Mirënjohja e hebrenjve për kontributin e popullit shqiptar

Bernë – Numri i hebrenjve pas luftës në Shqipëri ishte disa herë më i madh se ai i para luftës, tha ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, Mehmet Elezi me rastin e shfaqjes në Bernë të filmit dokumentar “Shpëtimi në Shqipëri”, që bën fjalë pikërisht për këtë fenomen unik në historinë e hebrenjve.
Ambasadori i Kosovës, Naim Malaj tha se shqiptarët si popull i vogël kanë të drejtë të jenë krenarë për atë që kanë bërë duke mbrojtur hebrenjtë. “Popuj të tjerë nuk e kanë bërë këtë për arsye të ndryshme”, tha Malaj. Ai lavdëroi autorët e filmit për punën e shkëlqyer që e kanë bërë për të shpalosur këtë faqe të ndritshme të historisë sonë.
Përgjatë rreth 30 minutave, sa zgjat filmi “Shpëtimi në Shqipëri”, në ekran parakalon një numër njerëzish që kishin shpëtuar nga holokausti, falë faktit se “në kohën e duhur” ishin strehuar në Shqipëri. Autorët e filmit, mbështetur në një faktografi të pasur jetësore, kanë mbindërtuar rrëfimin për mirënjohjen e hebrenjve për shpëtimtarët e tyre shqiptarë.
“Po t`i pyesje atëbotë shqiptarët se përse e vinin veten në rrezik për të na shpëtuar ne, ata nuk do të dinin të përgjigjeshin ndryshe: `sepse kjo është gjëja më normale që ne mund të bëjmë`, thotë në film një nga familjarët e të mbijetuarve hebrenj. “Këtë e kanë bërë sepse kjo është në kodin e tyre të besës, ku miku çmohet si i shenjtë”, thuhet më tutje në film.
Dardan Islami, njëri nga realizuesit e filmit që u shfaq të martën mbrëma në Bernë para një publiku ku bënin pjesë edhe diplomatë të akredituar në Zvicër, tha për albinfo.ch se për këtë film kanë marrë qëllimisht vetëm deklarimet e palës hebraike.
“Është në traditën shqiptare që kur e bëjmë një të mirë nuk duam ta përmendim atë”. Kjo ka qenë ideja që ka udhëhequr krijuesit e filmit “Shpëtimi në Shqipëri” kur kanë vendosur të mos intervistonin shqiptarët shpëtimtarë të hebrenjve.
Islami theksoi se burimet për këtë film ekipi i ka siguruar nga arkivi shqiptar, televizioni shqiptar, nga filma italianë të kohës etj. “Por materialet kryesore të shfrytëzuara këtu janë kujtimet e diplomatit Hermann Bernstein, i cili ka qenë ambasador i SHBA-së në rajon në vitet e 30-a. Nga këto kujtime u bë edhe libri ‘Shpëtimi në Shqipëri’, i botuar në vitin 1997 me autor Harvey Sanner”.
Në vazhdim, bashkautori i filmit me të njëjtin emër shpjegon se nga viti 1991, pas hapjes së Shqipërisë, titulli “Fisnikët e popujve” iu dha 63 familjeve shqiptare. Emrat e tyre janë shkruar në “Yad Vashem”, muzeun e hoolokaustit, në Jerusalem.
Mbështetje gjatë realizimit të filmit, Islami thotë të kenë pasur nga Zyra e kryeministrit të Kosovës, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe ajo në Tiranë, pastaj nga PTK-ja, “Eurokoha” etj.
Ndërsa për sjelljen e filmit dhe autorit të tij në Zvicër ai falënderon Ambasadën e Kosovës në Bernë.