Mirishahe Limani Hiler – personazh i një kohe të vështirë …

Gjilan – Mirishahe Limani është shembull i një femre e cila mahnitë me sukseset e saj në periudha të ndryshme, nëpër të cilat ka kaluar femra shqiptare. Ish „zonja e parë e Gjenevës“ nuk e mohon asnjëherë origjinën e saj, duke thënë se personalisht ka vetëm një atdhe dhe nuk e ndërron më asgjë, ndërsa Zvicra është atdheu i vajzës së saj.
Shqiptarët si popull kanë kaluar nëpër kohë të vështira. Pak prej tyre kanë shpresuar se një ditë do të vijë liria e pritur me shekuj. Asokohe, lirinë e kemi “përjetuar” vetëm në hartimet shkollore, nëpër temat “Liria fitohet me gjak”, “Liria do flijim”, “Liria është më e shtrenjtë se jeta”, “Njeriu pa liri, është si zogu i mbyllur në kafaz” dhe të tjera. Ishin vite kur një armik i egër e barbar na rrinte si korb i zi mbi kokë. Në këtë rrëfim timin, do të ndalem tek vitet 1987/1988. Personazhi i këtij tregimi është Mirishahe Limani, asokohe nxënëse e klasës së parë në gjimnaz, drejtimi i matematikës.
Si sot më kujtohet ajo kohë. Sa përfundoi ora e dytë mësimore, tek dera e hasa Mirishahe Limanin, një nxënëse e trupshkurtër dhe e ndrojtur. Mbante një çantë të thjeshtë prej stofi dhe në të kishte ndonjë fletore apo libër. “Pse prisni këtu në korridor?” – e pyeta. Ajo u përgjigj me këto fjalë: “Profesor, unë vij nga një shkollë tjetër. Profesorët më thanë se ti nuk je për këtë shkollë… Më thanë shko në Gjimnaz, aty e ke vendin. Erdha këtu, por s’po di ku të vendosem…”. E pyes: “Nga cili vend jeni?”. Përgjigjja e saj ishte: “Jam nga Pidiqët, fshat i Karadakut”. I them pa një pa dy, shko në klasën time I/6. Sa shumë u gëzua.
Pra, ish-gjimnazistja e Gjilanit, Mirishahe Limani, nuk deshi të përfundojë jetën si një amvise, ose një mësuese fshati. Shumë e deshi shkollën, librin, dijen. I deshi edhe shoqet dhe shokët. Ishte e tëra një Afërditë. Lexonte dhe vinte në shkollë e rregullt. Hartimet e saj ishin refleksione mendimesh të thella, plot figura. Ajo është shpërblyer disa herë jo vetëm në gjimnaz, por edhe në nivel vendi. Në vitin 1987, në një konkurs për poezi, fitoi 23 libra të ndryshme nga arti letrar. Si nxënëse e dalluar, më 13 maj të vitit 1989, është shpërblyer në nivel vendi në konkursin me temë “Siguria jemi Ne”.
Mirishahe Limani – Hiler, ka botuar veprën “Shi i urtë në kujtime”. Vargjet e saj në veprën “Shi…”, në të vërtetë janë një zë i fuqishëm femëror për dashurinë, për natyrën, për ëndrrat e ndaluara në Kosovën e atyre viteve. Në Zvicër, ka luajtur rolin e nënës në një film francez të metrazhit të shkurtër „Nos jours“ (Ditët tona), që kishte për temë dashurinë dhe lindjen. Mirishahja e ka hobi edhe publicistikën.
Një pjesë e shkrimeve nga koha e rinisë i ngelën të pabotuara. Ajo pati një “fat” në fatkeqësi. Ishte një zë kryengritës i pranverave të mëdha. Me shumë shokë e shoqe të tjera, Mirishahja u gjend në demonstratat e rinisë shkollore. Më 22 mars 1990, ajo pësoi nga helmimi masiv i nxënësve në Gjilan. Prindërve ju dhimbsej dhe për disa ditë, vajzën e tyre nuk e lëshuan të vijojë shkollimin. Unë (T.S.), dy herë u gjenda në familjen e saj në Pidiq, për ta bindur prindin që ajo të vijojë mësimet.
Ishte 12 janar 1989, kur me Raif Hajdinin, arsimtar i matematikës dhe dy nxënëset e klasës, Resmije Emini dhe Drita Bajrami, u gjendem në familjen e Mirishahe Limanit. Na pritën mirë. Arritëm ta bindim prindin e Mirishahes që vajza të vijë shkollimin. Mirishahja erdhi me ne. E vendosëm në Konviktin e nxënësve në Gjilan. Gjimnazin e kreu me sukses të shkëlqyeshëm.
Pas shkollimit, rrugët e fatit e dërguan në Zvicër, tek vëllezërit e saj. Edhe atje diti të zgjedh rrugën e duhur dhe eci përpara.
Fati kolektiv i Kosovës, e detyroi atë të marrë këtë rrugëtimin. Mirishahja vlerëson sakrificën e prindërve të saj që vajza e tyre të shkollohet. Nga viti 1998, jeton në Gjenevë, ku ka mbaruar me sukses një karrierë akademike dhe ka krijuar familjen e saj. Aktualisht Mirishahe Limani Hiler punon në Departamentin e Arsimit në Gjenevë, ku e ushtron profesionin e referentes socio-edukative dhe krahas kësaj ka hapur zyrën e saj, e para e këtij lloji në Gjenevë, në të cilën mban titullin “Punëtore sociale e pavarur” në Zvicër, ku ofron shërbime në gjuhët shqip e frëngjisht, informim, orientim, këshilla, shërbime në ndërmarrje, administratë, shoqata e të tjera.
Që nga koha, kur është në Gjenevë, Mirishahja është kyçur edhe në jetën asociative në komuna të ndryshme të kantonit të saj, duke qenë në byrotë drejtuese e menaxhuese të shumë prej tyre. Është iniciatore në themelimin e shoqatës GEKOS (Gjenevë-Kosovë), ku për disa vite ka qenë nënkryetare. Mandej, ishte nënkryetare e Universitetit Popullor Shqiptar dhe anëtare aktive në Shoqatën e banorëve të Qytetit të Vjetër në Gjenevë, në Lidhjen e arsimtarëve dhe prindërve shqiptarë, është anëtare e Partisë së të Gjelbërve dhe asociacioneve tjera. Pas diplomimit, ka punuar për disa vite edhe në Departamentin e Sigurisë, në rolin e formatores, intervenuese e specializuar në shkollën e policisë. Jashtë studimeve, ka kryer trajnime në fushën e ndërmjetësimit në konfliktet e barazisë gjinore dhe atyre ndërkulturore. Ka shërbyer edhe anëtare e Komitetit në Shoqatën e Banorëve të Qytetit të Vjetër në Gjenevë, anëtare e Rrethit Femëror të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me seli në Gjenevë dhe të tjera.
Me gjithë integrimin e shkëlqyer në shoqërinë helvetike, Mirishahja i mbetet besnike linjës së saj të origjinës, duke thënë se vetëm Kosova mbetet atdheu i saj, gjë që shumë mërgimtarë “pa dashje” e mohojnë këtë. Ajo thotë se ka “vetëm një atdhe” dhe përfundon diskutimin rreth kësaj duke cekur se Zvicra është dhe mbetet atdheu i vajzës së saj. “Zvicra më ka pranuar të jem qytetare e saj, duke qenë në pajtim me vlerat e mia personale dhe padyshim se dhe unë kam bërë një hap më shumë dhe kemi kaluar në një ndërnjohje që na bënë të ndjehemi mirë të dyja palët”, thotë ajo.
Mirishahja ndjehet grua e përmbushur veçmas në rolin e nënës. “Kam kënaqësi të veçantë që vajza ime, Samanta, pos gjuhës frënge e angleze, e flet mirë edhe gjuhën e nënës dhe këtu ndoshta e ndiej më thellë obligimin që më duhet ta përmbush në rolin që kam si prind”, thotë ajo.
Nga mërgimtarët tanë, në Zvicër, e veçmas në kantonin e Gjenevës, mësuam se ajo mban lidhje të mira edhe me ta. Karakterizohet nga një modesti e rrallë. Sa i përket komunitetit shqiptar në Zvicër, e kryesisht në Gjenevë, Mirishahja thotë se ekzistojnë forma të ndryshme të organizimit të tij, në drejtim të një integrimi sa më të suksesshëm në shoqërinë zvicerane, apo edhe në mbështetje të popullit kosovar në vendlindje. Në kuadër të shoqatave të ndryshme, kosovarët veprojnë kryesisht në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare dhe ndihmojnë po ashtu në integrimin e tyre. Ajo ndjehet më se e kënaqur me të arriturat e shqiptarëve në Zvicër, duke marrë parasysh edhe periudhat e ndryshme në historinë e migracionit në këtë shtet.
Vetë Mirishahja, në njëfarë mënyre i “bashkon” dy kultura në Zvicër. “Njohja e kulturës së origjinës sime dhe njohja e kulturës së vendit ku jetoj, janë dy faktorë që e pasurojnë valixhen” e njohurive dhe kulturën time të përgjithshme. Unë ndjehem jashtëzakonisht mirë në mesin e fqinjëve, miqve dhe në relacion edhe më të largët, në fushat dhe aktivitetet ku veproj”.
Është e pamundur të flitet për investimet e Zvicrës në Kosovë e të mos përmendet komuniteti shqiptar atje. Shqiptarët kanë investuar me vite e vite dhe mund të thuhet se ata kanë një meritë në zhvillimin e ekonomisë zvicerane, e cila vazhdon edhe tani. Edhe Mirishahja kishte arritur të siguronte një donacion për ndërtimin e shkollës në fshatin Shurdhan, por projekti i saj nuk ishte realizuar për shkak se komuniteti vendës nuk kishte arritur të merrej vesh rreth lokacionit ku duhej të ndërtohej objekti dhe ajo kishte ndeshur edhe në barriera të tjera.
Krenaria e Mirishahes nuk janë sukseset shkollore. Krenaria e saj është edhe vajza Samanta, një fëmijë prej dy prindërve me origjinë të ndryshme, njëri (babai) amerikane, e tjetri (nëna) – shqiptare. Si për të përligjur origjinën e nënës, Samanta zyrtarisht mban edhe emrin e dytë, Anila.
Mirishahe Limani është shembull i një femre e cila mahnitë me sukseset e saj në periudha të ndryshme, nëpër të cilat ka kaluar femra shqiptare. Ish „zonja e parë e Gjenevës“ nuk e mohon asnjëherë origjinën e saj, duke thënë se personalisht ka vetëm një atdhe dhe nuk e ndërron më asgjë, ndërsa Zvicra është atdheu i vajzës së saj.
Malësorja nga Karadaku, e cila asnjëherë nuk e mohon të kaluarën e saj në fshat dhe sakrificat nëpër të cilat ka kaluar familja e saj, për t’i ushqyer e shkolluar një “sofër fëmijë”, është model i një femre, e cila ka arritur suksese, kudo që është gjendur, falë punës së saj me përkushtim./tefik selimi/rajonipress/