Mosbesuese ndaj ekonomisë

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Bankat në Kosovë janë deklaruar se nuk po i besojnë situatës se përgjithshme ekonomike në vend. Kjo ka dalë të jetë arsyeja se pse i kanë shtrënguar se fundi kriteret për dhënien e kredive. Sipas raportit të fundit të BQK’së, më së shumti nga kjo janë prekur ndërmarrjet ekonomike.

Bankat komerciale nuk po i besojnë situatës së përgjithshme ekonomike në Kosovë. Si pasojë, ato i kanë shtrënguar edhe më shumë standardet dhe kriteret për dhënien e kredive.

Në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, për tremujorin e katërt të 2012-së bankat janë deklaruar vetë se nuk po i besojnë situatës se përgjithshme ekonomike në vend.

“Bankat raportuan shtrëngim të standardeve dhe kritereve të aplikuara në procesin e kreditimit për të dyja kategoritë. Sipas bankave, faktorët kryesorë që ndikuan në këtë shtrëngim ishin perceptimi negativ nga ana e bankave për gjendjen e përgjithshme ekonomike”, thuhet në këtë raport të BQK-së.

Sipas këtij raporti, me qëllim të përmirësimit të performancës si dhe menaxhimit të rrezikut në periudha afatgjate, disa nga bankat u fokusuan në zvogëlimin e gjithsej aseteve. Pavarësisht faktit se norma e rritjes së depozitave ishte më l lartë se norma e rritjes së kredive, bankat u treguan më të kujdesshme në kreditimin e ekonomisë.

“Në TM4 depozitat e sistemit bankar arritën në 2.27 miliardë euro duke shënuar rritje prej 3.8 për qind krahasuar me TM3. Kreditë regjistruan rritje prej 0.2 për qind, duke arritur në 1.76 miliardë euro, që paraqet një rritje të lehtë krahasuar me TM3 kur rritja ishte negative”, thuhet aty.

Eco Higjiena

Gjatë gjithë vitit 2012, bankat ishin më të orientuara në kreditimin e ekonomive familjare krahasuar me kreditimin e ndërmarrjeve, ku mund të vërehet se kreditimi për ndërmarrjet shënoi rritje vjetore prej vetëm 3 për qind, krahasuar me rritjen vjetore prej 6.2 që e regjistroi sektori i ekonomive familjare. Statistikat e raportuara nga bankat mbështeten edhe në rezultat e anketës së realizuar nga BQK-ja me bankat të cilat operojnë në Kosovë.

“Bazuar në rezultatet e anketës, gjatë gjithë vitit 2012, del se bankat raportuan ulje të kërkesës për kredi nga ndërmarrjet, ndërsa rritje të kërkesës nga ekonomitë familjare. Po ashtu, bankat raportuan shtrëngim të standardeve dhe kritereve të aplikuara në procesin e kreditimit për të dyja kategoritë. Sipas bankave, faktorët kryesorë që ndikuan në këtë shtrëngim ishin perceptimi negativ nga ana e bankave për gjendjen e përgjithshme ekonomike”, tregon raporti.

Sa i përket lëvizjes së normave të interesit, u karakterizua me rënie për kreditë, ndërsa normat e interesit në depozita shënuan ngritje në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Norma mesatare e interesit në kredi u zvogëlua nga 14.1 për qind në dhjetor 2011, në 13.4 për qind në dhjetor 2012.

Ndërsa, norma mesatare e interesit në depozita u ngrit nga 3.5 për qind në 3.6 për qind gjatë periudhës në fjalë. Si rrjedhojë, dallimi në mes të normave të interesit në kredi dhe depozita u zvogëlua në 9.8 pp, nga 10.6pp sa ishte në dhjetor 2011.

Sipas raportit të BQK-së, në përgjithësi performanca e sistemit bankar në Kosovë vazhdon të jetë pozitive, mirëpo vërehet dobësim i indikatorëve të profitabiletit krahasuar me periudhën paraprake. Gjithsej profiti i sistemit bankar për vitin 2012 pothuajse u përgjysmua në 19.2 milionë euro nga 36.6 milionë euro sa ishte në fund të vitit 2011. Nga gjithsej 9 banka sa operojnë në Kosovë, 5 raportuan profit neto pozitiv, ndërsa 4 raportuan profit neto negativ. Ndikim kryesor në uljen e profitit të sistemit bankar kishte përkeqësimi i portfolios kreditore, gjë që u reflektua në rritjen e shpenzimeve për mbulimin humbjeve nga kreditë joperformuese me provizione.(express)