Mërgimtarët nuk e presin komunën, nga dëshpërimi e rregullojnë vet rrugën

Gjilan – Komuna ka gjashtë vite që asnjëherë nuk ka intervenuar për ta rregulluar rrugën Dobërqan – Stublinë. Mërgimtarët duke e parë neglizhencën e zyrtarëve komunal dhe të dëshpëruar tej mase nga ky injorim i kanë grumbulluar mjetet dhe e kanë hapur vet rrugën me eskavator.
Rruga Dobërqan – Stublinë ka më shumë se gjashtë vite që nuk është riparuar e as intervenuar nga komuna e Gjilanit. Kjo rrugë e cila frekuentohet kryesisht nga stublinasit që janë të konceptuar në Dobërqan, por edhe nga banorët e Dobrosinit është bërë e pakalueshme për shkak të dëmtimeve që ka pësuar.
Duke e parë neglizhencën dhe injorimin që komuna ka pasur ndaj këtyre banorëve të brezit kufitar, mërgimtarët që ndodhe kryesisht në Zvicër dhe Gjermani kanë ndërmarr një aksion dhe me një eskavator e kanë hapur rrugën.
Musliu një banor që aktualisht jeton në Dobërqan thotë se kjo rrugë për të dhe familjen e tij flet shumë.”Po të ishte rruga e qarkullueshme, unë do e punojë tokën rregullisht. Kjo rrugë është hapur për qarkullim vetëm në kohën e Qemajl Mustafës i cili vërtet na ka përkrahur gjithmonë” u shpreh Musliu.
Fehmija mërgimtar në Zvicër thotë se është i zhgënjyer dhe i revoltuar tej mase me organet komunale. “Kisha shpresa që takimin e vendlindjes ta mbajmë në Stublinë, por për shkak të rrugës së dëmtuar e kemi shtyrë për vitin tjetër. Është e pafalshme që komuna të sillet me kaq papërgjegjësi ndaj një fshati kufitar. Siç kam dëgjuar asnjë zyrtar komunal për gjashtë vite rresht nuk e ka vizituar fshatin Stublinë. Vërtet dëshpëruese për neve mërgimtarët kur e sheh se komuna nuk të përkrah për një kërkesë që është minimale dhe lehtë e realizueshme” u shpreh Fehmiu.
Ndryshe Rexhep Kadriu ka thënë më herët se rruga Dobërqan – Stublinë është futur në agjendën e investimeve nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës që nënkupton edhe rregullimin e urës e cila është e dëmtuar maksimalisht dhe paraqet rrezik permanent për vozitësit. /rajonipress/