Muaji prill i “sikletshëm” për Daut Xhemajlin

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Daut Xhemajli aktualisht zëvendësministër i Drejtësisë dhe këshilltar komunal i PDK-së në Viti ka të ngritura dy aktakuza për shpërdorim të pozitës zyrtare. Xhemajli pritet të ballafaqohet për këto aktakuza në muajin prill para gjykatësit Afrim Shala dhe Emine Salihu.

Daut Xhemajli edhe pse ka pozitën e njeriut të dytë në hierarkinë e Ministrisë së Drejtësisë, aty ku edhe duhet të merret e jepet shembulli për zbatim të ligjeve kosovare, është pikërisht ai që ka dy përballje dhe dy aktakuza të ngritura nga Prokuroria Themelore e Gjilanit për veprat penale “shpërdorim i pozitës zyrtare”, raporton rajonipress.

Në Gjykatën Themelore në Gjilan thanë se gjykimi ndaj Daut Xhemajlit pritet të fillojë kah muaji prill, derisa ai do të përballet para trupit gjykues që kryesohet në rastin e parë nga gjykatësi Afrim Shala dhe në rastin e dytë nga gjykatësja Emine Salihu.

Në aktakuzën e parë që e ka ngritur prokurori Shaban Spahiu pranë Prokurorisë Themelore në Gjilan ( 24.09.2013), Departamenti për krime të rënda, Daut Xhemajli dyshohet se më 04.12.2008, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për veti apo për organizatën e biznesit, ka shpërdorë pozitën zyrtare apo autorizimin në atë mënyrë që duke qenë në pozitën e shefit të administratës së përgjithshme dhe personelit në Komunën e Vitisë, ka nxjerr vendimin me të cilin ka liruar nga pagesa e qerasë mujore në vlerë të 1090 eurove për katër muaj barnatoren “Galemi Pharm”, me çka të dëmtuarës komunës së Vitisë i ka shkaktuar një dëm material prej 4.360 eurove.

Uji Dea

Në këtë aktakuzë Xhemajli akuzohet dhe për një dëm tjetër që i ka shkaktuar Komunës së Vitisë, duke mos u kujdesur për implementimin e obligimeve kontraktuese për firmën “Elita” duke i shkaktuar një dëm komunës në vlerë të 6.834 eurove.

Në këtë aktakuzë është i dyshuar edhe Florim Ramaj si kryetar i komisionit për vlerësimin dhe pranimin e investimeve. Rreth këtyre dyshimeve të cituara në aktakuzë Daut Xhemajli ka mohuar përgjegjësinë.

Edhe në aktakuzën e dytë të ngritur nga prokurori Isuf Sadiku për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, Daut Xhemajli, në cilësinë e ish shefit të administratës dhe Personelit në Komunën e Vitisë, dyshohet se me qëllim të shkaktimit të dëmit për personin tjetër ose për organizatën e biznesit, shpërdoron pozitën e tij zyrtare duke tejkaluar detyrat zyrtare, në atë mënyrë që shkel legjislacionin përkatës të Ligjit të prokurimit duke lidhur kontratë për punë ka zhvilluar aktivitetet e prokurimit në vlerë prej 7.936.13 euro me kompaninë “Kristal” nga Vitia.

Edhe në këtë aktakuzë Daut Xhemajli e ndien vetën të pastër. Në prokurori Xhemajli ka thënë se nuk e ndjen vetën fajtor për veprën penale që i vihet në barrë dhe mendon se ka vepruar në suaza të dispozitave ligjore dhe se sipas tij të gjithë dokumentacionin e ka kontrolluar dhe se të gjitha kanë qenë në rregull. /rajonipress/