Me Thaçin, prej Ahtisaarit te Ban Ki-mooni
Nga Albin Kurti – Atëherë kur mbushen 31 vjet të vrasjes së vëllezërve Gërvalla e të Kadri Zekës si dhe 545 vjet të vdekjes së Skënderbeut, pra me 17 janar të vitit të ardhshëm, është paralajmëruar raundi i ri i dialogut politik me Serbinë.
Tri takimet e deritanishme ndërmjet Thaçit e Daçiqit kanë shërbyer si uverturë për atë që po e përgatisin për vitin e ardhshëm. Dialogu politik do të kalojë në një fazë të re, me temën që përbën shkakun kryesor pse u nis ai – veriun e Kosovës. Kjo është arsyeja pse Qeveria e Serbisë e nxori pikërisht tash platformën e saj ku nuk ka asgjë të re që nuk e kemi parashikuar: një status i veçantë për veriun, një autonomi territoriale e ngjashme me Republikën Serbe në Bosnje. Ndërkohë, Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe i përmbahet Kushtetutës së saj që thotë se Kosova është pjesë integrale e Serbisë.
Në anën tjetër, Thaçi është i gatshëm të shkojë në takimet e radhës sa herë ta thërrasin e për çkado që Serbia është e interesuar. Ai pat diskutuar me disa parti në Prishtinë për platformën e Kosovës sa për t’ia shtuar ca legjitimitetin dialogut që po zhvillohet pa kushte për Serbinë e për çështje të brendshme të Kosovës. Natyrisht, diskutimet në Kosovë për platformë ishin përherë në funksion të dialogut me Serbinë pa platformë – Thaçi më parë sesa palë dialoguese është fasilitues në dialogun Bruksel-Serbi. Në veriun e Kosovës janë të pranishme forcat e EULEX-it e KFOR-it në njërën anë dhe ato të strukturave shtetërore të Serbisë në anën tjetër. Ata që kanë forca në terren merren vesh me njëri-tjetri, apo jo? Mungesa e Policisë së Kosovës dhe e FSK-së në veri të Kosovës e vendos Thaçin në pozitën e spektatorit që shtiret si akter. Pra, Thaçi dhe jo BE-ja paraqet ndërmjetësuesin e vërtetë të dialogut politik në Bruksel.
Mbase edhe nuk do të thonë qysh në fillim se dialogu po bëhet për veriun e Kosovës. Ama gjithsesi do të diskutohet për çështjet e veriut të Kosovës: gjyqësinë e policinë, doganat e administratën, strukturat e financuara e të dirigjuara nga Beogradi. Përderisa u lansuan lajmet për përqindjen e TVSh-së që pasi të mblidhet në veri edhe mbetet atje, kjo do të thotë që ngadalë por sigurt po lëvizet prej Planit të Ahtisaarit drejt 6 Pikëshit famëkeq të Ban Ki-moon-it. Ja se çfarë thuhet në paragrafet b) dhe d) të kapitullit Doganat të 6 Pikëshit: b) Oficerët ndërkombëtarë të doganave, të emëruar në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (1999), do të rikthehen në portat 1 dhe 31. Modalitetet e stacionimit të tyre, sa më shumë që është e mundshme do të pasqyrojnë modalitetet e konceptit të menaxhimit të kufijve të integruar të Evropës dhe kjo mund të përfshijë edhe bashkërenditje të pikave doganore. (…) d) Do të nevojiten negociata të mëtutjeshme mes lojtarëve relevantë, për të arritur pajtimin dhe për të përcaktuar modalitetet për operim për riaktivizimin e pikave doganore, të përmendura më lart. Këto diskutime gjithashtu do t’i adresohen edhe distribuimit të të ardhurave doganore, të grumbulluara në pikat 1 dhe 31, të cilat gjithashtu duhet t’i kontribuojnë edhe zhvillimit të komuniteteve lokale.
Sa i përket qëndrimit të kryeministrit Thaçi ai konsiston vetëm te një kërkesë konkrete: transparencë për strukturat e Serbisë në Kosovë dhe financimin e tyre nga Beogradi. Pra, së pari, ai realisht s’ka qëllim por vetëm qëndrim dhe qëndrimi i tij nuk është qëndrim (i Kosovës) por kërkesë (ndaj Serbisë). Së dyti, ai po sillet si një OJQ që kërkon më shumë transparencë e jo si kryeministër me program, vullnet dhe zbatim. Fundja, edhe në Kosovë ai nuk sillet si kryeministër sepse dënon dhunën e bën apele pa pasur plan dhe veprime (nëse këtu përjashtojmë punësimin e dajëve të Grabovcit dhe shembujt e tjerë të nepotizmit). Dhe, së treti, transparenca tregon që Thaçi do shikim më të mirë të gjendjes në veri dhe jo transformim të saj, gjë që shpie te legalizimi e formalizimi i strukturave të Serbisë atje por jo te zhbërja e tyre. Sikur rezultati i dialogut politik me Serbinë të paramendohej i mirë, Thaçi nuk do të ishte i interesuar që ta zgjeronte koalicionin qeverisës me të tjerë.
Nuk mund t’i shndërrosh me lehtësi kushtet para dialogut, thjesht, në tema të dialogut, por vetëm në kërkesa për tema në dialog, gjë që vetëm sa e konfirmon kalimin në pozicion josovran. Në të vërtetë, josovrani mu në dialog vuloset si josovran. Nuk ka mundur të jetë ndryshe: mbi tryezën në Bruksel u vu Kosova për dialog me Serbinë sepse nën këtë tryezë janë dosjet për qeveritarët e Kosovës me në krye Thaçin. Për të gjithë ata që e kundërshtojnë këtë dialog, politikanët e regjimit e kanë një pyetje në formë të përgjigjes kërcënuese: ‘Nëse nuk dialogojmë, atëherë çka? Luftë?’ Kështu, në fakt, ata kërcënohen me luftë (të Serbisë). Nuk po ka nevojë që Serbia të na kërcënojë me luftë. Qeveria e Kosovës po na kërcënon me Serbinë.
Ndërmjet këtij dialogu të nënshtrimit e dorëzimit dhe luftës e konflikteve të armatosura sigurisht që ka shumë mundësi të pashfrytëzuara. Mundësitë e shtetit dhe popullit të Kosovës janë shumë më të mëdha sesa mundësitë e kësaj Qeverie të cilat edhe ashtu përgjithësisht mbesin të pashfrytëzuara sepse nuk ka as interes dhe as vullnet qeveritar për shfrytëzimin e tyre. Si në aspektin e mbrojtjes, sigurisë dhe sundimit të ligjit, po ashtu edhe në aspektin e politikës dhe zhvillimit socio-ekonomik, Lëvizja VETËVENDOSJE! qysh në shtator të vitit 2008 ka propozuar 13 hapa të cilët kur bashkërendohen e mundësojnë bashkimin e Mitrovicës dhe integrimin e veriut. Mirëpo, Qeveria e Kosovës ka zgjedhur kahjen e kundërt: ndonjë gjest në veri të Kosovës sa për të ‘dëshmuar’ pafuqinë dhe pamundësinë e trajtimit të kësaj çështjeje jashtë dialogut me Daçiqin, Nikoliqin e të ngjashmit me ta. E, ndoshta, Thaçi kërkon transparencë për strukturat shtetërore të Serbisë në veri pikërisht që të duket sa më i pafuqishëm shteti i Kosovës atje.
Me vetë faktin që nuk e përfshijnë aktivizimin dhe pjesëmarrjen e qytetarëve kur flasin për veriun Kosovës dhe zgjidhjet për të, Qeveria e Kosovës tregon që nuk e ka megjithëmend integrimin e asaj pjese. Ata i duan qytetarët si spektatorë të takimeve Thaçi-Daçiq. Aty besojnë se është vendi ku zgjidhen problemet, ndërkohë që aty është problemi më i madh: Serbia e pasardhësit të Milosheviqit dhe kryeministri i korruptuar e i shantazhuar i Kosovës.