë opozitën sepse ne do ta marrim pozitën.
Isa Mustafa: Ilir Deda erdhi urgjentisht në zyrën time, më ofroi bashkëpunim
“Kjo e Dedës më duket pak hipokrizi, ai ka ardhë te unë gjysmën e dhjetorit të vitit të kaluar, unë nuk e kam thirrur, ai ka ardhur me një koleg. Ka ofruar të bashkëpunojë me ne. Ky bashkëpunim ka nënkuptuar që ata të futen së bashku me neve në zgjedhje. Tjetri që erdhi me të ishte Lulzim Peci. Ata si janë shprehur në zyrën time ka qenë se LDK do t’i fitojë këto zgjedhje, për hir të korrektësisë, Lulzim Peci ka thënë se ai nuk do të angazhohet”, ka thënë Isa Mustafa
Mustafa nuk premton paga 1000 euro si Haradinaj, thotë se ky premtim nuk bëhet pa një program
(E plotësuar) – Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka komentuar edhe deklaratat e kreut të AAK-së Ramush Haradinaj, për premtimin e tij se nëse bëhet kryeministër, pagat do të bëhen 1000 euro.
Mustafa ka thënë se paga që ai premton është një pagë e qëndrueshme, porse ka lënë të kuptohet se nuk jep një numër sepse nuk mund të flitet pa një program.
“Rritja e pagave bëhet me një program të caktuar”, ka thënë Mustafa.
Isa Mustafa: Nuk mund ta rrëzojmë qeverinë tash për tash, sepse do të rrëzonim zgjedhjet
Në këtë rast nuk mund të rrëzojmë qeverinë sepse do të rrëzonim zgjedhjet. Askush nuk mund të krenohet nëse thotë se arrita ta rrëzoj qeverinë në mars ose në prill të këtij viti. Kurrfarë lavdi nuk është ky. Lavd është nëse krijojmë kushte të domosdoshme që zgjedhjet të jenë të mira. Kështu ka deklaruar kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në emisionin “Debat” të RTK-së
Ai ka thënë se LDK vlerëson se zgjedhjet do të duhej të mbaheshin më 8 qershor.
“Kemi vlerësuar se lënda të jetë gati sa i përket Ligjit për reformë zgjedhore dhe ai të jetë gati në fund të marsit. Edhe nëse nuk arrijmë reformën zgjedhore, zgjedhjet do të mbahen gjithësesi në fillim të vitit”, ka thënë Mustafa.
Sa i përket nismës së AAK-së, ai ka thënë se nuk ka pasur bashkërendim me partinë e tij.
“Nuk ka qenë veprim i bashkërenditur me ne. Ne e kemi pasur edhe si opsion si LDK, kemi pasur gatishmëri edhe për një mocion votëbesimi. Por ne konsiderojmë që data e mbajtjes se zgjedhjeve, të merremi vesh që të pajtohemi të gjithë dhe ato të mbahen si zgjedhje të rregullta. Në këtë periudhë nuk ka rëndësi a do të rrëzohet qeveria sot apo nesër. Është me rëndësi se çfarë cilësie do të kenë zgjedhjet. Mendoj se shancet tona për ta rrëzuar qeverinë i kemi pasur shancet vitin e kaluar por nuk e kemi pasur përkrahjen”, ka thënë Mustafa./express/


