Me plotë mungesa në Zvicër
Përfaqësuesja e Kosovës e ka harruar humbjen e thellë prej 1:6, që ia shkaktoi të mërkurën Turqia, duke udhëtuar e qetë drejt Zvicrës, ku të dielën do ta zhvillojë miqësoren e radhës kundër Senegalit.
Reprezentuesit kosovarë thanë se janë munduar ta harrojnë atë humbje, prej së cilës pohojnë se kanë marrë mësim. Andaj, ata kanë shkuar në Gjenevë me bindjen se do ta zhvillojnë një paraqitje krejt tjetër përballë Senegalit, në dallim prej asaj zhgënjyese me turqit.
“Edhe ndaj Senegalit do ta kemi shumë të vështirë, sepse ka një skuadër të fortë. Por, tani janë bërë disa ditë që jemi së bashku dhe secilën herë po njihemi më mirë. Atmosfera në mesin tonë është shumë e mirë, andaj ne duhet ta japim maksimumin që të luajmë më mirë dhe ta nxjerrim një rezultat sa më të mirë”, ka thënë sulmuesi kosovar, Albert Bunjaku, i cili e ka realizuar golin e vetëm për Kosovën ndaj Turqisë.
Ndërkohë, edhe përzgjedhësi Albert Bunjaku ka pohuar se skuadra e tij e ka lënë anash humbjen nga Turqia, duke u përkushtuar te kundërshtari i radhës. Ai ka kujtuar se të dyja këto ndeshje ekipi i tij i ka pritur në disa rrethana jo të favorshme.
Përveç mungesave të para, ndaj Senegalit Kosova do të hyjë edhe me disa mungesa tjera, si pa kapitenin Anel Rashkaj, Fanol Perdedajn, Debatik Currin, Lum Rexhepin, Mehmet Hetemajn, Bajram Jashanicën e Ilir Avdylin. Këta dy të fundit nuk kanë mundur të udhëtojnë shkaku i mungesës së vizave.

