Eko Higjiena

Më pëlqen të bëhem nuse me tradita shqiptare!

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

„Besoj se do t`i bëj dy dasma, një në Kosovë me tradita shqiptare, dhe një tjetër në Zvicër me një rreth më të vogël dhe moderne”.

Nga një volejbolliste, në spektaklet e bukurisë në Zvicër. Dorina Podrimja është një vajzë shqiptare që po arrin suksese në pasarelat e modës në Zvicër. 22 vjeçarja e cila jeton në Hegendorf të Soloturnit, zuri vendin e 6-të në “Miss Zvicra 2013”. Për Dorinën, mediet zvicerane shkruajnë se është në lidhje me futbollistin kosovar që luan në Zvicër, Taulant Xhaka, mirëpo ajo na luti që ta kursejmë nga pyetjet private.

albinfo.ch: Të kemi njohur si kandidate në “Miss Zvicra 2013”. Ishte kjo eksperienca e jote e parë?

Dorina: Nuk ishte eksperienca ime e parë. Kam marrë pjesë edhe më herët nëpër sfilata të ndryshme në Zvicër dhe kam punuar për kompaninë e njohur franceze të kozmetikës “L’oreal” ku kam reklamuar ngjyrën e flokëve. Ajo reklamë është transmetuar për kohë të gjatë në të gjitha mediet evropiane.

albinfo.ch: Hyre në mesin e më të bukurave të Zvicrës por, nuk pate fatin të fitosh. Si e kujton këtë spektakël?

Dorina: Ishte një eksperiencë jashtëzakonisht e mirë për mua. Në atë spektakël ishim tri shqiptare, me çka e treguam bukurinë e rrënjëve tona. Unë arrita të jem në mesin e gjashtë finalisteve. Që nga fillimi e kemi ditur se prejardhja jonë do të na vështirësojë qëllimin tonë për të fituar kurorën, megjithatë unë e konsideroj si një përvojë të mirë dhe që më ka hapur rrugë të reja në këtë biznes.

albinfo.ch: Çfarë rrugësh të ka hapur, me çfarë po merresh aktualisht?

Dorina: Momentalisht jam në një kontratë me një agjenci shumë të njohur në Zvicër “Fotogen”, dhe ata janë shembull se si duhet të menaxhohet një kompani modelimi.

albinfo.ch: Si e njohur që je në Zvicër, të ndodh që të ndalin në rrugë për të kërkuar fotografi, autografe…?

Dorina: Më ka ndodhur shpesh, madje kur dal për të bërë shoping me familje apo me shoqe, gjithmonë më përcjellin fansat dhe kërkojnë që të bëj fotografi me ta. Marr edhe shumë letra që më vijnë, qoftë në rrjete sociale apo me postë. Kjo më bën të ndihem mirë për respektin që e tregojnë ata për mua.

albinfo.ch: Së fundmi ke realizuar një set fotografish me fotografin shqiptar në Zvicër, Admir Saitin. Janë këto për ndonjë reklamë apo…?

Dorina: Kam bërë një set fotografish me Admir Saitin dhe kemi kaluar shumë mirë. Linda Nikolla është përkujdesur për grimin dhe flokët. Ishte kënaqësi e madhe e imja të punoj me ta dhe i respektoj për punën e tyre profesionale. Ne e kemi bërë setin e fotografive, por një herë nuk mundem të tregoj arsyen e realizimit të atyre fotografive.

albinfo.ch: Je nga Kosova, konkretisht nga Gjakova. A ke pasur ndonjë ftesë për të marrë pjesë në ndonjë sfilatë apo spektakël të bukurisë në Kosovë?

Uji Dea

Dorina: Ftesë nuk kam pasur asnjëherë, por sa herë që vizitoj familjarët e mi në Gjakovë të gjithë më thonë: “Konkurro për Miss Kosova”. Unë jam e hapur për oferta, natyrisht kur ato janë serioze, dhe shpresoj që një ditë të më jepet mundësia ta përfaqësoj Kosovën në evenimente botërore.

albinfo.ch: Punon diçka tjetër jashtë modelimit?

Dorina: Jam asistente e një avokati të njohur këtu në Zvicër.

albinfo.ch: Çfarë bën në kohën e lirë?

Dorina: Në kohën e lirë merrem me fitnes. Ushtroj gati çdo ditë, kujdesem shumë me ngrënë shëndetshëm. Pastaj kohën e lirë e kaloj me familjen time të cilët për mua janë gjithmonë në radhë të parë. Një kohë të madhe e kaloj edhe më fëmijët e motrës, dhe ishte kënaqësi me qenë teze. (qesh).

albinfo.ch: Si do të dëshiroje të bëhesh nuse, me tradita shqiptare apo moderne?

Dorina: Me tradita shqiptare, kjo edhe më shumë për dëshirë të nënës sime (qesh). Besoj se do t`i bëj dy dasma, një në Kosovë me tradita shqiptare, dhe një tjetër në Zvicër me një rreth më të vogël dhe moderne.

albinfo.ch: Dhe kur do të jetë ajo ditë?
Dorina: Eeee, atëherë kur është kismet.

albinfo.ch: Çfarë pëlqen në trupin tënd dhe çka jo?
Dorina: Në trupin tim më pëlqejnë këmbët, ndërsa femra gjen gjithmonë diçka që nuk i pëlqen, por nuk po u tregoj se çka. (qesh).

albinfo.ch: Ke pasur ndonjë ofertë të cilën nuk e ke pranuar dhe për çfarë?

Dorina: Po, kam pasur një ofertë për të shkuar në Indi, por e kam refuzuar për shkak se nuk më është dukur vend i sigurt.

albinfo.ch: Cilat janë të rejat që do t`i presim nga ti në fushë të modelimit?

Dorina: Tash shumë shpejt do të jem pjesë e dy sfilatave e pastaj do të flasim me agjencinë për të punuar në ndonjë shtet tjetër./Arben Gjinaj/