Mustafa: Deputetët e Anamoravës janë kompakt në Parlament

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Salije Mustafa është deputete në Kuvendin e Kosovës nga Gjilani nga radhët e PDK-së. Ajo për rajonipress flet për punën e saj si deputete, angazhimet e saja dhe të kolegëve të saj për të sjellur sa më shumë investime në Anamoravë, për pasivitetin e deputetëve, për lobin e deputetëve në Anamoravë dhe për pozitën e gruas në institucionet qendrore.

Rajonipress :Jeni deputete e Anamoravës. Cili është kontributi i juaj për të sensibilizuar problemet që ka rajoni i Anamoravës?

Mustafa: Jam deputete e Kuvendit të Kosovës nga Gjilani, dhe jam duke dhënë maksimumin që denjësisht t`i përfaqësoj qytetarët e Republikës së Kosovës dhe Gjilanit në Kuvend. Jam anëtare e komisionit për shëndetësi punë dhe mirëqenie sociale, dhe rrjedhimisht përqendrimi i punës sime është në këto fusha të komisionit për sensibilizimin, shtruarjen dhe zgjidhjet e mundshme të çështjeve të parashtruara në përgjithësi në nivel të Kosovës dhe në veçanti të rajonit të Anamoravës.

Mund t’i përmendë shkurtë disa nga angazhimet e mia si ai në amandementimin e projektligjeve që vinë nga Qeveria gjegjësisht nga Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e punës dhe Mirëqenies Sociale qe është shumë i madh. Në këtë kontekst, rregullisht konsultohem me resorët gjegjes për ligje të caktuara p.sh për Ligjin e shëndetësisë jam konsultuar edhe me kolegët e mi nga Gjilani, për projektligjet nga MPMS kam kontaktuar me Drejtorin e Drejtoratit për Shëndetësi dhe QPS në Gjilan, mandej për Ligjin e pensioneve të financuara nga shteti me Pensionistet nga Gjilani. Arsyeja e konsultimit me të gjitha këto kategori është sepse i dinë më miri nevojat e tyre dhe më së shumti e ndiejnë zbatimin e ligjit.

Një obligim tjetër i deputeteve është Mbikëqyrja e zbatimit te ligjeve përmes monitorimit të ligjeve apo edhe përmes pyetjeve Parlamentare.

Një ndër pyetjet e mia parlamentare që i kam adresuar MSH ka qenë eliminimi i barnave pa afat të cilat kanë qenë të grumbulluara nga paslufta në tërë RKS, por edhe në Gjilan, si në QKMF dhe SRGJ. Pas një kohe të shkurtër MSH ka bërë eliminimin e këtyre barnave.

Pyetja tjetër për MPMS ka qenë për nivelizimin e pagave të punëtorëve shëndetësor në Institutin Special në Shtime të cilët përkundër punës së rëndë që e bëjnë kanë marrë paga më të vogla se koleget e tyre. Edhe kjo çështje është zgjidhe. Është e pamundur te ceken te gjitha angazhimet në detaje për këto dy vite.

Por edhe diçka që vlen në veçanti të ceket që kemi bërë është Projekti për ngritjen – fuqizimin ekonomik të pozitës së gruas në Komunën e Gjilanit, së bashku me Grupin e grave të Gjilanit (asamblistëve) dhe kolegen time Lirie Kajtazi. Projekti ka të bëjë me krijimin e një zyre e cila do të ndihmoj në inkurajimin e grave që të merën me biznes, promovimin dhe ndërmjetësimin e shitjes se prodhimeve të tyre.

Kryetari i komunës personalisht dhe përmes drejtorive komunale sidomos Drejtorisë për zhvillim ekonomik na ka përkrahur në këtë projekt duke na premtuar sigurimin e zyrës (lokalit). Këtë projekt e kemi dorëzuar në Komisionin parlamentar për Buxhet dhe Financa, kemi premtime se ky projekt do të realizohet me rishikim të buxhetit, shuma e këtij projekti është 64,290.00€

Eco Higjiena

Rajonipress: Si e shihni pozitën e gruas në institucionet qendrore dhe komunale?

Mustafa: Pozita e gruas mund dhe duhet të avancohet, ajo që vlen të përmendet është infrastruktura ligjore e cila i rregullon shumë probleme në aspektin gjinor. Mendoj se falë rregullimit ligjor ne sot jemi të përfaqësuara në nivelin lokal dhe qendror me 30% në kuvendet komunale dhe Parlamentin e Kosovës.

Kemi edhe në ekzekutiv zv/kryeministre, ministre, drejtoresha në Kuvendet Komunale, por kjo nuk mjafton kur kemi parasysh kualitetet dhe kapacitet e grave.

Rajonipress: A mendoni se deputetet e Anamoravës kanë qenë pasive në punën e tyre?

Mustafa: Jo, nuk do të pajtohesha me shtruarjen e pyetjes në këtë formë “konstatimi”, sepse Deputetët në rend të parë janë të Kuvendit të Kosovës të cilët vijnë nga Anamorava, dhe të njëjtit janë të angazhuar në komisione dhe grupe të ndryshme parlamentare dhe secili prej tyre po e jep kontributin e tyre në bërjen dhe në monitorimin e ligjeve, dhe një punë shumë e madhe që bëhet, nuk duket apo nuk e vërehet nga opinioni i gjerë, dhe fitohet përshtypja e pasivitetit vetëm nga seancat e Kuvendit.

Rajonipress: A mendoni se keni mundur më shumë të bëni për të sjellë investime në Gjilan?

Mustafa: Duhet kuptuar detyrën dhe obligimet e pozitës së deputetit që në rend të parë është bërja dhe monitorimi i zbatimit të ligjeve. Lidhur me sjelljen e investimeve për projekte të ndryshme që ndërlidhen me Gjilanin dhe Anamoravën në përgjithësi, unë së bashku me deputetët e PDK-së nga ky rajon, kemi bërë lobim në ndarjet buxhetore si dhe rishikimet që ndërlidhen me to. Por, asnjëherë nuk duhet të kënaqemi me atë që kemi bërë, por përherë duhet të mundohemi të bëjmë edhe me shumë sidomos përfaqësuesit e popullit.

Rajonipress: A pritet të formohet lobi i deputetëve të Anamoravës?

Mustafa: Ne deputetët e Anamoravës për problemet e qytetarëve të kësaj ane bashkëpunojmë , konsultohemi dhe jemi shumë kompakt për zgjidhjen e tyre. Nuk ka pas iniciativë për formimin të një lobi, por veprimet janë të koordinuara. Këtë e dëshmon fakti se amandamentet individuale të bëra nga deputetet janë votuar nga të gjithë pa dallime partiake./rajonipress/