Mërgimtari ynë Fehmi Qerimi, vjen me “Klithmë kohe”

Gjilan – Fehmi Qerimi, një bashkatdhetar yni që prej vitesh jeton e punon në Zvicër, ku edhe mbaroi studimet e larta në fushën e mjekësisë intensive, vjen mes nesh përmes librit të tij të parë me poezi, “Klithmë kohe”, botuar përmes Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu”.
I lindur e i rritur në Grykën e Karadakut, përkatësisht fshatin Pidiq, shkollimin fillor e të mesëm i kreu në Zhegër, përkatësisht në Gjilan.
Gjatë fillimit të viteve 90 –ta, dhunshëm , si ushtar i ish ushtrisë jugosllave, e përfshijnë në luftën serbo – kroate, prej nga, mezi arratiset.
Më pas nis studimet në Prishtinë, në degën e letërsisë dhe gjuhës frënge por, nga rrethanat e kohës, i braktis pa dëshirën e tij dhe mërgon në Zvicër, ku edhe diplomon në vitin 2004, në Menagjment Shëndetësor, me fokus Psikologjia e Ndërmarrjeve Spitalore – Resurset Humane.
Megjithatë, dashuria për letërsinë tek Fehmiu rezultoi suksesshëm. Pos leximit të librave në gjuhën shqipe e frënge, Fehmiu zuri edhe të shkruaj, duke shpalosur një botë mendimesh mes kopertinave të një libri, i cili titullohet “Klithmë Kohe”.
I koncipuar përmes gjashtë cikleve, Rrënjët e dheut ar, Binom jete, Mozaiku i ëndrrës në pritje, Sirtarët e kohëve të trishta, Pritjet në sipërfaqen e hënës e Monologu i një skene ndryshe, poeti i ri, Fehmi Qerimi nis shetinë e tij poetike nga Gryka e Karadakut, duke shpaluar e sfiduar shumë ngjarje e përjetime nëpër të cilat kaloi populli ynë, madje edhe duke qenë shpesh edhe vet protagonist nëpër klithma kohësh, të cilat, më në fund rezultuan me lirinë e shumëpritur.
Recensenti i parë i parë i këtij libri, kritiku e poeti Nexhat Rexha,vlerëson se vëllimi poetik i Fehmi Qerimit vjen si rezultat i përkushtimit të tij nëpër bredhjet e jetës. Për të shtuar se, poezitë e finalizuara ruajnë në vete elemente burimore nga vendlindja e tij, Karadaku. Me këto ruajtje në shpirtin e tij ngërthehen edhe tiparet domethënëse të kësaj treve, e të këtyre njerëzve, të cilët kanë bartur në vete dashurinë e pandërprerë të jetës, pavarësisht ku ai ka jetuar e vepruar. Stolitë e atdhetarëve të Kosovës autori i ka perceptuar me shkëlqimin e gjakut të tyre, kur ata e dhanë jetën e tyre, si: Jusufi, Kadriu e Bardhoshi. Liria në kërkim artikulon edhe ruajtjen dhe kërkesën e universit.
Shekujt ndërrojnë jetën e shpresa për liri e ka mbajtur autorin të gjallë, në pritje dhe kërkim të saj. Autori beson në këtë botë, sepse ajo i ka edhe thesaret e veta, andaj edhe vargu i poezive të tij gjen e jep frymëzim për të dhe për lexuesin e tij.
Pritja për një përfundim ka mesazhin e kurorëzimit të elementit pozitiv, e ky pozitivizëm ka mbështetje edhe kur ai përfundon në atdheun e lirë. Këto trazime shpirtërore, sipas kritikut e poetit Rexha, i kanë edhe sinjalizimet e shkëndijave të ëndërruara. Kujtimet nga e kaluara dhe roli i nënës në edukim, kanë ruajtje të thellë në botën poetike të Fehmiut, sepse shtëpia e braktisur e përcjell atë kudo që shkon.
Në tërësinë e vargjeve të tij, malli nuk shteron, edhe pse koha gjithnjë në këtë botë është në ikje, ai të jep shpresën në ecje të kohëve, për të kurorëzuar ngrohtësinë poetike me të gjitha ngjyrimet e trevës nga vjen autori.
Ndërsa recensenti tjetër, Arsim Halili, i shquar kohëve të fundit dhe me shkrimet e tija eseistike për letërsinë, shton se Fehmi Qerimi është peng i stinorit kohë, për të cilin bredhjet e tij jashtë atdheut krijojnë binomin e jetës, të ngritur në fuqinë e shpërthimit eksponencial të një jete të dyfishtë mes ëndrrës dhe realitetit. Fuqia e zërit poetik jo vetëm që ndërkomunikon dhe etablon tema me larushi ëndrrash, që natyrshëm janë në divergjencë me kohën në ikje, e cila pashpjegueshëm dhe pahetueshëm krijon një mozaik të jetës ku në dioptrinë e tij krijues vë përballë universalen dhe individualen, të perceptueshmen dhe imagjinaren, por gjithnjë me shijen e një krijuesi që filtron vargun ku koordinon me fluiditet artistik dhe koncept të qartë ideo-tematik.
Libri i parë i këtij autori, i cili shquhet edhe për një përkujdesje të lartë teknike, si dhe një pikture që i gjason shumë titullit të librit, punuar nga piktori i mirënjohur, Jetullah Haliti – Eti, nga cikli “Pëllumbat e paqes”, do përurohet në fund të javës që vjen, në Gjilan, përmes Ars Clubit të shkrimtarëve “Beqir Musliu”./rajonipress/