Murati reagon ndaj kritikave të opozitës për tenderët, thotë se Prokuroria Speciale po lufton Kurtin dhe jo korrupsionin
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj kritikave të opozitës për procedurat e prokurimit të realizuara përmes metodës së negociuar, duke i quajtur ato shpifje dhe manipulim.
Murati përmes një postimi në Facebook, tha se këto akuza janë pjesë e një fushate propagandistike të opozitës, që synon të dëmtojë reputacionin e Qeverisë Kurti.
“Tash e disa muaj keni dëgjuar nga opozita shpifje dhe propagandë për prokurimin që bëhet përmes procedurave të negociuara. Në prononcimet e tyre, kontratat me procedurë të negociuar ata i quajnë gabimisht dhe qëllimshëm, herë kontrata njëburimore, e herë tenderë sekretë, duke përdorur shifra të mëdha dhe flasin për keqpërdorime për të krijuar përshtypjen te publiku se këtu me të vërtetë duhet të ketë diçka”, ka shkruar Murati.
Ministri theksoi se prokurimi me procedurë të negociuar është një praktikë e parashikuar dhe e ligjshme në Ligjin për Prokurimin Publik, në nenet 34 dhe 35.
“Nuk ka asgjë të paligjshme kur një autoritet kontraktues përdor këtë metodë, për aq sa plotësohen kriteret e kërkuara me ligj,” u shpreh ai, duke shtuar se lloji i procedurës së prokurimit nuk përcakton nëse ka korrupsion apo jo.
Ministri kritikoi gjithashtu përdorimin e shifrave nga opozita, duke i cilësuar ato si një përpjekje për të manipuluar opinionin publik.
” Shifrat e përdorura në kuadër të propagandës, për numrin e kontratave me procedurë të negociuar dhe vlerën e tyre, përfshijnë të gjitha institucionet – qeverinë qendrore, institucionet e pavarura, komunat, dhe ndërmarrjet publike. Përdorimi i këtyre shifrave, duke thënë se janë qindra miliona euro dhe mijëra kontrata, është manipulim për të krijuar përshtypjen se kemi të bëjmë me një keqpërdorim të madh”, tha ai.
Murati e përmendi gjithashtu faktin se vitet e kaluara kanë shënuar nivele më të larta të përdorimit të kësaj metode, duke përmendur vitet 2008 dhe 2015, kur në qeverisje ishte koalicioni PDK-LDK.
“Në vitin 2008 dhe 2015, me qeverisje të koalicionit PDK-LDK, niveli i kontratave me procedurë të negociuar ka qenë më i larti, përkatësisht 19.9% dhe 16.1%,” tha ai, duke shtuar se në vitin 2015, kur ky proces ishte në kulmin e tij, ministre ka qenë deputetja Hykmete Bajrami, kishte pasur një rol të rëndësishëm në qeverisjen e atij viti.
Në fund, Murati e kritikoi ashpër Prokurorinë Speciale, duke thënë se ajo nuk është e interesuar të hetojë periudhën kur është përdorur më së shumti procedura e negociuar.
“Prokuroria Speciale nuk është e interesuar ta luftojë krimin dhe korrupsionin, por është e angazhuar për të luftuar Albin Kurtin, për t’ia bërë argatin opozitës” tha ai, duke i cilësuar kërkesat për dokumentacionin mbi “kontratën njëburimore” si një mënyrë për të manipuluar hetimet. /Telegrafi/