UBT

Metush Krasniqi – shqiptarët do të jenë të lirë dhe të barabartë, vetëm atëherë kur Kosova do të jetë pjesë e pandashme e Shqipërisë

/ 21 minuta lexim
Hidromorava

Nga Sabile Keçmezi-Basha – T`i kujtojmë atdhetarët tanë, (1927- vdiq nga torturat e UDB-es më 15.10.198619). Në kohën kur lindi dhe u rrit Metush Krasniqi, Ishin kohë të vështira dhe të rënda për Kosovën. Kohë kur shpërnguljet e shqiptarëve për Turqi po intensifikoheshin dhe dhuna e terrori ndaj shqiptarëve nuk kishte të ndalur. Metush Krasniqi si intelektual që ishte nuk e ndjente veten mirë, andaj qëndrimi duarkryq i dukej i papranueshëm dhe vendosi për dashurinë e madhe që kishte ndaj vendit dhe ndaj lirisë, të ndërmerrte diçka, të organizonte në një mënyrë rezistencën ndaj okupuesit.

Bacë Metush Krasniqi u lind më 19.08.1927 në fshatin Dajkoc, komuna e Dardanës (ish Kamenicës), shkollën fillore katër klasat e para i kreu në gjuhën shqipe në fshatin Hodanoc, ndërsa katër klasat tjera gjatë viteve 1942-1946 i kreu në Gjilan në gjuhën shqipe. Gjatë viteve 1947-1949, e kreu një kurs pedagogjik në Pejë dhe Gjakovë. Ndërsa në vitin 1950 diplomoi në Shkollën Normale të Gjakovës. Në vitin 1950-1951 filloi punën si mësues në shkollën fillore në Shipashnicë të Epërme. Autoritetet e arsimit vetëm një vit më vonë Metush Krasniqin e transferojnë në shkollën fillore të Strezovcit fshat ky në komunë

të Dardanës. Aty punoi një vit dhe u transferua në Hogosht. Pas një viti Metush Krasniqin e transferuan në shkollën fillore në Muçivercë, por në vitin shkollor 1955/1956 me vendimin e organeve arsimore të Rrethit të Dardanes (ish-Kamenicë), shkolla 8 klasëshe e Muçivërcit me gjithë arsimtarët dhe mjetet mësimore bartet në Roganë dhe për çudi po me atë vendim Metush Krasniqin e emërojnë drejtor të shkollës, në këtë shkollë e cila sot mban emrin e këtij atdhetari të denjë. Në vitin 1957 pas ndjekjeve dhe burgosjeve detyrohet të shpërngulet në Shkup. Atje krahas punës në arsim me një përkushtim të veçantë vepron në lëvizjen ilegale patriotike shqiptare.

Baca Metush, për herë të parë u burgos në Lubjanë në pranverë të vitit 1947, sa ishte në shërbim Ushtarak. Për here të dytë u burgos më 1948, në Gjakovë para nxënësve të Shkollës Normale ku ishte duke i ndjekur mësimet përfundimtare. Për here të tretë e burgos më 1956, gjatë aksionit të armëve dhe e dënojnë me 60 ditë burg. Ky dënim iu shqiptua për mos dorëzimin e armëve dhe e akuzonin se po bënë propagandë kundër rendit Kushtetues të Jugosllavisë, për shpërnguljen e Shqiptareve për në Turqi si dhe iu zunë disa shkrime me Planë Programe Shkollore në Gjuhën shqipe që ishin të ndaluara sipas pushtetit. Për here të katërt e burgosin më 03.11.1958, ku i ngritën Aktakuzën dhe i nxorën para Trupit Gjykues në Gjyqin e Qarkut në Gjilan më 01- 07 mars të vitit 1959. U akuzua për formimin e organizatës ilegale-patriotike “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë”.

Gjatë tërë këtyre burgosjeve, baca ishte i vetëdijshëm se vetëm ai nuk ishte i pakënaqur në këtë shtet të krijuar artificialisht, dhe ndaj një okupimi e kolonizimi klasik, duhet të reagonte. Për të formuar një organizëm që do të reagonte ndaj padrejtësive të shumta që iu bënin shqiptarëve ai mori shumë iniciativa. Së pari i njoftoi disa koleg-mësues, që po ashtu mendonte se kanë mendim të njëjtë. Së pari, u takua me Sejdi Kryeziun, me të cilin zhvillonte biseda që zakonisht përfundonin se si populli shqiptar po vuan shumë nën okupimin serb, dhe e vetmja zgjidhje e kësaj situate të nderë ekziston në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ngase edhe ashtu me tradhti iu është marrë asaj. Pasi se ishte i bindur në aspiratat e Sejdi Kryeziut dhe pasi pajtohen se duhet formuar një organizatë, e cila do t’i koordinonte punët në teren dhe do të angazhohej për kryengritje të armatosur për të rrënuar sistemin komunist, ata bashkërisht angazhohen që të bisedojnë edhe me bashkëmendimtarë të tjerë. Duke e ditur se Metë Dërmaku edhe më herët ishte shquar për veprimtari anti-jugosllave, vendosin që të takoheshin me te dhe të bisedonin për formimin e organizatës.

Metë Dërmaku edhe pse më herët kishte qenë i dënuar si armik i popullit më 1947, dhe ishte dënuar me 5 vite burg të rëndë, ai përsëri pranon që të punojë me ta dhe iu jep përkrahjen e plotë në të gjitha qëndrimet e tyre. Po ashtu, Metush Krasniqi, në ndërkohë kishte krijuar lidhje edhe me referentin e arsimit në Preshevë, me Marko Gashin. Me të kishte zhvilluar biseda lidhur me organizatën ilegale dhe se nuk kishte pasur shumë nevojë për ta bindur atë për padrejtësitë e shumta që iu bëheshin shqiptarëve, se për Markon këto të dhëna nuk ishin të panjohura, e aq më tepër kur të flitet për trajtimin e popullit shqiptar në Preshevë dhe në rrethinë. Njoftimin për

formimin e një organizate ilegale që do të punonte kundër Jugosllavisë dhe sistemit okupues të saj në Kosovë, Marko e kishte prit me entuziazëm.

Pas të gjitha këtyre takimeve e bisedave që kishte pasur me njerëzit që kishte besim tek këta, fillimisht ai takohet me Sejdi Kryeziun, Metë Dërmakun-Nuredinin dhe Marko Gashin. Sipas të dhënave që kemi del se organizatën “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë” u themelua në muajin qershor të vitit 1957, në fshatin Roganë (Rogaqicë). Takimi është mbajtur në shtëpinë e Sejdi Kryeziut dhe në të kanë marrë pjesë: Metush Krasniqi, Sejdi Kryeziu, Metë Dërmaku-Nuredini, Marko Gashi dhe Qemajl Kallaba. Për këtë takim ishin bërë përgatitjet e duhura, ishin marrë masa të mëdha për të mos rënë në sy nga të tjerët. Për mbledhjen e shumë pritur ishte caktuar rendi i ditës me këto pika : 1. Leximi i referatit , të cilin e kishte përgatitur Metush Krasniqi, 2. Leximi i disa poezive që i kishte shkruar vet Metush Krasniqi, por edhe poezi të tjera , që kryesisht kishin përmbajtje patriotike dhe nën 3. Sqarimi i një strukture organizative të një formacioni ushtarak.

Në referatin politik, ai kishte përfshirë periudhën që nga përfundimi i LDB e deri më 1958. Në të kishin paraqitur qëndrimet dhe kishin bërë propozime për grupin. Në të u fol dhe u konsiderua se shqiptarëve në Kosovë po iu shkeleshin të drejtat dhe se ata nuk janë të barabartë me popujt e tjerë të Jugosllavisë. Kishin folure shtruar për persekutimet, arrestimet, torturat dhe pushkatimet që ishin kryer dhe po kryheshin ndaj popullit shqiptar nga ana e “partizanëve” të Jugosllavisë, që nga lufta e deri më sot. Ndërsa, për shpërnguljen e shqiptarëve baca thoshte se vet pushteti jugosllav ka organizuar shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, me të vetmin qëllim që shqiptarët në Kosovë dhe në Jugosllavi të mbetën pakicë në raport me popujt tjerë të Jugosllavisë.

Ai njëherë parasheh se shqiptarët do të jenë të lirë dhe të barabartë, do të kenë flamurin e tyre, do të mësojnë në gjuhën e tyre, do të kenë pushtetin, administratën në duar të veta, do të kenë ushtrinë e tyre dhe do të gëzojnë lirinë e plotë, vetëm atëherë kur Kosova do të jetë pjesë e pandashme e Shqipërisë.

Rëndësi të veçantë i kishte kushtuar formimit dhe aktivizimit të formacionit ushtarak, duke iu treguar skemën organizative dhe në momentin e duhur do të vepronin me qëllim të realizimit të qëllimeve të këtij grupi.

Pas mbajtjes së takimit të parë, anëtarët e grupit ishin edhe më aktivë. Takoheshin më shpesh dhe propagandonin në popull idenë e bashkimit me Shqipërinë dhe në mënyrë indirekte iu tregonin se kjo jetë nën okupim është e padurueshme. Pas një viti pune të frytshme konspirative, ftuan mbledhjen e dytë (korrik 1958), duke e mbajtur në shtëpinë e anëtarit të organizatës- Marko Gashit në Preshevë. Në të u diskutua për aktivitetin e organizatës dhe për angazhimin e personave të rinj që kishin aderua në të. U bë fjalë gjithashtu për angazhimin sa më të madh të anëtarëve në propagandimin e rezistencës, për sigurimin e mjeteve për aktivitet propagandues, për hartimin, shtypjen dhe shpërndarjen e afisheve dhe të proklamatave, për krijimin e lidhjeve me ndonjë përfaqësi dhe përfaqësues të diplomacive të huaja që ndodheshin në Shkup, me qëllim të përkrahjes dhe të ndihmës materiale, po ashtu edhe të përkrahjes morale për punë dhe organizim në kushte tejet të vështira.

Në këtë mbledhje u bë edhe ndarja e detyrave në mes anëtarëve, si : Metush Krasniqi mori për sipër që të mbulonte sektorin e propagandës. Të shkruante sa më shumë parulla e trakte, t’i shumëzonte ato dhe t’i shpërndante në fshatrat e Kamenicës, si në Hogosht e Muçivërc, pastaj në fshatrat e Preshevës dhe në Bujanovc. Sejdi Kryeziut iu caktua detyra për grumbullimin e ndihmave vullnetare në të holla, me qëllim të blerjes së një shaptilografi, të makinave të shkrimit etj. Marko Gashi u obligua të vendoste kontakte me përfaqësi të huaja diplomatike. Posa u caktua në këtë detyrë, Marko filloi aktivitetin e dendur politik e diplomatik.

Menjëherë kishte udhëtuar për Shkup dhe për Prizren, me të vetmin qëllim që atje nëpër mes personave që i njihte, dhe në bisedat e mëhershme i kishin premtuar për të vu kontakte me përfaqësi diplomatike në Shkup e Beograd. Njëherë kishin planifikuar për qëllime pune të takoheshin edhe me Legatën e Shqipërisë që ishte e vendosur në Beograd. Për takimin me personelin e Legatës ishte caktuar që të shkonte Metë Dërmaku-Nuredini.

Pas përfundimit të mbledhjes, Metush Krasniqi mori përsipër që të hartonte tekstin e një “proklamate” që do ta shpërndanin anëtarët e grupit në vende të ndryshme të Kosovës. Nëpër mes “proklamatës”, ata iu bënin thirrje popullit shqiptar që të ngritët në kryengritje kundër rendit okupues në Jugosllavi, dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Metush Krasniqi, veç këtyre dokumenteve kishte hartuar edhe një referat politik mbi emigracionin shqiptar në Perëndim. Në të kishte përfshirë politikën e jashtme të emigracionit dhe aktivitetin e tyre në luftën kundër pushtetit jugosllav. Atdhetari Krasniqi, në mungesë të flamurit kombëtar kuqezi, ai me dorën e vet kishte vizatuar shqiponjën dykrenore dhe e kishte prerë duke e vënë si flamur gjatë mbledhjeve që i mbante në ilegalitet. Para këtij flamuri të improvizuar jepej betimi i anëtarëve të organizatës dhe anëtarët e saj merrnin pseudonimet në veprimtarinë ilegale.

Në mbledhjen që u mbajt në Preshevë u mor edhe qëndrimi që të gjithë anëtarët të kenë shifrën në letërkëmbimin e ndërsjellë; që të formoheshin grupe të vogla veprimi në teren. Për njerëzit që do të angazhohen në ilegale, ata duhet të jenë katërçipërisht të pakënaqur me pushtetin dhe me gjendjen okupuese që mbretëronte te populli shqiptar. Duhet të ishin njerëz të besueshëm dhe atdhetarë të devotshëm. Në mbledhje ishte biseduar edhe për maskimin e anëtarëve të grupit, me qëllim që gjatë veprimtarisë të jenë më të lirë dhe të panjohur për rrethin ku kryenin veprimtari ilegale. po ashtu ata do të ishin edhe më të sigurtë në shpërndarjen e trakteve, të bartjes së materialeve ose të ndonjë detyre tjetër të ngjashme. U arrit qëndrimi që për anëtarët e grupit të siguroheshin edhe letërnjoftime false në rast të ndonjë zbulimi nga ana e organeve të ndjekjes.

Dhe, arrestimi i katërt ndodhi, më 03.11.1958, kur edhe ngritën Aktakuzën dhe i nxorën para Trupit Gjykues në Gjyqin e Qarkut në Gjilan më 01- 07 mars të vitit 1959. Janë të njohura masat torturuese që i aplikonin hetuesit ndaj të burgosurve politikë shqiptarë. Por masat që u përdorën ndaj Metush Krasniqit dhe grupit të tij, ishin të veçanta. Në bazë të të dhënave vijmë në përfundim se qëndresa e Metush Krasniqit ndaj torturave që i bënin udbashët ishte shumë e fortë dhe asnjëherë nuk i kishte dhënë shokët pa marrë parasysh se çfarë masash merreshin ndaj tij. Andaj edhe është

e pritur se në këtë organizatë u zbuluan vetëm 6 veta, edhe pse dihej se ajo kishte një numër të konsideruar anëtarësh. Në hetuesi, qëndronte Metush Krasniqi me shpirt në dhëmbë, por çka ishte e vërteta qëndronin edhe shokët e tij.

Eco Higjiena

Masat ndëshkuese nuk u aplikuan vetëm ndaj Metushit, ata nuk kursyen as të tjerët. Duke e llogaritur mirë del se, Metush Krasniqi në hetuesi i kishte kaluar gjithsej 18 muaj e 6 ditë në burgun e Gjilanit. Gjatë kësaj kohe torturat ndaj tij ishin shtazarake dhe të tmerrshme. Ndaj tij dhe të gjithë atyre u përdor dajaku, shkelmi, fyerja, thyerja e dhëmbëve, thyerja e brinjëve. U aplikua dhe u përdorën masat e dhunës psikologjike, lëshimi i minjve në qeli, reflektimi i dritave për të mos i lejuar që të flinin.

Qëndrimi me orë të tëra në këmbë, por edhe duke mos iu dhënë ujë të pijshëm. Me rastin e arrestimit të tretë, rrëfen bacë Metushi se : “në burgun e Kamenicës më morën në pyetje tri ditë e tri net rresht. Pastaj më sollën në burgun hetues në Gjilan dhe më futën në një birucë të pistë e të errët. Katër muaj nuk më nxorën në dritë. Të ftohtit ishte i padurueshëm e lagështia më kishte bllokuar kraharorin. Natën më merrnin në pyetje dhe përdornin dajakun ndaj meje, më sillnin me kërbaç, me shqelma dhe me shufra hekuri. Më rrihnin dhe më pyetnin për veprimtarinë time ilegale dhe të shokëve, unë nuk folja, çile gur gojën, e guri gojë nuk kishte.

Pas dërrmimit e rraskapitjes, ata më hidhnin në birucë. Posa hyja aty më zinte gjumi, porse ata nuk do të ishin udbash po të më linin që të flija. Mbi qeli kishin rregulluar një sistem të çuditshëm të pikjes së ujit të ftohët akull në çdo dy-tre sekonda. Posa mbyllja sytë, uji fillonte të mi lagte gjymtyrët e trupin dhe më gjumë nuk mund të kisha.

Ndërsa me rastin e katërt të arrestimit, në burgun e Gjilanit, të burgosurit i kishin shkallmuar kërbaç. Familjarët kur i merrnin rrobat e tyre u tmerronin duke i parë ato të mbuluara me gjak. Atyre iu hyri frika se mos ndoshta do t’i mbysin aty, ngase nuk ishte befasuese se shumë të burgosur shqiptarë nuk dilnin të gjallë nga qelitë e tyre.

Në procesin gjyqësor, para trupit gjykues, Metush Krasniqi mohoi disa të dhëna që i kishte dhënë në hetuesi, gjykatësi iu kundërvu duke i thënë, pse atëherë ke thënë kështu e tani po e mohon. Ai siç ishte i patrembur, ngre këmbën e pantallonave, dhe të pranishmit panë një skenë të llahtarshme, këmba iu ishte bërë gjak e qelb dhe kishte ngelur vetëm asht e lëkurë, pas kësaj tregoi edhe këmishën dhe nga të pranishmit u dëgjua një ofshamë e madhe. Trupi i Bacës, ishte i larë në gjak. Gjykatësi heshti, ndërsa më vigjilentët ishin policët serbë të cilët reaguan ndaj të pranishmëve duke iu thënë se po qe se edhe njëherë reagojnë në këtë mënyrë do të zbrazin sallën.

Pas marrjeve të gjata në pyetje, dhe pas torturave të mëdha që iu bënin të arrestuarve në hetuesi, shëndeti dhe jeta e tyre ishte në rrezik. Të gjithë anëtarët e organizatës që i kishin zbuluar edhe pse vepronin e punonin në qendra të ndryshme jashtë Kosove, ata i grumbulluan dhe i sollën në burgun hetues të Gjilanit.

Sipas të dhënave thuhej se për Metush Krasniqin familja më tepër se dy muaj nuk e kishte ditë se a është i gjallë a i vdekur. Vëllai i tij Osman Krasniqi nëpër mes disa lidhjeve që kishte krijuar enkas për këtë rast, e kishte zbuluar se Metush Krasniqi ndodhej në burgun e Gjilanit. Pas këtij lajmi të gëzueshëm, të gëzueshëm i thënçin, familjarët fillojnë ta vizitonin dhe t’i dërgonin ushqime e rroba të pastra. Në një rast kur gruaja e Metushit- Havisha, ia kishte marrë për t’i pastruar rrobat e Metushit, që i kishin sjell

nga burgu, kishte ngel e shtangur, ngase rrobat e tij ishin krejtësisht të mbuluara me gjak. E shqetësuar tej mase për jetën e burrit, i kishte treguar kunatit-Osman. Me rrobat në duar Osmani shkon në Gjilan dhe kërkon që të takohet me prokurorin publik të Prokurorisë së Qarkut në Gjilan.

Prokurori Tahir Ibrani e pranon, por kur dëgjon rrëfimin e vëllait të Metushit dhe kur sheh se rrobat e tij ishin të lara në gjak, atij i shkojnë lotët dhe i premton të vëllait se e vetmja mënyrë për ta shpëtuar nga këto tortura të mëdha ishte që ta shpejtoj procesin gjyqësor ndaj tyre, ngase aty ku janë ai nuk kishte kurrfarë mundësie që ta ndihmonte. Osman Krasniqi i ishte shumë mirënjohës për këtë gjest të prokurorit. Dhe, nuk vonoi shumë u organizua procesi gjyqësor ndaj anëtarëve të organizatës ilegale “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin amë”.

Gjykata e Qarkut në Gjilan, kolegjin gjyqësor e kishte caktuar nga këta persona : kryetar ishte caktuar Ratomir Patërnogiq, ndërsa gjyqtarët -Mustafë Hoxha dhe gjyqtarët porotë ishin Vehbi Memeti, Sefë Sherifi dhe Tuna Tomiq, si anëtarë të kolegjit dhe procesmbajtës i procesit ishte Slobodan Jeftiq. Aktakuzën nga Prokuroria Publike e Qarkut të Gjilanit e paraqiti prokurori Tahir Ibrani. Ai e kishte mbajtur fjalën dhe e kishte përshpejtuar procesin. Procesi gjyqësor filloi më 1-7 mars të vitit 1959.

Para trupës gjykuese dolën atdhetarët e njohur të Anamoravës, por edhe më gjerë si: Metush Krasniqi, mësues nga Shkupi, Marko Gashi, nëpunës i PPRr në Preshevë, Sejdi Kryeziu, mësues nga Topanica e Kamenicës; Metë Dërmaku-Nuredini, bujk nga Shipashnica e Epërme; Qemal Kallaba, mësues nga Strezovci dhe Memet Ajeti, mësues nga Konçuli. Të gjithë këta atdhetarë akuzoheshin se kishin kryer vepër penale politike nga neni 117, paragrafi 1 dhe 2, të LP ( bashkim kundër popullit dhe shtetit), dhe të veprës penale mosparaqitja e veprës penale ose e kryesit të veprës penale nga neni 280, paragrafi 1, i LP.

Ditën e procesit gjyqësor ndaj të akuzuarve, Kadrush Sylejmani e përshkruan kështu : “Në orët e hershme të 1 marsit të vitit 1959, forca të mëdha policore e rrethuan ndërtesën e Gjykatës së Qarkut, ku duhej të fillonte procesi gjyqësor kundër Metush Krasniqit dhe shokëve të tij. Dera e sallës ku do të mbahej gjykimi u hap në orën e caktuar. Anëtarët e familjeve të të akuzuarve , pas kontrollit rigoroz, hynë në sallën e gjyqit. Pas pak hynë avokatët-mbrojtësit e të akuzuarve, e mandej i sollën duarlidhur të akuzuarit :Metush Krasniqin, Sejdi Kryeziun, Mark Gashin, Mehmet Dërmakun-Nuredinin, Qemal Kallabën e Mehmet Ajetin, të shoqëruar me një dyzinë policësh të armatosur me automatik e revole” Pasi kishin zënë vend të pranishmit, erdhën gjykatësit dhe prokurori. Dhe pasi u krye procedura zyrtare, prokurori lexoi aktakuzën dhe kërkoi nga trupi gjykues që të akuzuarit të dënohen “për veprimtari të inkriminuar të bashkimit kundër popullit e shtetit…”

Në procesin gjyqësor të mbajtur nga 1-7 marsi 1959, me aktgjykimin P. nr. 19/ 59 iu shqiptohet dënimi dhe shpalli aktgjykimin:

  1. Metush A. Krasniqi, mësus, ( 1926 ), Dajkoc, neni 117/ 1 LP. 7.03.1959. (18 vjet burg)
  2. Mark A. Gashi, nëpunës, ( 1912 ), Zhegër, neni 117 / 1 LP. 7 03. 1959. (10 vjet burg)
  3. Sejdi Z. Kryeziu, mësues, ( 1927 ), Rogaçicë, neni 117/ 1 LP.7. 03. 1959. (10 vjet burg)
  4. Metë N. Dërmaku , bujk,( 1907), Shipashnicë, neni 117/ 1 LP. 7.03.1959. (2 vjet burg)
  5. Qemajl Kallaba, mësues, ( 1926 ), Rogaçicë, neni 117/ 1.7.03.1959. LP. (1,6 vjet burg)
  6. Mehmet Ajeti, mësues, (1921 ), Zarbicë , neni 117/ 1 LP 7.03.1959. ( 1,6 vjet burg)

Pas e kishte përfunduar burgun e katërt, ai nuk e ndali veprimtarin ilegale. Bacën, përsëri e burgosin për here të pestë në nëntor të vitit 1969, pas demonstratave të vitit 1968! Akuzohej për organizimin e Demonstratave dhe bashkëpunimin me organizatorët e demonstrative të vitit 1968. Por, në mungesë të fakteve e liruan ngase asnjëri nga organizatorët nuk e zuri në gojë emrin e tij. Në realitet, bacë Metush Krasniqi, ishte ideolog i Demonstratave të vitit 1968, dhe e kishte bashkëpunëtorë të ngushtë Ismajl Dumoshin, nëpër mes të cilit takoheshin edhe me të tjerë.

Se puna e tij ishte në frymën e Bashkimit Kombëtar e vërteton edhe e dhëna se ai, me 2, 3 e 4 shtator të vitit 1974, organizon një pritje të ngrohtë në shtëpinë e vet, në Dajkoc të Dardanës, bashkë me Adem Demaçin, Mulla Ramë Govorin, Hyrije Hanën, Ahmet Haxhiun, Selman Ramadanin, Fehmi Bajramin, Sylë Krasniqin, Hazir Krasniqin. Në këtë takim ishin edhe Ilmi Ramadani, student, si dhe Emin e Besnik Krasniqi, nxënës. Nga këto bisedime u arritë marrëveshja e Pajtimit, në ide e në veprime, dhe u vendos që të vazhdohet Lufta Nacional Çlirimtare e Kosovës e Viseve të tjera në ish-Jugosllavi vetëm me një “Platformë Politike Kombëtare”, as të majtë e as të djathtë, nga i cili takim do lind edhe ”Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës”, më 1974, dhe më vonë LNÇKVSHJ, më 1976/77.

Për here të gjashtë e burgosin në prill të vitit1981, pas Demonstratave gjithë popullore, e mbajnë 4 muaj të izoluar në burgun e Gjilanit. Gjatë qëndrimit në burg, nga baca Metush Krasniqi, udbashët kërkonin që ta nënshkruaj një Kërkesë për ta liruar nga burgu, mirëpo, ai pa hezitim iu ishte përgjigjur: kur më keni burgosur ju, unë nuk bëra kërkesë për burgosje, por, ju më burgoset, andaj, po ashtu duhet edhe të më lironi pa Kërkesë!. Pas daljes nga burgu Metush Krasniqin e shohim duke bashkëpunuar me organizatat ilegale të Kohës dhe bashkëpunimi me ta për ta arritur Qëllimin Themelor, për Themelimin e Republikës së Kosovës, por kurrsesi të mos ndalet ideja e Bashkimit të Trojeve Shqiptare me Shqipërinë.

Për here të shtatë e burgosin më 04.11.1985 dhe e mbajnë në burg gjeri më 17.6.1986! Sa e mbajtën në burgjet e Prishtinës e të Mitrovicës, atë e rrahin dhe e torturojnë në mënyrën më mizore. Pasi e kishin rrahur e dërmuar për vdekje UDB-a më 16 qershor 1986, Bacën Metush e liron nga burgu por, familjarët duke e parë gjendjen e rënduar, e dërgojnë në spital ku dhe ndërroi jetë nga pasojat e dhunës e torturave çnjerëzore që kishin bërë udbashët mbi trupin e tij. Jeta e tij e bujshme prej heroi u shua me 15.10.1986. U varrosur në fshatin e lindjes në Dajkoc me nderime të larta ashtu siç e meritonte heroi i Kosovës./rajonipress/