ARKATANA

Muri si rrogoz

/ 7 minuta lexim
KKVITI

Nga Ibrahim Rexhepi – Muri në Mitrovicë për dy muaj u përdor si rrogoz për të futur nën të problemet me të cilat nuk po duan të ballafaqohet Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet e tjera shtetërore.

Asnjë problem tjetër nuk ka ky vend- mos murit ndarës i ngritur dy muaj më parë në Mitrovicë. “U kallën” portalet dhe rrjetet sociale. Muri paska filluar të rrënohet , pas një marrëveshje të arritur me mund në natën në mes të premtes dhe të shtunës. Zhurmë, që me sa mbaj mend nuk ishte kaq e madh as kur u rrënua Muri i Berlinit, ndonëse rënia e tij kishte rëndësinë globale.

Një zhurmë e këtillë është bërë edhe me rastin e trenit me ikonografi nacionaliste i nisur nga Beogradi, e që përfundoj në Rashkë.

Tek e fundit, si rënia e murit në Mitrovicë, ashtu edhe ndalja e trenit kanë kuptimin dhe rëndësinë e vet, por kjo nuk do të thotë se me këto dy akte u tejkaluan problemet me serbët në Kosovë, por as ato në relacion me Beogradin. Ato sërish do të dalin në sipërfaqe me tërë agresivitetin e manifestuar deri më tani, por ndoshta në forma të tjera. Kjo ka mundësi të ndodhë, meqenëse pushteti i Qeverisë së Kosovës ende nuk është shtrirë matanë Urës së Ibrit, ndërsa këmbëngulësia dhe muskujt e manifestuar me rastin e trenit nuk e kanë shtyrë Serbinë që të ndryshoj qasjen, mjetet dhe qëllimin që ka ndaj Kosovës. Kjo u pa edhe në dy takimet e fundit në Bruksel. Prandaj, do të kuptohej si mençuri sikur Qeveria e Kosovës këtë “time-out” ta shfrytëzoj me qëllim të krijimin të qasjes së re ndaj këtyre probleme që ende janë shumë larg zgjidhjes.

Zhurma rreth murit dhe trenit ishte një moment i mirë për institucionet shtetërore të Kosovës, meqenëse tash e dy muaj u harruan problemet e tjera jetike me të cilat ballafaqohet ky shtet dhe banorët e tij. Nuk ishte shqetësues as fakti se buxheti për vitin 2017 është miratuar në heshtje dhe me plot defekte; nuk po manifestohet asnjë brengosje se po zvarriten projektet në energjetikë, pa të cilat as që mund të flitet për zhvillim e punësim; askujt nuk po bëhet vonë pse tash e sa vjet nuk po zbatohet ligji për sigurimet shëndetësore, pa marrë parasysh se qytetarët e këtij shteti po vdesin në mungesë parasë për trajtim mjekësorë dhe për ilaçet e nevojshme; asnjëri prej zyrtarëve të këtij shteti nuk u shqetësua pse Kosova ende qëndron lart në listën e Transparency International dhe e parafundit në listën e PISA-s; madje, nuk është brengosës as fakti se në kohën kur bëhej zhurmë për trenin e murin, nuk u ndal trendi i importit të mallrave nga Serbia- një milionë euro secilën ditë !

FIDANISHTJA

Pra, duket qartë se muri u përdor si rrogoz për të futur nën të problemet reale me të cilat do të ballafaqohet vendi edhe për shumë vite, meqenëse ato janë të rënda dhe nuk mund të zgjidhen brenda një dite dhe me dekrete qeveritare. Duhet seriozitet, punë, përkushtim e konsistencë, të cilat nuk po duken se i janë virtyte të këtij pushteti.

Për këtë ka përplot dëshmi. Po, e vërtetë është se Kosova vjet kishte një normë të lartë të zhvillimit ekonomik, por në të njëjtën kohë vazhdon varfëria e lartë dhe papunësia, nëse të gjitha këto vështrohen përmes një prizmi më real, e jo të atij të Ministrisë së Punës dhe të Mirëqenies Sociale. Është pak e besueshme që norma e papunësisë të jetë vetëm 26.2 për qind, kur nuk a asnjë investim serioz që ndodhi në vend, kur projektet serioze po dështojnë njëri pas tjetrit,kur investimet e huaja , ndonëse mjaft të larta krahasuar me periudhat e mëhershme, mbeten të orientuara në sektorët që nuk garantojnë zhvillim të qëndrueshëm dhe punësim, kur eksporti po bie, importi po rritet, ndërsa deficiti tregtar asnjëherë nuk ka qenë më i lartë, e shkalla e mbulesës më e ulët, politikat fiskale nuk po japin efektin pritur te qytetarët, ndonëse është thënë se atoi qytetarët do t’i vërejnë pas pak vitesh. Shifrat e papunësisë demantohen edhe nga Trusti i Kursimeve Pensionale, meqenëse numri i llogarive aktive në fund të dhjetorit të vitit 2016 ishte vetëm 6.2 për qind më i lartë se një vit më parë dhe kjo ka ndodhur për shkak të nxjerrjes së të punësuarve nga informaliteti, e jo pse janë hapur vende të reja të punës.

Të gjitha këto janë të ndërlidhura me imazhin që kjo qeveri e ky pushtet përballë qytetarëve të saj, si edhe shteti i Kosovës karshi faktorit ndërkombëtar- investitorëve. Asnjëri prej tyre nu investon në një vend jostabil dhe i mbytur nga korrupsioni dhe mungesa e shtetit ligjor. Prandaj, nuk duhet poritur mrekulli, pa marrë parasysh premtimet që po i dëgjojmë, apo se ato do të tejkalohen pas dekretimit të Ligjit për Investimet Strategjike. Premtimet janë të kota përderisa nuk bëhet spastrimi i brendshëm nga bartësit e të keqes- korrupsiont dhe zhvatjes, si edhe të atyre që shtetin trajtojnë si pronë private. Për një luftë të këtillë nuk a disponim politik, e më së paku do të këte gjatë këtyre dy vjetëve, meqenëse ato janë vitet zgjedhore. Në mes të rehatisë që ofron pushteti dhe luftës ndaj të keqes, partitë nga koalicioni qeverisës kanë zgjedhur këtë të parën.

Dhe, përderisa nuk kemi një shtet e pushtet funksional dhe që jep shpresë qytetarëve të tij, ndërsa në botë reflekton reflekton seriozitet, konsistencë dhe vizion të qartë, nuk mund të flitet për stabilitet. Nuk mund të thuhet se problemet në relacion me serbët vendorë dhe me Serbinë janë tejkaluar me ndaljen e trenit dhe rrënimin e murit, për cka liderët po i krijojnë lavde vetvetes, dhe, ndoshta do të kërkojnë edhe dekorata për këto. Por, problemet mund të përsëriten, meqenëse mungon qasja joshëse dhe më konstruktive ndaj serbëve të veriut. Nuk mjafton vetëm kërkesa që ata të respektojnë ligjet e këtij shteti, të integrohen dhe do të përfitojnë të gjitha të mirat. Në dokumentet qeveritare nuk duket asnjë projekt i rëndësishëm që ajo ka në plan të implementoj në pjesën veriore të vendet. Madje, as ndonjëri që mund të lidhet me “Trepçën”, për të cilën ende nuk ka as strategji. Prandaj, zgjidhja e problemit është ende larg, ndërsa zhvillimet e fundit në veri ka gjasë që të jenë pjesë të koncesioneve , apo të lojës “çfarë bënë ti për mua, që unë të bëjë për ty”.

Të presim pak ditë dhe do të dalin në shesh krejt marrëveshjet dhe koncesionet. Sa do që në politikë janë të kuptueshme këto instrumente, por përherë janë të papranueshme nëse ato shkojnë në dëm të interesave të përgjithshme dhe të synimeve strategjike që ka shteti.