RCCOLA

Mirë njëherë

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Me pare i ka punët për merak. Por i ka dalë telashe me anëtarë të bordit.

Trusti i Kursimeve Pensionale për nëntë muaj të këtij viti ka realizuar kthim nga investimet në tregjet ndërkombëtare rreth 40 milionë euro. Por, në bordin e vet e ka një anëtar që është konstatuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit se kundërligjshëm po i mban dy pozita, shkruan sot gazeta Express.

Është fjala për Ejup Qerimin, që njëherësh merr vendime për Trustin, por edhe mban pozitën e drejtorit të përgjithshëm të PTK-së.

Të premten, është bërë e ditur se derisa të vendosë gjykata, ai do të vazhdojë të mbetet në të dyja postet.
Megjithatë, Qerimi e ka bërë dert këtë punë me kryetarin e bordit, Ymer Havolli.
“Zotri Ejup Qerimi ka ardhur tek unë dhe më ka thënë se do ta iniciojë çështjen e konfliktit të interesit tek Agjencia Kundër Korrupsionit, do të thotë, personalisht Ejup Qerimi e ka inicuar. Për më tutje, lënda është te gjykata dhe nuk dua të interferohem më shumë. Po, është anëtar i bordit, përderisa gjykata të marrë vendim, ai është anëtarë i bordit”, ka thënë ai.

Në mbledhjen e parë, pas kompletimit me anëtarë të rinj për Trustin, është raportuar se ka realizuar të hyra rreth 50 milionë euro, 40 milionë prej të cilave janë kthim nga investimet e 10 milionë kontribute të reja të qytetarëve.

Uji Dea

Në total, me këto para, fondi i pensioneve që i menaxhon Trusti arrijnë në 705 milionë euro, nga 654 milionë sa kanë qenë më herët.
Ndryshe, në gjysmën e parë të vitit, Fondi pati rreth 8.8 milionë euro kthim negativ nga investimet. Performanca negative e investimeve në tremujorin e dytë vazhdoi të jetë e lidhur kryesisht me krizën e borxheve në disa vende të Bashkimit Evropian, që përveç krizës së rënduar në Greqi ajo vazhdoi të shfaqet më fort edhe në Itali, Spanjë e Holandë. Kjo periudhë e tensionuar gjatë muajve prill e maj, sipas të dhënave të Trustit, frikësoi investitorët dhe rivendosi në rrezik monedhën euro, çka bëri që bursat kryesore të botës të bien në nivele rekorde për vitin 2012.

Megjithatë, në këtë periudhë u regjistruan si e arritur 19 milionë euro falë performancës së mirë në tremujorin e parë 2012, kur u realizua kthim në investime mbi 28 milionë euro.

Për këtë arsye, edhe nuk kanë marrë ndonjë vendim të ri për ndryshimin e strategjisë së investimeve.
Ndërkaq, kanë rritur gatishmërinë për të investuar sa më shumë mjete në Kosovë, me ndryshimet ligjore që rregullojnë aktivitetin e Fondit.
Bordi vendosi në korrik të këtij viti të investojë për herë të parë në letrat me vlerë të Qeverisë së
Kosovës 13.8 milionë euro, me një normë interesi prej 3.05 për qind.

Tashmë vlera totale e investimeve në Kosovë, bashkë me rreth 35 milionë euro depozita në dy banka komerciale, shkon në rreth 48 milionë euro.
“Ne vazhdimisht jemi duke marrë pjesë në tenderë me shuma më të mëdha sesa që na është mundësuar blerja, sepse në ata tenderë marrin pjesë edhe palë të tjera të interesuara”, ka thënë Havolli.

Zyrtarët e Trustit kanë hedhur poshtë mundësinë që paratë e pensioneve t’i investojnë për blerjen e PTK-së, siç është propozuar një ide e tillë nga kandidati për president, Seremb Gjergji, kohë më parë.
Drejtori menaxhues i këtij institucioni, Ardian Zalli ka shpjeguar se edhe po të donte Trusti, ligji nuk e lejon këtë.
“Ligjërisht, Trusti mund të investojë vetëm në aksione që janë të tregtueshme në një bursë, në letra me vlerë të Qeverisë dhe treg të parasë, do të thotë ligji nuk lejon një gjë të tillë”, ka thënë Ardian Zalli.
Sipas tij, edhe po të ishin mundësitë që të bëhej një hap i tillë, në PTK nuk do të mund të investoheshin më shumë se 5 për qind e totalit të parave të pensioneve.