MTL me Kinën!
Nga Ibrahim Rexhepi – Marrëveshjet për tregti të lirë kanë goditur prodhimin vendor. Bilanci tregtar dhe gjendja e prodhimit vendor i sugjerojnë qeverisë së Kosovës që të heqë dorë nga koncepti i globalizimit , përkatësisht i arritjes së MTL-ve me secilin shtet.
Kosova është përballë dy marrëveshjeve për tregti të lirë. E para, dhe më e rëndësishmja është me Bashkësinë Evropiane, e cila do të jetë fryt i procesit të negocim – asociimit. E dyta është ajo me Turqinë, e cila është paralajmëruar se do të nënshkruhet në fillim të vitit të ardhshëm. Po ashtu shteti ynë është anëtare e CEFTA-s, përkatësisht e rajonit të marrëveshjes ku tetë vende të rajonit bëjnë tregti të lirë.
Përparësia e këtyre dokumenteve është e qartë – mundësojnë qarkullim të mallrave pa barriera doganore. Do të thotë se edhe konsumatorët mund të blejnë mallra 10 për qind më lirë, aq sa është taksa doganore. Një matematikë e thjeshtë tregon se po të kishim MTL me të gjitha vendet prej nga bëhet importi, atëherë vjet konsumatorët do të kursenin mbi 250 milionë euro. Në të njëjtën kohë, minuset që do të kishte buxheti do të kompensoheshin në forma të tjera, e më e mira do të ishte përmes rritjes së blerjeve të produkteve vendore.
Por, Kosova është larg nga këto matematika, meqenëse përftimet më të mëdha i kanë shtetet me ekonomi të fuqishme, meqenëse zgjerojnë tregun, përkatësisht rrisin eksportin. Në këtë rast, atyre Kosova iu shërben si treg ku nuk hasin në konkurrencën vendore.
Raportet dëshmojnë qartë se sa keq është vendi në raport me shtetet me të cilat ka MTL. Në total vjet minusi në bilancin tregtar ishte afër 2,3 miliardë euro. Bilanc i njëjtë po vazhdon edhe sivjet. Në tre muajt e parë të vitit importi ishte më i madh se eksporti për 424 milionë euro. Në vendet e BE-së eksporti ishte 28 milionë euro, prej të cilave vetëm në Itali – 19 milionë euro, ndërsa importi 238 milionë euro. Sado që vëllimi i qarkullimit me vendet e CEFTA-s është më i vogël, megjithatë edhe këtu minusi është i madh – 143 milionë euro.
Që të gjitha këto shifra tregojnë qartë pozitën jo të favorshme të Kosovës në raport me partnerët tregtar të jashtëm, veçanërisht me ato të CEFTA-s. E keqja tjetër vjen nga fakti se mallrat që vijnë nga këto vende në mënyrën më të vrazhdë i konkurrojnë prodhimit vendor, i cili në të shumtën e rasteve importon lëndë të parë dhe material riprodhues, i cili nuk është i liruar nga ngarkesat doganore. Kjo ia ulë aftësinë konkurruese në raport me importet.
Në të ardhmen, njësoj do të ndodhë edhe në raport me Turqinë, e në importin e përgjithshëm të Kosovës merr pjesë 7,7 për qind, e që ka tendencë të rritjes së mëtejme. Sipas kësaj logjike, Kosovës tani i ka mbetur të bëjë MTL vetëm edhe me Kinën, e cila është shumë agresive në eksport. Nga ky vend për tre muajt e parë të vitit janë realizuar 7,2 për qind të importeve. Madje, edhe këtu ka rritje tejet të shpejtë, ndonëse këto mallra edhe më tej do të kenë ngarkesë doganore, meqenëse Kina është njëri prej kundërshtarëve më të madhej të pavarësisë së Kosovës.
Krejt këto janë ilustrimet më të mira për faktin se sa të hershme janë aspiratat për tregti të lirë. Kosova, bazuar në kornizat e këtyre dokumenteve, nuk mund të jetë partner i barabartë. Por, bazuar në dokumentet qeveritare, ajo as që e ka këtë aspiratë, meqenëse buxheti, por edhe politikat investuese të Qeverisë së Kosovës mbështeten në të hyrat nga doganat, të cilat marrin pjesë 65-70 për qind.
Për situatat kur ekonomisë vendore, por edhe konsumatorit i duhet një përkrahje më e fuqishme dëshmon historia e SHBA-ve. Në vitin 1879 ky shtet miraton raportin e ashtuquajtur “Mbi çështjet prodhuese”. Sipas tij, industria në fillimet e saj ka nevojë për mbrojtje dhe subvencione qeveritare para se të hynte në konkurrencë me prodhimet e vendeve të zhvilluara.
Sado që tash jemi në kohën e globalizimit, megjithatë, Qeveria e Kosovës mund të huazojë diçka edhe nga ky dokument i historisë amerikane.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)


