Fundamenti

Mustafa: AKP ka atakuar rënë pronën komunale

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan- Qemajl Mustafa është treguar mjaft kritik ndaj AKP-së, duke thënë se me mënyrën si po i nxjerrë në shitje disa prona komunale, po atakon shumë rëndë zhvillimin e komunës, prandaj i kërkoi KPF që të shprehë shqetësimin e tij si trupë kryesore e vendimmarrjes komunale në rastet e këtyre dy pronave.

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), në mbledhjen e së hënën, të kryesuar nga Izmi Zeka, i ka rekomanduar Kuvendit Komunal shfuqizimin e një vendimi të vitit 2010, që kishte të bënte me ndalimin e shitjes së pronave publike nga AKP-ja, pasi që AKP-ja e ka vënë këtë si kusht për këmbimin e një prone për nevoja të arsimit, të cilën e ka kërkuar kryetari i Komunës së Gjilanit.

Sali Fazliu nga drejtoria e Kadastrës, i cili e ka arsyetuar në KPF propozimin për shfuqizimin e këtij vendimi, ka thënë se është në interesin e Komunës që t`i ruaj raportet e mira me AKP-në, me qëllim të kthimit të disa pronave shoqërore përmes këmbimit, të cilat janë të nevojshme për nevoja zhvillimore.

Raporti me AKP-në ka nxitur debat në KPF. Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës, tha se AKP-ja ka nxjerrë në shitje edhe prona komunale, ndonëse nuk e ka pasur këtë drejtë, ndërkohë që përmendi rastin te ish-“16 Nëntori”, më herët si dhe tani te ish Vetëshërbimi “Pireva”.

Izmi Zeka, kryesues i KPF tha se asnjë pronë nuk duhet të shitet nga AKP-ja pa konsultim me Komunën dhe me kryetarin e saj. Kjo edhe iu kërkua AKP-së nga mbledhja e këtij Komiteti, si pjesë e rekomandimit për shfuqizimin e vendimit të Kuvendit Komunal të datës 09.07.2010.

Edhe Sadudin Berisha vlerësoi se AKP, pas luftës është sjellë sikur të ishte një super-qeveri, kompetencë kjo që i është lënë edhe pas shpalljes së pavarësisë së vendit, prandaj komunat nuk kanë mundësi të bëjnë asgjë në këtë raport, derisa AKP vepron në përputhje me ligjin, ka thënë ai.

Një çështje tjetër që ka marrë mjaft vëmendje në këtë mbledhje, kanë qenë edhe propozimet për emërtimin e disa shkollave të reja, për çka u vendos që të hapet një debat në KPF dhe pastaj propozimet konkrete, ku do të përfshihen edhe këshillat e shkollave, përmes Drejtorisë së Arsimit t`i dërgohen MASHT-it.

Bujar Nevzati, drejtor komunal për Arsim, ka kërkuar që të përshpejtohet procedura e emërtimit të shkollave të reja, në mënyrë që kjo të bëhet para përfundimit të këtij viti shkollor.

Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës theksoi se Udhëzimi Administrativ për këtë çështje, në njëfarë mënyre i përjashton komunat nga proces, prandaj duhet të kërkohet ndryshimi i këtij akti nënligjor, sepse emërtimi i shkollave nuk është më pak i rëndësishëm se emërtimi i rrugëve, ku komunat janë përgjegjëse, por edhe për arsyen se duhet të harmonizohet me Ligjin mbi Vetëqeverisjen Lokale.

RCCOLA

Anëtarët e KPF u pajtuan se duhet të merren parasysh emrat meritorë nga shkenca për emërtime të shkollave, duke thënë se të tilla ka mjaft në Gjilan, por edhe jashtë tij, nëse është e nevojshme, sikurse që në parim u pajtuan që në një fazë tjetër të bëhet një rishikim edhe i disa emërtimeve aktuale të shkollave.

Komiteti e ka rekomanduar për KK edhe raportin financiar për periudhën janar-mars 2012, ndërkaq nga drejtori i Financave, Nuhi Nuhiu është njoftuar se pagesat e komisioneve, për periudhën deri në dhjetor të vitit të kaluar do të kryhen brenda qershorit të këtij viti.

Izmi Zeka ka kërkuar nga drejtoritë komunale që t`i ekzekutojë vendimet e Kuvendit Komunal, ndërkohë që KPF është pajtuar që kompensimin për anëtarët e komisionit për partneritet publiko-privat dhe të komisionit për akte normative t`i zbres në 40 euro, nga 70 euro, sa ishin deri tani, ndërkohë që në Kuvend do të vendoset për standardizimin e vlerave të kompensimit për komisione.

Gjithashtu u rekomandua për Kuvend Komunal edhe Projekt-Rregullorja për shërbimet publike, e cila, siç tha Azem Mujku nga drejtoria e Shërbimeve Publike, është përgatitur në bashkëpunim me ekipin EULOG për të gjitha komunat e Kosovës, por janë marrë parasysh edhe specifikat e komunave.

Me kërkesën e opozitës, u vendos që të projekt-rregullorja, të rishikohet ndërkohë edhe nga komisioni për akte normative dhe të harmonizohet në ndonjë pjesë të saj, nëse vlerësohet e nevojshme.

Në këtë takim, KPF ka rekomanduar për Kuvend Komunal edhe propozimin për ndarjen e bursave për tetë studentë të kësaj komune, të cilët studiojnë në Itali, në shkallën master, pasi bëhet fjalë për profesione deficitare dhe është një investim që i kthehet në mënyrën më të mirë Gjilanit.

Për Kuvend Komunal është rekomanduar edhe propozim-vendimi për dhënien e pëlqimit për ndërrimin e një pjese të pronës komunale me një pjesë të pronës private në lagjen “Zabeli i Sahit Agës”.

Po ashtu KPF vendosi që të ulë çmimet fillestare të shitjes në projektet e partneritetit publiko-privat për 30 për qind te objekti në afërsi të Kombinatit të Duhanit, përkatësisht për 40 për qind te objekti që po ndërtohet te Kadastra. /rajonipress/