Fundamenti

Mos u tutni, LDK e Gjilanit dëshmoi se i beson pozita të larta gruas!

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Shpresa Kurteshi – Është e vërtetë që qeverisjes së re të krijuar ju deshën dy muaj kohë që në një formë apo tjetër do të kompletohet. Ndërsa, gjatë kësaj periudhe kohore u dëgjuan zëra nga më të ndryshmit, të cilët gjoja se shqetësoheshin shumë për gjendjen e krijuar. Në fakt, duket se i shqetësonte më shume fakti se nuk mundeshin edhe nuk po munden me i ra n’fije Lutfi Hazirit, e po mos i thënçin lider atij që lehtë mundesh me i ra n’fije!

Për t’i lexuar ideologjitë, më pëlqen kogja shumë… Por, kur i përkthejmë dhe i krahasojmë me realitetin, na del një paradoks i llojit të vet.

Nuk jam ndonjë eksperte e politikave lokale, por nuk do të thotë se nuk marrë vesh në to, aq sa kam mësuar nga përvoja e viteve të kaluara.

Një pushtet, gjurmët e të cilit ende freskët po na ndjekin me të bëmat e të pabëmat e tyre, nuk e mohoj se më vije mirë që disfata e thellë e pësuar, sado pak i zgjoi nga gjumi dhe amullia qe i kishte kapluar, tash po e vërejnë qarte se: ‘çka asht dashta me u ba e çka jo’… Mes të tjerash, sa mirë që më në fund u kujtuan të flasin për pozitën e femrës në institucione!

Pa e pasur ndërmend, më nxiti të reagoj kolegia ime e mandatit e kaluar ne KK, dikur në pozicionin e pozitës, që u pa prej avioni se në mënyrë flagrante ka shkelur Ligjin për Barazi Gjinore.. E vërtetë që kemi reaguar e kritikuar, me fokus të veçantë, çështjen e trajtimit të barabarte gjinorë në institucione, duke përfshirë edhe LDK-në, dhe si rezultat i këtyre reagimeve kemi arritur të bëjmë ndryshim në përbërjen e komiteteve, përveç në atë për Politike dhe Financa dhe Komitetit për Komunitete, por nuk do të thotë se nuk do të kritikojmë tutje veç se tash i përkasim taborit pozitar. Femra, gjithmonë në veprimin tonë politik ka pasur një rëndësi të veçantë dhe do ta ketë.

KKVITI

LDK-ja, tashmë ka një femër e cila udhëheq Kuvendin Komunal ne Gjilan (nuk po vetknaqemi), për dijeni të atyre që harruan, Kuvendi është organi më i lartë vendimmarrës dhe që nga paslufta e deri më sot është hera e parë që një gruaje në Gjilan i besohet një pozitë e tillë. Dhe, për femrën në përgjithësi të drejtojë një institucion të tillë, është punë e madhe.

Nuk e di çka t’i them kësaj pune?! Po të kishte vepruar më mirë qeverisja e shkuar, dhe kritikat e tyre sot do të zinin vend dhe ndryshe do të merreshin parasysh, por nuk na lanë ndonjë histori të mire dhe nuk konsideroj se na shërbejnë si shembull, e aq më pak për pozitën e femrës në vendimmarrje.

Drejtoritë komunale nuk i voton asambleja komunale. Janë emërime politike. Këtë të drejtë e ka ekskluzivisht Kryetari i Komunës. Në rregull, por nuk do të thotë se nuk duhet të ketë më shumë femra në ekzekutiv. Por, kur jemi te interesat e përgjithshme të femrave dhe përbërjet e komiteteve, thërras të gjitha gratë këshilltare, partitë politike, në veçanti shefat e grupeve parlamentare dhe Kryesuesen e Kuvendit që të angazhohen që femra të jetë e pozicionuar në mënyrë të merituar, dhe duke respektuar Ligjin për Barazi Gjinore.

Shoh se miqtë e mi i shqetëson mendimi se ‘në LDK femra nuk ka hapësirë të veproj’, por për këtë ju siguroj se nuk është e vërtetë. Rrini të relaksuar! Ne po punojmë dhe jemi në rrugë të mirë. E them këtë sepse, nuk kam njohur ndonjëherë qeverisje pa defekte deri tani, as LDK-ja nuk është e pagabueshme, por, kemi dhënë dhe duhet ta mbajmë premtimin publik që të punojmë dhe sa më pak të gabojmë.

Prandaj, mos u ngutni, ne sapo kemi filluar!