Momenti i Ramushit
Nga Adrian Çollaku- Vendimi i Tribunalit të Hagës, me të cilën shpallen të pafajshëm tre ish-luftëtarët e UÇK-së, Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj, dëshmon edhe njëherë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë një luftë e drejtë dhe e pastër.
Me vendimin e 29 nëntorit, drejtësia ndërkombëtare pos që ka treguar profesionalizimin e saj dhe kredibilitetin që ka kjo gjykatë ndërkombëtare, në anën tjetër ka rrëzuar të gjitha ato konspiracione dhe ato akuza, kinse UÇK-ja ka bërë krime të luftës.
Qysh nga momenti kur është ngritur aktakuza ndaj Ramush Haradinajt dhe ndaj Fatmir Limajt nga Tribunali i Hagës, jo vetëm ata dhe familjet e tyre, por të gjithë qytetarët e Kosovës kanë qenë të bindur në pafajësinë e tyre. Kjo sepse, UÇK-ja ka bërë një luftë të drejtë, ka luftuar për një kauzë të drejtë dhe natyrisht në përputhje të plotë me parimet dhe zakonet ndërkombëtare të luftës.
Beteja e luftëtarëve të lirisë me drejtësinë po vazhdon ende. Ish-komandanti i UÇK-së, Fatmir Limaj edhe pse e fitoi betejën në Hagë, dhe në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, Gjykata Supreme e riktheu në gjykim rastin, atëherë kur pritej më së paku. Për më keq, ndodh paraburgimi i Limajt me shokë, nën arsyetimin shumë banal kinse për rrezikun që ish-komandant “Çeliku” të arratiset, ndonëse ai tash e sa vjet është përballur me drejtësinë. Vendimi për paraburgimin e deputetit Limaj, mund të jetë gjithçka, por vetëm drejtësi jo.
Lirimi i Ramush Haradinajt është një lajm shumë i mirë për Kosovën dhe për qytetarët e saj. Lirimi i ish- kryeministrit në këto momente është më se i nevojshëm jo vetëm për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, e cila pa të, dukej sikur të ishte e humbur në kohë dhe në hapësirë, por edhe për vetë shtetin, i cili gjendet në një situatë shumë të rëndë. Në njërën anë, krimi i organizuar dhe korrupsioni e kanë ngufatur zhvillimin e vendit, derisa në anën tjetër, futja e Qeverisë së Kosovës në bisedime me Serbinë, e ka vënë në vështirësi funksionimin e mëtejmë të koalicionit qeverisës, ndërkaq lirimi i Haradinajt në këto momente është shumë domethënës.
Pavarësisht nëse ai do të marrë menjëherë postin e kryeministrit, dhe partia e tij nëse do të hyjë në koalicion me PDK-në e Hashim Thaçit apo jo, Ramush Haradinaj tani është faktor vendimtar.
Për t’u mos u vetëkënaqur me 100-ditëshin e “artë”, sa kishte pasur fatin të ishte kryeministër, ku nisi të krijojë një frymë të re qeverisëse, Ramush Haradinaj para vetes i ka dy detyra shumë të mëdha dhe të vështira.
Në njërën anë duhet ta reformojë partinë, e cila pa prezencën e Ramushit nuk mund të quhej as parti. Ai tani e ka rastin që jo vetëm ta reformojë atë dhe të sjellë njerëz dhe frymë të re në parti, por AAK-në ta bëjë tamam parti demokratike dhe bashkëkohore.
Punën e parë që duhet ta bëjë, është që t’i bindë “partiakët” e tij që ta heqin fotografinë e tij nga ekranet e telefonave, t’i bindë ata që të mos mundohen ta “imitojnë” atë si lider qoftë kur flasin apo kur ecin… Duhet t’u tregojë atyre se secili anëtar duhet të jetë “origjinal”, ashtu siç është.
Ai qysh nga sot, do ta kuptojë se paska shumë njerëz që po e “duakan” dhe po i shkojnë pas. Që shumë prej tyre e luajnë rolin e sahanlëpirësit vetëm e vetëm që të marrin një copë pushteti përmes tij. Këtu nuk e kam fjalën për zyrtarët e partisë së tij.
Dhe puna e dytë, dhe më e rëndësishmja që e pret atë, dhe çka presin qytetarët prej tij, në rast të ardhjes në krye të qeverisë, është kthimi i një qeverisjeje transparente, llogaridhënëse dhe luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit.
Të gjithë e dimë, padyshim edhe vetë Ramush Haradinaj, se sa thellë në sistem është futur korrupsioni e krimi i organizuar. Andaj, e ka rastin që t’i luftojë këto dukuri, të cilat çdo ditë e më shumë po e ngufasin dhe po e shkatërrojnë këtë vend. Dhe t’ia nisë nga oborri i vet, pa pardon e amnisti, ndaj askujt.
E ka mundësinë, që të shpallet edhe një herë hero. Madje, edhe më i madh, sesa që është shpallur dje, më 29 nëntor, me betejën e fituar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.