KKVITI

Monografi pёr shumё vёrejtje

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Nga Nuhi Ismajli – (Grup autorёsh: “Gjilani me rrethinё – studim monografik”, bot. K. Komunal i Gjilanit, 2012).

Para pak ditësh, nga disa prej hartuesve, para publikut gjilanas, u paraqit vepra: “Gjilani me rrethinë – studim monografik”, financuesi dhe botuesi i së cilës është K. Komunal i Gjilanit. Publiku nuk kishte në dorë veprën e botuar, pasi vepra disponohej vetëm prej autorëve të saj!.

Publiku, ndërkaq, një variant të tekstit të përmendur, ka pasur mundësi ta lexojë në faqen elektronike të K. Komunal. Për këtë variant, më 15 tetor, qe debatuar publikisht, me ç’rast, për të, qenë dhënë mjaft vërejtje. Mjaft vërejtje, për tekstin e përmendur, janë shprehur edhe publikisht.

Mungesa e veprës së botuar, nuk i pengoi disa nga hartuesit e saj, as K. Komunal, që ta promovojnë vetë, para publikut gjilanas, dhe vetë edhe të shprehin lavdërimet për të.
Vepra “Gjilani…”, për të cilën dikush tha sa u shkrua për katër vjet, kurse dikush për dy vjet (vepra, sipas shënimeve, ka filluar së shkruari më 2008), nga vetëpromovuesit, u cilësua me fjalë të mëdha, si: vepër e synimeve të rëndësishme, letërnjoftimi ynë dhe letërnjoftim i hollësishëm për të huajt, histori, njoftim për të kaluarën, vepër themeltare e informimit për këtë komunë, vepër e afirmimit të qytetit si një qytet i rëndësishëm, vepër që i ka munguar Gjilanit, vepër e një pune të disiplinuar, vepër e ekspertëve; vepër gjithëpërfshirëse, vepër e mirëfilltë shkencore, që me kompetencë e saktësi flet për çështjet e ndryshme; një histori e shkruar prej nesh, një histori realiste; vepër e çmuar për traditat e shkrimit monografik; përfshirje enciklopedike etj.

Ne që arritëm ta sigurojmë, sa për lexim, një nga ekzemplarët e botuar, patëm mundësinë ta krahasojmë me tekstin e botuar elektronik (të debatuar me qytetarët, më 15 tetor dhe të kritikuar në shkrimet e ndryshme), dhe të vërejmë se disa nga hartuesit nuk kanë ndjerë as përgjegjësinë më të vogël, për të përmirësuar të metat e kritikuara me të drejtё të teksteve të tyre, kurse ndonjëri, jo vetëm që s’kishte përmirësuar gjë, po, për më tepër, kishte ndërhyrë egërsisht në tekstin e tij, duke e cunguar dhe duke bërë tekst edhe më të keq dhe edhe më të pavlershëm se në variantin e botimit elektronik.

Po përmendim këtu dy raste të të metave të veprës “Gjilani…”, që, si vepër e botuar nga institucioni dhe me buxhetin e shtetit, nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë.

Rasti i parë ka të bëjë me mungesën e të dhënave për disa vendbanime të komunës së Gjilanit, me fshirjen, si nga një dorë e zezë, të disa emërvendeve, të njohura për etninë e pastër shqiptare, mungesa këto të cilat e bëjnë veprën të padenjë për publikim. Fjala është për fshatrat Kurexhaj, Terziaj, Haxhaj, Selishtë etj. Këto janë të njohura për vendbanime të pastra shqiptare, për historinë fisnike të tyre, vende të njohura për njerëzit e tyre të shquar, për ngjarjet e përjetuara, për qëndresën dhe përpjekjen e tyre për vlerat kombëtare, për virtytet njerëzore, vende të shquara për bukuritë dhe pasuritë e tyre natyrore etj. Këto vendbanime, me përjashtim të ndonjë rasti, kur përmenden në kuadër të ndonjë vështrimi historik ose në kudër të vështrimit për kulturën popullore, besimet etj., janë injoruar tërësisht dhe nuk përmenden fare. Kështu, p. sh. fshati Terziaj dhe banorët e tij, përmenden në kuadër të një vështrimi historik, f. 93 dhe 110, dhe në kuadër të vështrimeve për kulturën popullore, të besimeve etj., f. 94, 420 dhe 428, po në asnjë rast tjetër të nevojshëm dhe në mënyrë të veçantë.

Ai i cili ka bërë një gjë të tillë, ka bërë një punë sa johumane, po aq edhe joshkencore. Se shënime për këto vendbanime, ku shihen veçantitë dhe vlerat e tyre të pamohueshme, ka pasur sa të duash. Të dhënat për vendbanimet e përmendura, për banorët, për njerëzit e shquar të tyre, përmenden në veprat e mjaft autorëve të shquar shqiptarë e të huaj; përmenden në kuadër të shkrimeve të ndryshme e, madje, edhe në kuadër të tezave të doktoratave, të mbrojtura në qendrat e mëdha të botës.

Të dhëna për këto vendbanime janë dhënë edhe në kuadër të veprës së studiuesit Jusuf Osmani (“Vendbanimet e Kosovës 6, Gjilani”, Shkrola, Prishtinë, 2004), e cila, në fund të veprës, në bibliografi, figuron si vepër e shfrytëzuar, si literaturë, njësia 200. Po, pse nuk është shfrytëzuar?!

Banorët e këtyre vendeve, të “shlyera” nga gjeografia e Gjilanit, nuk përmenden as në rastin kur përmenden emrat e të dënuarve politikë dhe të atyre të dënuar me vdekje, për shkak të ideologjisë dhe veprimtarisë së tyre kombëtare (kapitulli: Format e rezistencës së popullatës në komunën e Gjilanit gjatë sistemit komunist (1945-199), f. 197-249) . Ose edhe përmendet ndonjë emër (si p. sh. Sabit Rrustemi), po nuk i tregohet edhe vendlindja, sikurse veprohet me të tjerët.

Në vepër vërejmë shmangien për të mos përmendur emrat e fshatrave të përmendura edhe në rastin e shkaktimit të një gabimi të dukshëm kuptimor. Kështu, f. 115, (kapitulli: Gjilani në shek. XIX deri më 1908, f. 113-122 ), autori, për toponimin Terziaj, përdor toponimin kuptimisht të pasaktë Karadak. Kjo është e çuditshme!

Po kështu, injorohen e nuk përmenden fshatrat e përmendura dhe banorët e tyre edhe në kapitullin për arsimin, sikur banorët e Kurexhajve, të Terziajve, të Haxhajve, të Selishtes etj., nuk janë arsimuar fare, se nuk kanë pasur shkolla të tyre e se nuk kanë as tani.

Uji Dea

Nëse për veprën “Gjilani…”, thuhet ashtu siç kanë thënë vetëpromovuesit e saj, më 15 tetor, si u pa më lart, është gjë tejet e ulët të shlyesh nga harta vendbanimet e njohura me shekuj dhe të injorosh aq ulët banorët e tyre. Por, po aq keq dhe dukuri tejet e ulët antishkencore është edhe kur hartuesit e teksteve të tilla, tejet antihumane, harrojnë obligimin shkencor dhe, në kundërshtim me logjikën dhe etikën shkencore, luajnë rolin e injorantëve dhe punojnë sipas logjikës së atyre që, gjithnjë, i kanë pasur halë në sy këto vende e banorët e tyre.

Rasti i dytë, tejet shqetësues, për lexuesin sadopak të informuar të monografisë “Gjilani…”, ka të bëjë me paraqitjen injorante, tejet diletante, të letërsisë nga hapësira e Gjilanit me rrethinë (kapitulli: Jeta kulturore (1945-199), f. 433-435). Varianti libror i botuar është edhe më i keq se varianti i botuar elektronik. Në tekstin për letërsinë në komunën e Gjilanit me rrethinë nuk thuhet asgjë. Aty përmenden pak emra po nuk thuhet as për ata asgjë. Shumë emra të tjerë, të denjë për paraqitje, as nuk përmenden fare.

Autori i tekstit për letërsinë nuk e di se letërsia (poezia) është krijimi më individual, kështu që nëse nuk ke folur konkretisht për autorin dhe veprën e tij, nuk ke folur asgjë.

Për të, sipas veprës, me rëndësi janë klubet dhe shoqatat, të cilat, sipas tij, kanë luajtur rol në krijimin e letërsisë!!! Pra, klubet dhe shoqatat (të cilat, siç dihet, kanë rol reklamues, afirmues të letërsisë) i krahason me klubet e sporteve e me shoqëritë muzikore dhe, duke folur për to, mendon se flet për realitetin letrar të Gjilanit me rrethinë!

Kështu, duke mos u marrë profesionalisht me problemin e letërsisë, në monografinë për Gjilanin, lexuesi nuk e ka njoftimin dhe pasqyrën e vërtetë të letërsisë së kësaj ane. Në monografi, pra, injorohet pjesa dërrmuese e krijuesve gjilanas, kurse për krijuesit e përmendur dhe veprat e tyre nuk jepen kurrfarë të dhënash. Në bazë të kësaj monografie lexuesi nuk mund të mësojë asgjë për asnjërin nga shkrimtarët e përmendur gjilanas. Atëherë çfarë monografie është kjo?!

Mund të thuhet se kjo pjesë e monografisë (f. 433 – 434), është për ilaritet të rrallë dhe më mirë është sikur të mos figuronte fare!

Po të ishte hartuar nga njohës të mirë të letërsisë (gojore dhe të shkruar) së Gjilanit me rrethinë, pa dyshim, pjesa e monografisë për letërsinë, do ta pasuronte dhe do ta bënte monografinë për “Gjilanin…” një vepër tejet të vlershme dhe shumë interesante.

Mospërmbushja e kërkesave të monografisë për Gjilanin me rrethinë, gjendja e mjerë dhe tejet e palakmueshme e tekstit të saj, është tregues i gjendjes së institucioneve të komunës së Gjilanit, veçmas të Drejtoratit të Kulturës, dhe të nivelit të formimit të atyre që e udhëheqin atë.

Po të kishim kuadro meritore në kulturë, në komunën e Gjilanit, nuk do të ndodhte ajo që po ndodh edhe me monografinë për Gjilanin me rrethinë.

Drejtorati i Kulturës, i cili, me një kuadër të formuar, do të duhej të kishte rolin mbikëqyrës të realizimit të tekstit të monografisë, për komunën me rrethinë, së pari, nuk do t’i jipte të shkruajë monografi lloj-lloj injoranti, po do të kërkonte krijues të formuar dhe të ndërgjegjshëm dhe, së dyti, nuk do të paguante para të konsiderueshme për tekste çfarëdo.

Kuvendi Komunal i Gjilanit, i cili është edhe botues, e ka për detyrë të nxjerrë një tekst serioz të monografisë për Gjilanin me rrethinë dhe t’i arsyetojë mjetet që i shpenzon për botimin e saj.