UBT

Me rrjedhën e një lumi poetik

/ 7 minuta lexim
Hidromorava

Nga Selvete Abdullahu – “Poezi” titullohet libri i ngjeshur me margaritarë vargjesh i autorit Sinan Sadiku. Një fillim i mbarë i një libri metaforik, të prerë dhe të thellë “Rrobat e Engjëllit” i lidhur vetëm me një poezi “Koha ime” duke vazhduar më tej me “Le të vijë pranvera”.

Ky variant metaforik përdoret më vonë në poezinë “Mbretëria e djallit” ku citoj:
Një ditë
kur ta gjejmë urtinë
e ta humbim durimin
vesh rrobat e Engjëllit
dhe kthehet në çerdhen e vet
Një ndërlidhje e mirë e tre librave me poezi të zgjedhura, me tituj metaforik, që ngjallin kureshtjen e lexuesit se çfarë fshihet pas tyre. “Rrobat e Engjëllit”, “Shigjetat e lakmisë” dhe “Nata rri zgjuar”. Poezi të realizuara përafërsisht brenda dy dekadave. Prurje të reja e që rrethojnë aspektin konvencional dhe modern po ashtu të shoqërisë sonë me doke e zakone dhe me gjithë brengat e kohës. Tokë, qiell, dashuri, gëzime, hidhërime, zhgënjime e shpresa, natyrë e personazhe të ndryshme dhe të gjitha të përfshira në aspektin poetik e artistik rrjedhimisht, qetësisht dhe objektivisht në veprën me titull “Poezi”.
Me një filozofi të thjeshtë autori emërton librin e dytë “Shigjetat e lakmisë” duke qenë i bindur se kultivimi i ndjenjës së lakmisë tek njeriu është sikur shigjeta që të shigjeton dhe me këtë e bënë lexuesin të kuptojë me pak fjalë këtë shprehi jo të mirë dhe se lakmia të dërgon drejt një humnere pa derë. Njëkohësisht autori lidh librin tjetër me një titull interesant “Nata rri zgjuar” që nënkuptojmë se edhe veprimet e natës, sido qofshin ato, mund të shihen e dihen, prandaj këtë pjesë e lidhi me thënien popullore “Edhe muret kanë vesh”.
Gati te gjysma e poezive të autorit është e pranishme rima, ajo lidhë lirshëm dhe mirë vargun me varg strofën me strofë dhe kështu poezitë fitojnë një harmonie të lehtë dhe të drejtpërdrejtë e kuptimplote. Frustracionet e kohës autori i nxjerr në pah përmes një pikënisje sa të thjeshtë po aq edhe metaforike kur thotë:
Rrushin
s’munda ta mbërrijë
e limoni
nuk më kënaqi
kurrë
Nga kjo mënyrë e shprehjes poetike ne kuptojmë një realizëm të theksuar që shumë njerëz e dinë e nuk e pranojnë ose e kamuflojnë dhe i japin trajtë tjetër. Shpesh në raste të tilla kemi një shtrembërim të realitetit, direkt ose përmes artit. Mënyra më e vështirë për shumë njerëz fatkeqësisht është thënia e gjërave troç, pa anime e devijime.
Gjuha si mjet komunikimi ndër popuj ka zgjidhur shpesh konflikte dhe e kundërta, por në disa raste njerëzit hezitojnë të flasin për shqetësimet dhe brengat e tyre dhe kështu vendosin të heshtin duke menduar se kanë gjetur mënyrën më të mirë, prandaj autori në këtë rast tek poezia “Eja miku im” ka një mesazh të fuqishëm rreth heshtjes kur thotë:
Eja miku im eja mos përto
eja të bisedojmë t’i qajmë hallet
se heshtja është bijë e tmerrit
burim i territ
Me të drejtë autori e percepton heshtjen si bijë të tmerrit dhe burim të territ, sepse kur ne heshtim nuk dihet se çfarë fshihet pas heshtjes sonë. Mund të jenë informacione të mira apo e kundërta e tyre. Shpeshherë njerëzit e krahasojnë heshtjen me arin, por nganjëherë në situata të caktuara heshtja vret, prandaj duhet të zgjedhim momentin se kur ja vlen të heshtim e kur të flasim. Heshtja mund të jetë edhe ari, por mund të jetë edhe tmerr dhe terr. Autori fjalën tmerr dhe terr e përdor në formën e pa dëshirueshme si një mesazh, si një realitet, si një frikë, si një të keqe që donë t’i ik vet dhe brezi i tij, prandaj citoj vargje nga poezia ”Brezi im”.
Ruaju nga zemërimi i prillit
nga mallkimi i janarit
e shkëlqimi i t(m)errit
brezi im i dashur
Të jetosh dhe të rilindësh njëkohësisht përmes vargjeve që thurin e ngërthejnë gazin, lotin, dhimbjen, frustrimin dhe revoltën. Lufta ndaj dukurive negative e shprehur hapur në formë të drejtpërdrejtë, pa anime, pa ngjyrime dhe pa paragjykime është pjesë e pandashme e poezive të Sinan Sadikut.
“Midis ëndrrave” titullohet cikli i radhës me laramani motivesh e sidomos theks te veçantë ju vë poezive të cilat shpërthejnë si vullkane mes një kontradikte kohore, një ndarjeje mes njerëzve dhe gjykimeve nga rrethi shoqëror. Citoj një strofë të poezisë “I djathtë apo i majtë”
Andaj ngutuni
mos humbni kohë
ma caktoni vendin
ju ekspertët e ndarjeve
Poeti kërkon baraspeshë të situatave, ekuilibër të gjërave, kërkon një mes të artë të cilin assesi nuk arrin t’a gjejë sepse në vargjet e tij që frymojnë rrahje mendimesh gjithnjë gjen dy anët që luftojnë njëra me tjetrën si për shembull diku ka mungesë e diku ka tepricë. Ai përmes artit letrar arrin të paraqes një realitet të hidhur të shoqërisë sonë dhe kjo e bënë më bindës aspektin frymëzues, realizues dhe reagues njëkohësisht. Duke lidhur aspektet njerëzore në formë revolte si për shembull shprehjet: pafytyrësia dhe shumëftyrësia kemi të bëjmë këtu me një zhgënjim të poetit në përgjithësi. Ky pesimizëm e bënë autorin t`i qaset direkt kësaj çështjeje të ndjeshme shoqërore me fjalët më të shkurtra që mund të thuhen. Citoj:
Oj nënë e mjerë
sa shumë besëprerë
në këtë pranverë
Mandej poezia “Loja e fjalëve” që pasqyron një realitet të hidhur shoqëror e që mban me vete pabesitë në mes njerëzve të cilët punojnë kundër njëri-tjetrit. Citoj:
Edhe në këtë lojë
dikush me dikë luan
dikush dikujt ia luan

Eco Higjiena

Të urtat fjalë
sillen vërdallë
Në këtë rreth mund të hyjë dhe mos përmbajtja nga ana e autorit rreth veprimeve jo të mira njerëzore kur thotë: “Ky kaos kurrë s’u sos”.
Poezi të lidhura me natyrën, krahasimtare, direkte dhe të tërthorta, probleme shoqërore, por edhe poezi të shpresës e të fitores janë realizuar thjeshtë e qartë në veprën në fjalë. Janë motive që përbëjnë bazën e frymës poetike të autorit Sinan Sadiku dhe e bëjnë lexuesin të ndihet mirë gjatë leximit. Disa nga poezitë janë të shkruara në veten e parë dhe pasqyrojnë një ndodhi jetësore. Një kontrast të theksuar në mes formulës së filozofit anglez Thomas Hobbes tek Leviathani i tij ku thotë se “Njeriu për njeriun është ujk”, kurse te autori në fjalë e gjejmë “Se ujku për ujkun është njeri”.
Libri përmbyllet me poezi nga motivi i dashurisë që kanë një lidhshmëri mes tyre, me një rimë të mirë e që pasqyrojnë një dëshirë, një pritje, një gëzim, por edhe një humbje. Shikuar në tërësi libri me titull “Poezi” mund të jetë ide e mirë të lexohet edhe gjatë një udhëtimi apo pushimi sepse nxit kureshtjen dhe dëshirën për ta përdorur metodën krahasimtare mes një realiteti poetik dhe jetës sonë bashkë me traditat dhe rrethin social. Ky libër është po ashtu një përvojë individuale e artikuluar mjeshtërisht përmes artit letrar që ngjason me përvojat shoqërore thuajse të përgjithshme. Me pak fjalë e shumë kuptim, rrjedhshëm zbërthejmë vetveten dhe të tjerët në një frymë letrare – artistike. Por, nuk do të thotë që do të fokusohemi vetëm tek përvoja, sepse autori ka përdorë edhe aspektin imagjinativ që lexuesi e vëren fare lehtë, sidomos kur përshkruan bukuritë natyrore, siç bën te poezia ”Stina e agimeve”, apo çështje të ngjashme përmes figurave.

Libri i Sinan Sadikut me titull “Poezi” ngërthen në vete vargje të lira, të qarta e kuptimplota./rajonipress/