Eko Higjiena

Mos e bojkotoni, neutralizojeni Thaçin

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Nga Imer Mushkolaj – Nëse Hashim Thaçi arrin marrëveshje të dëmshme me Serbinë, pasojat e saj do t’i vuajnë qytetarët e Kosovës. Andaj, në vend se të bojkotojnë dhe ta lënë të lirë të dialogojë, partitë politike duhet të bëhen bashkë dhe ta marrin përgjegjësinë për dialogun, duke e neutralizuar atë. Abstenimi nga procesi është zgjidhja më e keqe.

Faza finale e dialogut me Serbinë tashmë ka filluar dhe Hashim Thaçi ka nisur takimet me homologun e tij serb. Ndërkohë, skena politike kosovare nuk po mundet të gjejë koncensusin as për presidentin, si bartës i procesit, as për një platformë bisedimesh.

Një kornizë e marrëveshjes duket të jetë bërë gati nga sponsorizuesit e dialogut, ndonëse nuk është bërë publike. Kjo tregon se nuk ka kthim prapa, andaj përgjegjësia e subjekteve politike duhet të jetë e madhe se si t’i qasen këtij procesi.

Përplasjet më të mëdha po bëhen rreth emrit të presidentit, rreth personalitetit të tij, ndërkohë që koha po ecë dhe bisedimet më thelbësore po afrohen. Për subjektet politike puna më e lehtë është që procesi negociator të bojkotohet, por kjo nuk duhet të jetë zgjidhja. Përkundrazi.

Nëse Hashim Thaçi arrin marrëveshje të dëmshme me Serbinë, pasojat e saj do t’i vuajnë qytetarët e Kosovës. Andaj, në vend se të bojkotojnë dhe ta lënë të lirë të dialogojë, partitë duhet të bëhen bashkë dhe ta marrin përgjegjësinë për dialogun, duke e neutralizuar atë.

Kjo është e mundshme dhe duhet të ndodhë, në mënyrë që çfarëdo që negociohet dhe nënshkruhet të ketë legjitimitet.

Është e gabuar, madje e rrezikshme qasja që Thaçi duhet të lihet i vetëm që të dështojë. Nëse ai dështon, si përfaqësues i Kosovës, atëherë ka dështuar vendi. Andaj është e domosdoshme që kjo të mos lejohet dhe sa më shpejt Kuvendi duhet të kthehet në vend dialogimi rreth arritjes së një koncensusi.

* * *

E dimë: Hashim Thaçi është i diskredituar, nuk përfaqëson unitetin politik e as shoqëror sipas kushtetutës dhe bën çmos që të përfitojë politikisht. Por, duhet ditur po ashtu se më e rezikshme për të gjithë është që ai të lihet i lirë të dialogojë dhe të arijë marrëveshje. Ato marrëveshje, ai pa problem mund t’i kalojë në Kuvendin e Kosovës, përtej retorikës dhe veprimeve të partive politike, të cilat nuk po duan të bëhen pjesë e procesit me qëllim që Thaçi të dështojë.

Uji Dea

Hashim Thaçi mund të jetë udhëheqës i dialogut, por kjo nuk nënkupton se ai mund të vendosë kokë më vete per diçka që nuk do të ishte rezultat i bisedimeve të përfaqësuara në një grup uniteti. Ai edhe mund të bëjë çmos që të pëfitojë personalisht, por kjo mund të parandalohet pikërisht duke u bërë pjesë e procesit, duke dhënë ide e kontribut, të cilat një marrëveshje të supozuar të dëmshme do të mund ta përmirësonin. Andaj, përtej politikës ditore dhe deklaratave për konsum partiak, partitë duhet të mendojnë dhe të veprojnë seriozisht që të marrin përgjegjësinë që iu takon në fazën finale të dialogut me Serbinë. Sepse nuk ka rrugë tjetër. Nuk ka zgjidhje tjetër.

Arritja e një marrëveshjeje me Beogradin nuk është punë e Hashim Thaçit, por e Kosovës. Tashmë të dy palët janë vënë para aktit të kryer. Kornizat e vazhdimit të dialogut, por edhe të marrëveshjes i kanë vendosur të tjerët dhe Prishtinës e Beogradit i mbetet të luajnë brenda tyre, në mënyrë që të nxjerrin rezultat më të mirë. Rezultati më i mirë arrihet me lojë ekipore, e jo me një lojtar. Duhet lënë inatet dhe animozitetin për emrin e Hashim Thaçit dhe duhet parë përtej interesave të ngushta.

* * *

Është e domosdoshme që të gjitha subjektet politike të sillen me përgjegjësi karshi procesit. Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do ta kundërshtojë atë edhe me protesta, por kjo parti e di mirë se me protesta nuk ka arritur asnjëherë të ndalojë asgjë. LDK, si zakonisht, kundërshton dhe më pas pranon.

Nuk kontribuohet duke kundërshtuar dialogun, duke bojkotuar Thaçin, por duke marrë përgjegjësi.

Andaj Kuvendi duhet të jetë vendi që i bën bashkë subjektet politike, që të diskutojnë gjithçka që ka të bëjë me dialogun. Le ta lënë anash emrin Hashim Thaçi dhe të diskutojnë për thelbin e procesit.

Duke u bërë pjesë e ekipit negociator, partitë politike do ta neutralizojnë Thaçin, do ta bllokojnë atë. Efekt i kundërt do të arrihet duke vepruar ndryshe. Abstenimi nga procesi është zgjidhja më e keqe. Tekefundit, të zgjedhurit nga qytetarët janë aty për të marrë përgjegjësi, e jo për të parë se si po dështon dikush.

Nëse dështon Hashim Thaçi, atëherë ky është dështim për gjithë shoqërinë, është dështim për vendin. Ai mund të ndalet vetëm duke u bërë pjesë e procesit, jo duke e bojkotuar. Kosova nuk është vetëm e Thaçit dhe përgjegjësia e secilit është më e madhe se cilido emër i përveçëm.