UBT

Mendimi global, apo veprimi lokal?!

/ 5 minuta lexim

Nga Nexhmedin Saqipi – Filozofia e kësaj pyetje, do të kuptohej lehtë nëse e tërheqim një paralele mes komunizmit dikur dhe pluralizmit tani.

Vendet e Ballkanit mes këtyre dy sistemeve, kanë çka tregojnë, duke u nisur nga kufijtë e hekurt, bunkerët e betonit, borxhet nga kreditë afatgjate dhe frikën permanente nga rreziku social-imperialist dhe revizionit.

Kurse tani në pluralizëm, vetëm ka ndryshuar mënyra e organizimit politik, nga ai monist në sistemin plural, duke mbetur mentalitetet e mbrapshta ballkanike: “Mendimi global, veprimi lokal?!

Këto mentalitete dikur ishin një, me një parti, tani janë shpërndarë në shumë parti me dallime, si në mendime ashtu edhe në qëndrime.

Ndjenja e frikës dhe pasigurisë, si dy nga elementet kryesore për ta mbajtur popullin nën presion edhe sot janë aktuale të shtetet ballkanike, sidomos në ato shtete ku shqiptarët pa dëshirën e tyre u gjetën të ndarë: Shqipëri, Kosovë, Serbi, Mal i Zi dhe Maqedoni e Veriut.

Popujt e këtyre shteteve, të shtrënguara të jetojnë pranë njëri-tjetrit, si në të kaluarën edhe tani e paguajnë haraçin e inateve politike dhe varfërisë ekonomike.

Sindromi i pakicave

Këto shtete ballkanike, përveç problemeve ekonomike dhe politike, kanë edhe një problem nga më të ndjeshmit, atë të dominimit të shumicës ndaj minoriteteve.

Disa nga këto shtete një problem të tillë e kanë zbutur, duke i llogaritur, pakicat si begati kulturore e njerëzore, e disa të tjera edhe më tej vazhdojnë të konsiderojnë pakicat si element të rrezikshëm në destabilizimin e rajonit.

Në Serbi aktualisht kemi me dhjetëra bashkësi etnike, disa prej të cilave edhe kanë përfaqësuesit e tyre legjitimë si në parlament, po ashtu edhe në pushtetet lokale.

Pakicat nacionale në Serbi dhe shtetet për rreth nuk janë të kënaqura me disa ligjet, për të cilat Evropa i ka të hapura kapitujt, për të tejkaluar këto barriera.

Uji Dea

Boshnjakët dhe shqiptarët, janë vënë në një front për t’i ndryshuar këto ligje, të cilat ata i konsiderojnë diskriminues. Por, defekti i qasjes së këtyre kërkesave për ndryshim dallon mes shqiptarëve dhe boshnjakëve. Deri sa boshnjakët përmes përfaqësimit të tyre në pushtetet lokale dhe qendrore, arritën t’i realizojnë disa të cilat sot u mungojnë shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Këto të drejta në integrim, punësim, zhvillim ekonomik, boshnjakët i arritën sepse ata me kohë e zgjidhën problemin e simboleve kombëtare e dygjuhësisë, pastaj merrnin pjesë aktive në shërbimin e ushtrisë dhe integrimin e gjyqësi e polici. Gjithashtu, arritën të kenë nënkryetarë të qeverisë, madje edhe kryetarin e Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, kurse shqiptarët jo.

Rasti i fundit i këndimit të Himnit në shkolla, nxori në terrenin politik një problem, që është dashur të shtrohet për zgjidhje shumë më herët se sa sot, kur boshnjakët dhe shqiptarët marrin pjesë në qeveri e vazhdimisht kërkojnë dialog me Beogradin, për të gjetur një kompromis, për të cilin as vet nuk e dinë si do ta tejkalonin.

Naiviteti politik

Disa nga shtetet ballkanike, me pakicat si “problem”, ka bërë që ato në vend se të krijojnë ura bashkëpunimi, ato krenohen me të arriturat në armatim, duke i ekspozuar ato edhe në kohën e vështirë të pandemisë.

Sikur këto shtete nuk u ngopën me luftëra, dhunë e incidente, bile as tani me virusin vdekjeprurës. Në vend se të bashkohen të gjitha këto shtete për t’i luftuar mentalitetet e mbrapshta, veset dhe naivitetin politik, ato vazhdojnë me avazin e vjetër.

Për çka e ekspozojnë armatimin modern e të sostifikuar, kur ai nuk u hyn në punë për ta mundur virusin Korona, apo për t’i parandaluar vërshimet, tërmetet, zjarret etj, fenomene, këto të cilat po marrin me vete jetët e miliona njerëzve.

Pse këto shtete të Ballkanit nuk i thonë “Ndal!”, këtyre dukurive negative, për t’i hapur rrugë bashkëpunimit, tolerancës, paqes, fqinjësisë së mirë, stabilitetit etj, por merren me mospajtime, duke u shtirë si në gara se kush më kë është: me Amerikë, me Rusi, me Kinë, Turqi etj.

Mos e harroni këtë që po ndodh në Mal të Zi, në këtë kohë të vështirë pandemike çfarë jemi, të mbyllim rrugë me bllokada, goma e zjarre, me rrezik që ato nëse nuk shuhen mund të përhapen edhe në vende të tjera.

Ndaj rruga e bashkëpunimit, tolerancës, paqes, fqinjësisë së mirë, stabilitetit etj, janë këto që e zgjidhin dilemën në mes thënies: “Mendimi global, apo veprimi lokal?!”

Fjala e urtë popullore thotë: “Më mirë kokërr e në shtëpi tënde, se sa misër e në magje të botës”, që do ta konkretizonte atë që thuhet shpesh: “Mendo globalisht, a vepro lokalisht, apo jo?!”