Mehdi Kadriu, si 16-vjeçar mësues me ditar në dorë

Gjilan – Sa bukur tingëllon fjala mësues! Nuk ka profesion më të shenjtë e më të ndershëm se të jesh mësues. Mësues, emër që nuk harrohet, por që adhurohet nga të gjithë njerëzit. Të jesh mësues, do të thotë, të jesh edukator i parë i popullit. Pse jo? Të duan shkollarët dhe populli. Je emër i veçantë në jetë. Nderohesh dhe vlerësohesh. Madje, je krenar dhe i merituar i popullit. Kësaj herë është fjala për një “tregim” të jetës së përjetuar të Mehdi Kadriut, si 16-vjeçar mësues me ditar në dorë i kohërave të hershme nga Zhegra e Karadakut. Jo vetëm kaq.
Mehdi Kadriu është i lindur në Zhegër, më 14 shkurt të vitit 1938. Shkollën fillore, katër klasëshe, e kreu në Zhegër. Më pas kreu Gjimnazin e Ulët ku e përfundoi edhe provimin e semimaturës në Zhegër. I pari mësues i tij ka qenë Abdullah Hyseni nga Llashtica në vitet 1945/46. Ai ka qenë mësues (hoxhë), por ka pasur mjaft dije. Ai s’ka lënë xhyma pa e falur. Në klasën e parë Mehdi Kadriut i ka dhënë mësim. Ndërsa, në klasen e dytë, mësim i ka dhënë Naim Palloshka, në vitin 1946/47. Jo vetëm kjo.
Një ditë maji, rastësisht, autori i këtyre radhëve është takuar me Mehdi Kadriun, mësues, tash në pension, nga Zhegra. Me Mehdiun ka zhvilluar një bisedë rasti për jetën e tij si mësues i një moshe të hershme. Ai, pa një pa dy tha se, nuk e kemi pasur lehtë të mësojmë për të pasur një profesion të jetës e të punës. Por, tha se, zelli dhe dashuria ndaj shkollës, nuk ka munguar. Përkundrazi. Ndonëse në kushte të vështira jete e pune, ajo “gjendje” e është përballuar dhe kanë arritur të marrin “kualifikime” për MËSUES.
-“Po, tha Mehdi Kadriu, -në fillim të gjysmëvjetorit të dytë, na kanë sjellur disa fletore me vija dhe me fletë të bardha të lidhur me tela. Se kush i ka sjellur, nuk më kujtohet. Por, më kujtohet se, gjer atë kohë nuk kemi pasur fletore. S’di si kemi mësuar?! Vullneti dhe dashuria ndaj shkollës dhe profesionit mësues, ka qenë e flaktë dhe e pa përshkruar. Krejt çka kam ditur të lexoj e të mësoj, e kemi pasur një tabelë të zezë prej dërrase. Shkruanim me një guri në vend shkumësit. Me të kemi shkruar dhe krejt detyrat i kemi bërë. Tërë ditën kam shkruar dhe, në fund i kam prishur me një lloj gome.
Në klasën e tretë na ka dhënë mësim Shefqet Kaqaniku, një mësues i merituar i asaj kohe. Ka qenë njeri me dije dhe ka pasur disiplinë. Por, ka qenë edhe pedant në punë. Tek unë, ai ka lënë mbresa të shumta si mësues. Ai ka qenë një mësues i pjekur. Atë kohë e kam kryer shkollën fillore, klasën e parë, dytë, tretë dhe të katërt, ndërsa klasët tjera: pesë, gjashtë, shtatë e tetë kanë qenë Gjimnazi i Ulët. Ai (Sh. Kaqaniku), ka qenë drejtor shkolle gjatë viteve 1955/56. Kur e kam kryer klasën (Gjimnazin e Ulët), jam përgatitur dy javë në shtëpi për të hyrë në provimet: gjuhë shqipe, matematikë, serbisht, histori dhe gjeografi. Këto provime i kemi kryer para komisionit nga zyrtarët e asaj kohe: Hysen Selimi, Reshat Hoxha, Ilmi … nga Podujeva dhe Ramiz Hongjiq nga Peja. Ky i fundit ka banuar në Zhegër. E kam marrë diplomën e semimaturës.
Në vitin 1953-54, jam regjistruar në Shkollën Bujqësore në Gjilan. Kjo shkollë ka pasur internat. Ka punuar për shkollarë me një pagese jo aq të vogël. Por, për familjen time, kjo pagesë ka qenë e papërballueshme, se qëndronim jo mirë ekonomikisht. S’pata kushte dhe u dasht ta lë shkollën. Patëm një gjendje të ndjeshme financiare.
Andaj, përmes një djali të halles, që ka qenë nga Vitia, Rasim Rexhepi, tash i ndjerë, i cili atë kohë ka qenë kryetar i LS, kam pasur mbështetje të fortë për shkollim. Ai gjer vonë ka punuar në Gjilan. Rasimi, babës tim i kishte thënë: “Daja Shefki, a po ma jep djalin ta shti në punë në Viti apo diku tjetër. Kam ni se djali yt është treguar i zoti”. Baba Shefki i thotë Rasimit, mos po ma qon diku larg. I duhet djalit me udhëtue, mandej, ka shpenzime. S’kemi aq idare për këtë shkollim. “Jo, jo. Diku këtu afër po mendojmë ta punësojmë”. Pa pritur, në vitin 1954/55, Mehdi Kadriu merr “vizë” për të punuar si mësues për hetë të parën në fshatin Lubishtë të Vitisë.
“Edhe Tahir Sadiku, nga Budriga, ka qenë atë kohë referent i lartë i arsimit, i cili më ka mbështetur. Pra, për herë të parë fillova punoj si mësues me ditar në Lubishtë në vitet 1954/55. Pata 16 vjet moshë. Dhe, me 24 shtator 1954/55, shtoi M. Kadriu, mësues, -kam filluar të punoj me ditar në dorë. Këtë datë asnjëherë nuk do ta harroj. Këtu m’u duk se shkova në Amerikë. U mërzita shumë. Kam banuar në fshat. Këtu punova vetëm një vit shkollor.
Në vitin shkollor 1955/56, jo me kërkesën time, por me një vendim të Ministrisë së asaj kohe të Arsimit, mua më caktojnë mësues në Stubëll të Epërme të Vitisë. Aty e takoj Ismajl Sylejman, mësues nga Remniku. Ishte viti shkollor 1955/56.
Në këtë vit shkollor, 1955/56, në klasën e katër, nxënës e kam pasur Dr. Dom Lush Gjergjin dhe Don Ndue Gjergjin. Ky i fundit ka shërbyer prift në Prizren. Aty kam pasur edhe nxënës të tjerë.
Në vitin 1956/57, u bëra zëvendës drejtor në Gjylekreshtë të Vitisë. Në këtë vit, objekti shkollor ka qenë te xhamia e vjetër e fshatit. Këtu kam punuar dy vite e gjysmë, gjer në vitin 1959. Kisha dëshirë të gjej punë kah Gjilani. Dhe, në shtator (1959), u pranova në komunën e fshatit Zhegër si referent për ekonomi. Aty u pranova, por me kusht që, pas një kohe të shkurtër, të kaloj përsëri në procesin mësimor. Dhe, dashti zoti, me 1 janar të vitit 1960-tën, pas tetë muajve, u transferova. Atë kohë, komuna e Zhegrës është falimentuar dhe krejt administrata kaloi në Gjilan. Gjer në vitet ’60-ta, Zhegra ka qenë komunë.
Atë kohë më transferuan mësues në Burincë dhe Lipovicë. Këtu punova 1 vit shkollor. Pas një viti, më kthyen në Zhegër si mësues. Këtu e gjeta drejtor Ibrahim Shabanin, nga Përlepnica e Gjilanit. Prej Zhegre shkova në Llashticë. Aty gjeta mësuesin Bajram Shabanin. Mandej më transferuan në Pasjan. Këtu kam punuar 1 vit shkollor në Pasjan (1960/61). Në Pasjane kam dhënë gjuhën shqipe në paralelet serbe. Me 31 korrik të vitit 1963 më erdhi ftesa për ushtar. Shërbeva në Novi Sad e në Kragujevc. Dhe, me 2 maj e kreva shërbimin ushtarak. Si u ktheva, u lajmërova në shkollën e Zhegrës. Aty gjeta I. Kadriun drejtor. U lajmërova duke i treguar se e kisha kryer ushtrinë. Doja punë. Më tha se nuk ka vend. “Për një muaj me ba punë e me të paguar tërë verës, nuk bën. (Ishte kjo një shaka pak si humor). Unë u preka pak.
Pas këtij momenti, shtoi M. Kadriu, -shkoj te Cane Periq. Ai atë kohë ka qenë kryetar i LS, por ka qenë edhe kryetar i Këshillit Komunal për Arsim e Kulturë. U gjenda në derën e tij. Më tha, çka ka djalosh? I thash: me dëshirën e shtetit, e kam kryer detyrën e ushtarit. Me 2 maj e kam kryer ushtrinë dhe jam ardhur në Zhegër. Jam paraqitur si mësues, në Zhegër, por drejtori i shkollës më ka thënë se nuk kam vend. Ka s’ka, ne do ta shohim.
Shko te Zvonku. U gjenda te ky person. Më tha shko dhe thuaj që ta jep një udhëzim për të punuar në Zhegër. Kur dashta të dali nga zyra e tij, ai më tha, ndalë se po vij me ty. U gjendem te Zvonku. Atij ju drejtua me këto fjalë: “Zvonko, ia shkruan një urdhëresë që njeriu të punojë në Zhegër. Më pranoi dhe, drejtoria më caktoi të punoj në Kurexhaj. Aty e gjeta Idriz Idrizin, mësues.
Dy vjet punova në Zhegër. Në vitin 1967 e kam lëshuar Zhegrën. Shkollën Normale e kam kryer në Prishtinë. Më 24 shtator, për të dytën herë më caktojnë zëvendës drejtor në Gjylekreshtë, viti 1967 me shkollë Normale. Në këtë shkollë fshati, Shaban Shabani ishte drejtor, e unë zëvendës i tij. Pas kësaj kohe, bëra një kërkesë për të punuar mësues në Shurdhan. Komisioni i përbërë nga Rexhep Jakupi, profesor i gjuhës serbokroate dhe Ceci kryetar Gjyqit, më zgjohën mua drejtor se isha i kualifikuar. Unë sa e pata regjistruar ShLP, gjeografi – histori në Gjakovë. Këtu punova katër vite. Në vitin 1973 e kreva SHLP në Gjakovë. Në vitin 1974 shkova në Gjilan në Entin e punësimit. Gati në çdo lokalitet ku kam punuar si mësues, kam udhëtuar në këmbë. Në këmbë kam udhëtuar nga Zhegër e gjer në Shurdhan, dhe anasjelltas.
Me 1 janar të vitit 1997 jam pensionuar në moshën 40-vjeçare. Tash e 21 vjet më parë. E ndjej vetën mirë. Por, sikur të më ipej rasti të punoj, do ta mirrja ditarin e punës dhe do të punoj gjer në fund të jetës me nxënës të vegjël. E kam dashur shumë procesin mësimor, se shihja vetën se më flinte shpirti e zemra kur i shihja fëmijët shkollarë që më donin fort, fort. Por, edhe unë i kam dashur shumë. Doja t’ua fali krejt jetën. Lumë kush punon në procesin arsimor!”, tha në fund të bisedës, Mehdi Kadriu, tash në pension, në 80-vjeçare nga Zhegra e Gjilanit./tefik selimi/rajonipress/