Fundamenti

Mustafa: Duhet të përgjigjen të gjithë ata që kanë kryer gjenocid në Kosovë

/ 5 minuta lexim

Kryeministri Isa Mustafa, bëri homazhe pranë përmendores dedikuar personave të zhdukur në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, në Prishtinë. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj, kryetari i Këshillit Koordinues të Asociacionit të Familjarëve të Zhdukur dhe anëtari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Bajram Qerkini, familjarë dhe përfaqësues të tjerë.

Në një prononcim për mediat e pranishme, Mustafa shprehu dhembjen për njerëzit që akoma nuk janë gjetur, duke theksuar përkushtimin dhe përkrahjen e plotë të Qeverisë së Kosovës për të punuar pareshtur në zbardhjen e fatit të njerëzve të zhdukur të Kosovës, si dhe duke ofruar mbështetje të gjithanshme për familjarët e tyre.

“Ne kemi dalë sot këtu bashkërisht me familjarët e personave të pagjetur, me Komisionin Qeveritar dhe me veprimtarët të cilët kanë punuar shumë për këtë çështje, që të shënojmë “Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve”, që të shprehim keqardhjen tonë dhe dhimbjen tonë për njerëzit tanë që akoma nuk janë gjetur dhe për të cilët duhet të punojmë shumë si Qeveri, do të punojmë shumë si institucione të Republikës së Kosovës. Duhet të përkrahim të gjitha komisionet dhe trupat të cilat po punojnë pareshtur, t’ju japim mbështetje të madhe familjarëve, sepse më së vështiri e ndjejnë ata këtë dhimbje, edhe pse gjithmonë kjo dhimbja nuk është vetëm e tyre, por është dhimbje e Kosovës, dhimbje e të gjithë neve”, u shpreh kryeministri, raporton Koha.net.

Ai po ashtu apeloi te komuniteti ndërkombëtar që të kërkoj nga Serbia që të hapen të gjitha mundësitë, që të hulumtohen, që të kryhen gërmimet dhe që të jepen informata lidhur me njerëzit e Kosovës që janë marrë, janë grabitur nga Kosova dhe për të cilët akoma nuk ka të dhëna se çfarë ka ndodhur, ku kanë mbetur dhe ku janë.

“Kërkojmë që të hapen të gjitha arkivat në mënyrë që të gjenden të gjitha të dhënat të cilat do të mundësojnë zbardhjen e rasteve dhe po ashtu të gjithë ata që kanë kryer këto veprime të përgjigjen para ligjit. Duhet të përgjigjen të gjithë ata që kanë bërë gjenocid në popullatën tonë, të gjitha ata që kanë bërë krime në njerëz të pafajshëm dhe të gjithë ata që i kanë sjellë familjet dhe Kosovën në këtë gjendje, që 16 vjet pas lufte të mos dinë se ku janë mbi 1650 të afërm të tyre”, u shpreh kryeministri Mustafa.

Mustafa, po ashtu ka bërë të ditur se kjo çështje është hapur edhe me Mogherinin në fillim të bisedave në Bruksel. “Do ta hapim tani, sepse tani është krijuar mundësia që të hapen tema të cilat janë shumë të rëndësishme për ne, dhe unë mendoj se temë më e rëndësishme dhe më e vështirë por edhe më meritore për t’u diskutuar dhe për të gjetur zgjidhje se kjo e të pagjeturve nuk ka”, u shpreh kryeministri.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur Prenk Gjetaj, tha që ndihet i nderuar që kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, bën homazhe nderimi dhe përshëndet familjarët në këtë ditë të shënuar, ku e gjithë bota e shënon këtë dhimbje, këtë plagë, pjesë e të cilës janë edhe qytetarët e Kosovës.

Për Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, ka folur edhe kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli.

RCCOLA

Ai tha se sa herë që flasim për të afërmit tanë, që na mungojnë nga koha e luftës, e kemi bërë shprehi të përdorim fjalën “të zhdukurit”.

“Ata nuk janë të zhdukur. Nuk janë, sepse ekziston një shtet,- Serbia, e cila ka informacionin e plotë mbi fatin e tyre, informacionin e plotë mbi urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit e operacionit barbar të zhvarrosjes së shqiptarëve të vrarë dhe fshehjes së trupave të tyre në varreza sekrete në territorin serb”, ka thënë Veseli.

Sipas tij, “është paradoksale, jonjerëzore dhe e pamoralshme, që në kohën kur pretendon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, shteti serb vazhdon të mbajë varreza sekrete të viktimave të pafajshme të luftës”.

“Ky është një veprim që na kujton shtetet totalitare, regjimet staliniste që masakronin popujt dhe i fshihnin viktimat e tyre. Me stalinizëm nuk hyhet në Evropën demokratike”, ka vazhduar më tej Veseli.

“Dhe paradoksi bëhet edhe më i madh me faktin se derisa ky shtet, pra Serbia vazhdon të mbajë varreza sekrete të viktimave të pafajshme kosovare, pretendon të marrë lidershipin moral në procesin e pajtimit të popujve të përfshirë në luftërat pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Kjo është hipokrizi dhe pajtimi nuk bëhet me hipokrizi. Pajtimi bëhet vetëm përmes drejtësisë së vërtetë”, shtoi kryeparlamentari, duke theksuar se “ne kurrë nuk do të heqim dorë nga e drejta e familjarëve tanë për t’i gjetur dhe riatdhesuar të afërmit e tyre të vrarë dhe të fshehur padrejtësisht”.

“Ata janë pjesë e pazëvendësueshme e të vërtetës për luftën e Kosovës, dhe është pikërisht kjo e vërtetë mbi të cilën qëndron liria dhe shteti i Kosovës”, tha në fund të reagimit kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli.

http://koha.net/?id=27&l=72850