Medvegja në kërkim të rikthimit të shqiptarëve

Shkolla “Zenel Hajdini” në Tupallë të Medvegjës, këtë vit nuk do të presë asnjë nxënës në klasën e parë. Kjo vjen si pasojë e shpërnguljes në masë të madhe të shqiptarëve të kësaj pjese nëpër vise të tjera jashtë territorit të Serbisë. Përfaqësuesit e shqiptarëve të asaj ane druajnë se vendlindja e tyre, një ditë do të boshatiset e tëra. Të vetmen shpresë për parandalimin e një dite të tillë, ata e kanë te Shqipëria dhe Kosova.
Nga këto dy shtete me shumicë shqiptare, ata presin ndihma financiare dhe plane konkrete për riatdhesimin e shqiptarëve të shpërngulur nga Medvegja. Me forca vetanake, të mërkurën ata kanë arritur vetëm ta organizojnë një tubim me karakter folklorik për t’i bërë bashkë banorët e kësaj treve. Nënkryetari i komunës së Medvegjës, Fehmi Beha, nga aty ka u ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë për ndihmë.
“Dy qeveritë, duhet të financojnë dhe ndihmojnë, pra të krijojnë fonde të posaçme për kthimin e shqiptarëve ne Medvegjë. Janë të boshatisura shtëpitë, janë të rrënuara, oborret e shtëpive janë mbushur me ferra me drunj, ta merr mendja se që 100 vjet s’ka jetuar njeri aty”, ka thënë Beha.(Tribuna)