Uji Dea

Mos iu besoni për SHIK’un

/ 6 minuta lexim

Nga Imer Mushkolaj – LDK thotë se veprimtarinë e SHIK’ut do ta hetojë kur të vijë në pushtet. Por një gjë të tillë nuk e bëri mandatin e kaluar qeverisës, kur e kishte pushtetin. Përkundrazi, i dha fuqi politike ish-shefit të SHIK’ut, duke e zgjedhur kryetar Kuvendi. Për çfarë po flet tash LDK? Në njërën anë akuzon SHIK’un për vrasje të veprimtarëve të vet, e në anën tjetër nuk jep nënshkrimet për hetimin e kësaj organizate. Kush i beson më hipokrizisë së kësaj partie?

Nëse dëgjoni zytarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës duke akuzuar SHIK’un se ka gisht në vrasjen e veprimtarëve të vet – mos e merrni seriozisht. Nëse dëgjoni zytarë të LDK’së duke akuzuar SHIK’un për të zeza tjera që kanë ndodhur ndër vite në Kosovë – sërish mos i besoni. Nuk e kanë seriozisht. E kanë vetëm për marketing politik.

Po të ishte ndryshe dhe në interesin e LDK’së që të hetohet veprimtaria e kësaj organizate misterioze, mbi të cilën rëndojnë shumë dyshime e akuza për veprime kriminale, atëherë deputetët e kësaj partie nuk do të hezitonin që t’i japin nënshkrimet për krijimin e një komisioni që do të hetonte veprimtarinë e saj.

Në këtë mënyrë, kjo parti të paktën do të tregonte vullnetin e mirë për të zbardhur të bëmat e një strukture, drejt së cilës udhëheqës partiakë shpesh e kanë drejtuar gishtin si përgjegjëse për vrasjen e figurave të rëndësishme pas luftës.

Për të qenë hipokrizia edhe më e madhe, shefi i grupit parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti, deklaroi së fundi se SHIK’u do të mund të hetohet në të ardhmen, kur ata të jenë në pushtet e agjentët e SHIK-ut të mos kenë më role udhëheqëse në vend.

Të deklarosh diçka të tillë, më e pakta që mund të thuhet, është e pamoralshme. Dhe jo vetëm për një arsye.

LDK ka qenë në pushtet thuajse vazhdimisht që nga paslufta. Mandatin e kaluar, ndërkaq, LDK udhëhoqi qeverinë me kryeministër Isa Mustafën. Pyetja më logjike e mundshme është: kush e ndaloi këtë parti që ta hetojë SHIK’un, pasi ishte në pushtet?

Veç kësaj, LDK erdhi në pushtet pasi fitoi vota duke sharë e akuzuar SHIK’un. E për më tepër, LDK bëri koalicion pikërisht me njerëz të SHIK’ut. Madje, ish-shefin e kësaj organizate e bëri kryetar Kuvendi, ndërkaq ndonjë shefi të rangut më të ulët i dha post ministri në qeveri.

Atëherë, për çfarë pushteti po flet Avdullah Hoti? Pse duhet besuar se në të ardhmen LDK do ta hetojë SHIK’un, kur nuk e bëri një gjë të tillë sa e pati pushtetin? Pse duhet besuar se LDK do të veprojë ndryshe, kur agjentëve të SHIK’ut, me votat e veta, iu dha pushtet e fuqi politike?

Fidanishtja

* * *

E historia e SHIK’ut dhe e akuzave ndaj kësaj organziate nuk është e re. Siç nuk janë të reja as përpjekjet për të krijuar një komision hetimor për të. Është e treta herë që Lëvizja Vetëvendosje po mbledh nënshkrime për krijimin e komisionit. Nuk ka asnjë arsye që deputetë të LDK’së të mos i japin ato, nëse vërtet e kanë seriozisht për SHIK’un dhe të bëmat e SHIK’ut.

Përtej mospajtimeve partiake, nuk është e rëndësishme se kush e merr iniciativën për mbledhjen e nënshkrimeve. Këtë do të mund ta bënte edhe LDK, aq më shumë kur akuzon SHIK’un për vrasje të veprimtarëve të vet. Por, kurrsesi nuk arsyetohet refuzimi për të krijuar komisionin hetimor.

Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2014, Isa Mustafa e akuzonte Kadri Veselin se i ka duart e përlyera me gjak. Pak muaj më pas e bëri kryeparlamentar. Ndërkaq në ditën e fundit si kryeministër, ai në Kuvendin e Kosovës nuk kishte kursyer cilësime nga më të ulëtat dhe akuza nga më të ashprat ndaj PDK’së, thua se nuk kishin qeverisur bashkë deri atë ditë.

Përderisa në fushatë zotohej se nuk do të bënte koalicion me PDK’në e SHIK’un, ai veproi ndryshe. Hashim Thaçit e Kadri Veselit iu dha fuqi politike, por pas prishjes së koalicionit, për LDK’në sërish Veseli u kthye në njeri të nëntokës, vrasës e kriminel. Hipokrizi e paparë. Hipokrizi që po vazhdon edhe tash, duke thënë se këtë organizatë do ta hetojnë kur të vijnë në pushtet. E në pushtet ishin, por nuk e bënë.

Nuk e bënë, sepse SHIK’un e përmendin veç kur kanë nevojë për vota, në fushata zgjedhore. Nuk e bënë, sepse SHIK’un e përdorin veç kur përpiqen ta arsyetojnë pafuqinë e tyre, dyfytyrësinë e tyre në raport me njerëzit e kësaj organizate, me të cilët bashkëqeverisën.

* * *

LDK do të duhej të ishte partia që do të merrte iniciativë për krijimin e komisionit hetimor për SHIK’un. Këtë nuk e ka bërë. Nuk dëshiron ta bëjë as tash. Mbase ka ndonjë arsye bindëse. Arsyetimi se do ta bëjë një gjë të tillë kur të vijë në pushtet është banal. Ashtu siç janë kthyer në banalitet akuzat e kësaj partie për SHIK’un. Ashtu siç është kthyer në hipokrizi gjithçka e LDK’së rreth SHIK’ut. SHIK’ut që po vazhdon të qeveris në institucione me votën e LDK’së. Me vullnetin e LDK’së. Me hipokrizinë e LDK’së.