Ministri Hoxhaj, i papërgjegjshëm
Ministri Enver Hoxhaj është i papërgjegjshëm dhe ka dështuar. Kështu kanë thënë disa anëtarë të Komisionit për Integrime Evropiane kur panë se Hoxhaj nuk kishte shkuar të raportonte edhe pse ky takim ishte në agjendë që shumë kohë.
Anëtarët e këtij komisioni kanë pohuar se ai nuk mungon vetëm në këtë komisionin por edhe në atë për Punë të Jashtme, e që sipas tyre, tregon dështimin e tij, se sikur të kishte çfarë të thotë mezi do priste për të marrë pjesë.
Në këtë komision Hoxhaj është ministri i gjashtë i ftuar për të raportuar, por i cili duhej të raportonte vetëm për zhvillimin e diplomacisë parlamentare dhe koordinimin e saj më të mirë.
Tash i ka mbetur që të raportojë më 27 shkurt, ku anëtarët e Komisionit për Integrime shpresojë se kësaj radhe ai do të tregojë përgjegjësi.
Vjosa Osmani nga LDK-ja ka pohuar se Hoxhaj është ministri më i papërgjegjshëm në raport me Kuvendin, për dallim nga ministrat e tjerë.
“Jo vetëm në takim raportues por edhe në takim koordinues sa i përket procesit të anëtarësimit dhe bashkëpunimit me Këshillin e Evropës sepse është një detyrë që i takon këtij komisioni me rregullore dhe për kundër asaj që ne kemi pritur konfirmimin për një kohë të gjatë dhe e kemi ndryshuar edhe agjendën tonë sipas agjendës së ministrit, prapë se prapë në momentin e fundit po anulohet”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër Alma Lama, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se minimumi që duhet të bëjë ministri është të raportojë në komisioni dhe që të vijë në sallën e Kuvend dhe të marri pjesë në debat.
Ajo ka thënë se është krijuar një praktik e keqe që ministrat vetëm të bëjnë propagandë në media dhe nuk vijnë për tu përballur me deputetët dhe të vërtetën.
Lama e ka quajtur të papërgjegjshëm dhe të dështuar ministrin Hoxhaj.
“Kjo është shmangie nga përgjegjësia, mos të harrojmë se ministri i jashtëm bënë të njëjtën gjë edhe në komisionin për Punë të Jashtme, gjë që është tërësisht e papranueshme. Shmangia nga përgjegjësia nuk është asgjë tjetër veçse dështim në politikën e jashtme. Në rast se ministri i jashtëm do të kishte çfarë të raportonte dhe të kishte çfarë të raportojë, jam e sigurt se do të vraponte përpara mediave dhe në komisioni e kudo që ti jepej mundësia. Nuk ka çfarë të raportojë se totalisht ka dështuar prandaj nuk vjen”, ka thënë ajo.
Ndërsa, kolegu i tij nga partia, Xhavit Haliti u mundu ti del në krahë, duke thënë se Hoxhaj sigurisht ka informuar më herët që do të mungon.
Megjithatë shprehu besimin se Hoxhaj nuk do të mungon më 27 shkurt në këtë komision.
“Kam dëgjuar edhe ankesa të tjera nga komisioni për politikë të jashtme, dhe nuk dua ti kundërshtojë ato që u thanë, por me sa di unë ai ka udhëtuar zyrtarisht diku dhe po besojë se për udhëtimin e tij ka njoftuar edhe organet përkatëse, pra administratën dhe ndodh edhe kryetarin e komisionit. Po besojë se Hoxhaj duhet të vij dhe do të vij në mbledhjen e ardhshme të komisionit”, ka thënë ai.
Komisioni në këtë mbledhje ka miratuar disa projektligji e disa të tjera i ka lënë për mbledhjen e ardhshme./Kosovapress/

