Mobi Casa

Mite, helm dhe krim

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Xhemal Ahmeti – Lugina vajton statujat e rrëmbyera. Gostivarin nuk e duron as ajri dhe është shndërruar në helm. Hashim Thaçi luan brenda humb jashtë. Edi Rama rilind reliktet muzeore të (a)kulturës shqiptare dhe veten, ndërsa vendi vendnumëron, politika degjeneron dhe opozita kërcënon.

Hashim Thaçi është i mençur, djallëzisht i zgjuar. Megjithatë ai duhet të ikë. Këtë e kanë kuptuar tashmë edhe sponsorët kryesorë nga jashtë. Edi Rama rilindi veten, vendin jo. Ose tregohet aktiv në çpluhurosjen e miteve socrealiste bodrumeve të baltosura të (a)kulturës shqiptare. Opozitës së prirë nga Berisha i kanë hyrë në mendje mushkonjat dhe donë ta provojë edhe njëherë; rishembjen e vendit nëpërmjet trazirave. Thonë se shqiptarët nuk mësojnë nga historia sepse këmbë e duar luftojnë për jetuar sikur të ishin në të e jo në të sotmen. Në Maqedoni vetë natyra prodhon helm në vend të ajrit. Me gjasë do të jenë përdhosur perënditë, duket sikur të kenë filluar të dëgjojnë mallkimet e imamatit të përdhosur. Lugina vazhdon të vajtojë për statujat e rrëmbyera dhe ka harruar të gjallët- Asgjë e jashtëzakonshme brenda teatrit ballkanik?

KOSOVË – EULEX fitoi maratonën e arrestimeve me lirime të garantuara. Arsyetimi se është rëndë të dëshmosh veprat penale në një vend si Kosova përmban një substancë realiteti në vete, mirëpo po aq i vërtetë është edhe fakti se misioni nuk justifikon veten aty ku është: Këtë e dëshmojnë raportet e tij të shpërndara gjithandej e që flasin për një qeveri të korruptuar deri në fyt, ekspertiza mirëpo që lirisht e njëkohësisht mund të merren edhe si pasqyrë e mosveprimit të këtij institucioni pikërisht në aortën e korrupsionit: brenda qeverisë! Fiksimi në lëndë të caktuara e izoluara, apriori të dështuara madje dëshmojnë edhe për një përtesëri të paparë. Si duket parulla e agjendës ditore do të jetë: ia nisim me ato që kemi nga fillimi se na del më pak punë. Vetëm telefonatat e përgjuara gjysmëilegalisht nuk e rrëzojnë një qeveri aq të rrjetëzuar brenda vetes. E para: Ose EULEX bashkëluan politikisht, çka nuk është në rregulloret e saja ose e dyta: institucionet kosovare janë viktimë e imagjinatës megambarsëse të juristëve dhe policëve bjerrakohës nga perëndimi. E para do të jetë. Si do që të jetë misioni komprometon veten.

Hashim Thaçi sillet shtatlartë dhe i pafrikë sikur falltaret e gjithë botës t’i kenë rrokullisur filxhanët në favor të tij. Vetëbesimi do ta ketë një arsye: ajo që më së shumti përflitet është “vënia e LDK-së në lojë për interesa të PDK-së”. Supozimi edhe pse i cekët – kur kihet parasysh dhelpëria e Isa Mustafës së regjur – padyshim set Thaçit i shërbeu së paku të jashtmëve tu ua lajë kokën me akull, duke u thënë se qeveria e tij është e pathyeshme nëpërmjet çrregullimeve sepse pjesa më e madhe e opozitës luan Walzerin politik me të – për hir të stabilitetit natyrisht. Se a mund të jetë ndryshe, po, mirëpo kujt i intereson kjo punë kur Thaçi dhe shtabet e tij janë komunikatori me monopol sa u përket relacioneve me botën. I mençur dhe djallëzua është patjetër, e kjo e bën burrështetasin edhe kur nuk e meriton.

SHQIPËRI – Përveç ca miteve të rinxjerra nga bodrumet e pluhurosura, batakta të muzeve të dërmuara realsocialiste asgjë tjetër duket të mos rilind. Edi Rama ka sukses në shpërndarjen e karamelave fushave sportive, të maskuara nga pallatet përmendore antiestetike të kryeqytetit më fshat të planetit; të shes urti gazetave kosovare, mirëpo të premtuarat duket t’i bëjnë vezë brenda monitorit të iMac-ut të tij 27” zoll – ësh.

Uji Dea

Sali Berisha nuk do të braktisë politikën pa e futur Shqipërinë edhe njëherë aborteve të rënda sociopolitike: atdhedashuri i thonë edhe kësaj. Përkundër përvojës aq të pastër në dështime kolosale luftërash qytetare opozita nuk mëson dhe nuk di të bëhet konstruktive, nëse jo për mirësi ndaj pozitës, atëherë për dashuri ndaj njerëzve dhe vendit në emër të cilit shndërrohen – së paku kozmetikisht – shaolinë a kamikazë sa herë që bllokojnë kanalet televizivë me krekosjet e tyre prej micsokolëve të reinkarnuar.

Se Shqipëria më në fund, pas më se 30 viteve duhet të ecë më gjallë e thonë të gjithë e se asaj sapo çohet ia fusin shkelmin ndër këmbë të gjithë shihet.

MAQEDONI – Mbi 60 nxënës dhe profesorë u shtrinë në spitalin e Shkupit, të helmuar. Mjekët: nuk janë të helmuar! Partia BDI, që ndanë pushtetin me homologen e saj të shumicës është me detektive: Po nuk pati helmim, por çka? Pra pyet, çka manifeston një hap kolosal në drejtim të pjekurisë politike. Më herët vetëm përsëritnin parullat e pushtetit, tani së paku edhe pyesin. Informatat nga terreni flasin për një vlim të jashtëzakonshëm, mirëpo mungojnë kokat. PDSH-së – partia e dytë – nuk i besojnë më as 20 veta që ta organizojë ndonjëherë një protestë modeste qytetare, e lere më të lëviz diçka nga vendi. Paralajmërojnë dhe gjumojnë, duke shpresuar në mos ata imamët e BIM, përkundër gjitha vetëblasfemive i dëgjon Zoti dhe ekzekuton gjithë armiqtë e fesave të zi të Kumanovës, tërllëqeve të bardhë të Tetovës dhe dimive të Gostivarit.

NGA ULQINI NË PRESHEVË – Lugina nuk arriti dot që ta bindë Qeverinë kosovare që t’i (keq)përdor si mjet presioni duke kërkuar nga serbët që t’u japin po aq të drejta sa kërkojnë për të vetët në Kosovë. Në Mal të Zi opozita shqiptare së paku në Ulqin është bashkuar me opozitën malazeze dhe rrezikojnë të vënë edhe atje në lëvizje diçka kundër oligarkëve të etabluar, të cilët po si Thaçi rrinë stoikë e të pafrikshëm si warlordët përreth Tora Borës në zonat e tyre të kapura.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)