Fundamenti

Mrekullia e dytë

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Albin Kurti – Në këto gjashtë vite pas shpalljes së pavarësisë, qeveritarët kosovarë ua kanë mbushur mendjen shumë qytetarëve (e mbase edhe vetvetes së tyre) se zhvillimi ekonomik i Kosovës vjen e do të vie përmes investimeve të huaja. Kësisoj, pritja e zhvillimit ekonomik dhe durimi deri tek ai, ishin pritje e durueshme e qytetarëve për investitorët e huaj që do të zbarkonin një ditë në Kosovë me paratë e tyre duke themeluar e aktivizuar ndërmarrje të reja dhe që hapin vende të reja pune për armatën tashmë të vjetër të të rinjëve të papunë.

Natyrisht, imazhi kishte strukturën e gatshme që duhej plotësuar me përmbajtje të re: ashtu sikurse që NATO-ja erdhi nga qielli me avionët e bombat e saj për të na shpëtuar si njerëz (nga vrasja), edhe investitorët e huaj do të vijnë një ditë për të na shpëtuar si qytetarë (nga skamja). Herën e parë kishim një mrekulli që ndodhi para syve tanë dhe tash po bëhemi gati që mrekullia të përsëritet tamam sikurse në fillet e kinemasë para shumë dekadave kur njerëzit qëndronin në errësirën e sallës duke pritur fillimin e projeksionit të filmit në perden e qetë përpara.

Veçse këtu harrohet kolektivisht një detaj shumë i rëndësishëm që e shpërbën këtë analogji por jo duke e pamundësuar tërësisht atë. Intervenimi i NATO-s kundër forcave të Jugosllavisë erdhi vetëm pas luftës së UÇK-së, vetëm pasi që shqiptarët e Kosovës u organizuan për rezistencë të armatosur që me shpejtësi dhe sigurtë po merrte përmasat e një kryengritje gjithëpopullore. Pra, ndërhyrja nga jashtë për të na shpëtuar si njerëz nuk erdhi pse ne e prisnim atë por për shkak se kishim vendosur që të mos prisnim më si qytetarë e si shqiptarë (që nuk lejoheshim të ishim).

Ngjashëm, Kosova do të mund ta përjetojë edhe ‘mrekullinë’ e dytë, pra investimet e huaja në ekonominë tonë e për zhvillimin e saj, vetëm nëse sërish e përsëri angazhohemi vetë dhe nuk presim. Mrekullia vjen pikërisht pse nuk e beson dhe atëherë kur ke vendosur të mos presësh e të mos durosh më, atëherë kur përpiqesh ta bësh vetë atë që do dhe në finish edhe ndihmohesh e përkrahesh nga jashtë. Duke e pritur mrekullinë ajo mbetet e tillë, pra mrekulli, dhe nuk vjen fare (duke t’i djegur kështu sytë e hapur dhe duke t’i tharë duart e mpira).

UBT

Sikurse çlirimi politik, edhe zhvillimi ekonomik, janë çështje të brendshme të një kombi e një shteti, të një shoqërie dhe një qytetarie. Kot dikush dëshiron t’i konsiderojë ato punë të jashtme a që vijnë prej jashtë. Nismëtar dhe bartës të zhvillimit ekonomik të vendit tonë duhet të bëhemi vetë ne ashtu qysh ishim nismëtar dhe bartës të luftës çlirimtare. Më pastaj, serioziteti dhe sinqeriteti ynë në ndërmarrjen tonë do të shkaktojë edhe mbështetje prej jashtë që ia shton vlerën e shpejtësinë asaj që bëjmë e për atë që duam ta arrijmë dhe realizojmë.

Në fakt, për dallim prej qeverisë kjo është kuptuar bukur mirë prej ndërmarrësve të shumtë të Kosovës. Nga të gjitha bizneset e reja në tremujorin e katërt të vitit 2013, sipas prejardhjes së kapitalit, Agjensioni i Statistikave të Kosovës (ASK) na tregon që 1795 sosh janë nacionale (apo 99,45%) kurse vetëm 10 janë të huaja (apo 0,55%). Ka aq shumë qytetarë të Kosovës që përpiqen në ekonominë kosovare sepse e dinë që pa punë vetanake nuk ka përparim e mirëqenie. Çështja është që këtë gjë nuk e ka kuptuar ende qeveria e Kosovës dhe vështirë ta kuptojë ndonjëherë për shkak të botëkuptimit të saj të gabueshëm mbi atë se si ndodh zhvillimi ekonomik i një vendi.

Investimet e huaja e ndjekin zhvillimin vendor dhe nuk i paraprijnë atij. Në rrafshin botëror, dihet se 90% të Investimeve të Huaja Direkte (IDH) shkojnë në vendet tashmë të zhvilluara. Nuk bëhesh joshës për zhvillim nga jashtë por zhvillimi nga brenda të bën joshës për investime të huaja. Sipas një studimi të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GSPJ), IHD në Kosovë kanë rënë nga 440,7 milionë euro (në vitin 2007) në 232 milionë euro (në vitin 2012). Pra, autostradat e shtrenjta të Bechtel & Enka nuk e rrisin nivelin e IHD-së në Kosovë. Ato konsistojnë shumë më tepër te lehtësimi i qarkullimit të kapitalit (në kuadër të rritjes enorme të deficitit tregtar) sesa te akumulimi i kapitalit (që mungon për shkak se nuk ka ekonomi prodhuese).

Gjithnjë sipas statistikave të ASK-së, që prej vitit 2005 e deri në ditët e sotme, numri i kilometrave të rrugëve magjistrale (630,4 km) dhe regjionale (1.294,7 km) në Kosovë ka mbetur identik, ndërkaq është rritur vetëm gjatësia e rrugëve ndërkombëtare nga zero në 80,4 km! Transporti hekurudhor vazhdon të jetë i mjerë: me vetëm 8 lokomotiva Disell dhe 27 vagona gjithsej, 9 të udhëtarëve dhe 18 për bagazh. Pra, edhe vetë faktet numerike të infrastrukturës rrugore dhe të karakterit të saj – e që përbëjnë mburrjen kryesore të qeverisë së Kosovës – vetëm sa e dëshmojnë modelin e gabuar (jo)ekonomik në Kosovë. Ky model e mban përgjithmonë Kosovën si vend tranzit të zhvillimit të të tjerëve, kurse popullin e saj e ngujon në spektatorë të dinamikave ekonomike gjithnjë të të tjerëve, në spektatorë syhapur e me duar të mpira.