RCCOLA

Miratohet projektligji për buxhetin e vitit 2014

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Projektligji për Buxhetin e viti 2014 është miratuar me 59 vota për, 31 kundër dhe 1 abstenim, pas një debati shumë orësh nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Me gjithë kundërshtimin e opozitës, projektbuxheti mori vizën në lexim të parë. Pas një debati të gjatë në Kuvendin, ka kaluar në lexim të parë projektligji për buxhetin e vitit 2014.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar lartë buxhetin për vitin 2014, duke thënë se do të mundësojë rritjen e pagave ashtu siç ka premtuar për 100 për qind, në mandatin e ardhshëm, 2014-2018. Ai ka theksuar se do të vazhdojnë me rritjen ekonomike, qeverisjen e mirë, integrimet evropiane, me përmirësimin e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale.

Kreu i Qeverisë ka theksuar se kanë premtuar rritjen e pagave në vitin 2010 për 50 për qind, për mësimdhënësit, mjekët, policët, pjesëtarët e FSK-së, pensionistët, veteranët, familjet e dëshmorëve, zjarrfikësit, dhe e kanë realizuar, raporton KosovaPress.

“Ky është premtimi im, zotimi im dhe vendimi im, natyrisht me vullnetin e qytetarëve”, ka thënë Thaçi.

Ai ka folur edhe për investimet që thotë se ka bërë Qeveria e udhëhequr nga ai, nëpër komunat e Kosovës, duke shtuar se në asnjë rrethanë nuk është shikuar se kush e udhëheq atë Komunë. Sipas tij, vetëm në Prishtinë janë investuar 110 milionë euro, pastaj në Prizreni mbi 100 milionë euro.

Deputetët opozitarë duke e shqyrtuar projektligjin për buxhetin e vitit 2014, kritikat e tyre rreth këtij buxheti i kanë nisur me akuza ndaj kryeministrit, Hashim Thaçi dhe shumë ministrave, të cilët nuk kanë qenë në seancë plenare derisa ata po diskutonin për projektligjin me të rëndësishëm që i shkon Kuvendit.

Kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, ka thekuar se ata si komision i kanë dhënë mbështetje këtij projektbuxheti me shumicë votash, duke konsideruar se Qeveria ka respektuar parimet kryesore që kanë të bëjnë me ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale, sigurimin e financimit të plotë, ruajtjen e masës fiskale në nivel të mjaftueshëm, se janë adresuar barrierat për konkurrencën në sektorin privat, trendin e investimeve kapitale, mjetet për paga dhe mëditje, dhe subvencionet e transferet.

Fundamenti

Pas këtyre, lëvdatat për këtë projektbuxhet kanë dhënë edhe deputetët e pozitës, duke thënë se ai është një projektbuxhet zhvillimor, për mirëqenie sociale, dhe ngritjen e pagave për gjithë shërbyesit civil dhe sektorë tjerë.

Rreth projektligjit për buxhetin e Kosovës për vitin 2014, foli edhe Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili përveç që pati disa pyetje për Ministrin e Financave, ka shtruar edhe çështjen e ndërtimit, administrimit dhe menaxhimit të komplekseve memoriale.

“Një çështje tjetër, qe dua ta diskutoj është çështja e komunës së Drenasit, pasi këtu po fliten dhe po bëhen krahasime dhe unë e pata rastin që këtë vit të njihem më për së afërmi me gjendjen ne atë komunë. Të gjithë e dini se janë krijuar barsoleta të ndryshme për Drenicën e Drenasin dhe ato barsoleta tregojnë se aty mirëqenia është në kulm. Unë po ju them që në Drenas nuk ka asnjë rrugë që mund të quhet rrugë e kualitetit. Në Drenas nuk ka asnjë ujësjellës të përfunduar. Komuna e Drenasit është komuna më e prapambetur në Kosovë dhe unë jam i bindur që nuk e meriton. Unë nuk them, që krejt kjo është çështje e buxhetit, por kjo është mosdije në qeverisje”, ka thënë Krasniqi.

Shumë e zëshme me kritika dhe akuza për buxhet të dobët ka qenë opozita gjatë këtij shqyrtimi. Deputeti i LDK-së, Naser Osmani, kritikat i ka filluar duke thënë se është një keqardhje që nuk janë të pranishëm as kryeministri, as zëvendësit e tij, asnjë ministër i sektorëve përkatëse, përjashtuar dy prej tyre. Ndërsa, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se me këtë projektbuxhet Qeveria rreshtohet si problem e jo zgjidhje të problemeve tjera që ka Kosova. Sipas Kurtit, Qeveria e Kosovës nuk ka vizion për zhvillim ekonomik.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, ka thënë se është interesante se si mund të parashihen apo proklamohet një rritje e madhe ekonomike kur dihet se nga vet Qeveria parashikohet një rritje e GDP-së prej 4.1 për qind, ndërsa mesatarja e rritjes se vendeve në zhvillim është 5.1 për qind.

“Kjo rritje tek ne nuk është për mburrje, për shkak se është nën mesataren e rritjeve të vendeve në zhvillim”, ka thënë Gjini.

Deputetët e opozitës kanë dhënë po ashtu vërejtje edhe rreth ndarjes së buxhetit për komunat, duke thënë se në ato komuna ku udhëheq partia në pushtet, ka me shumë buxhet të ndarë se sa në ato ku udhëheqin partitë tjera, edhe pse janë qytete me të mëdha. /Telegrafi/