Me molotov fuqizohet Qeveria

Nga Arbana Xharra – Protesta përfundoi me komente sa pjesëmarrës ishin. Në vend se të analizohej përfundimi dhe rezultatet e saj, mundësinë e rrëzimit apo jo të Qeverisë, u morën me deklaratën e zëdhënësit të Policisë, Baki Kelani, për numrin e supozuar të protestuesve.
Pak rëndësi ka shifra e saktë e pjesëmarrësve. Nuk ishin 8 mijë, aq sa u deklarua nga Policia, pamjet mjaftuan për të llogaritur përafërsisht se numri ishte shumë më i madh se aq, por as 100 mijë sa tha opozita.
Por çfarë rëndësie kanë numrat si fokus i debatit pas asaj proteste. E rëndësishme është se në Kosovë numri i të pakënaqurve është në rritje. Kjo ishte protesta më masive, që nga paslufta.
Sinjal i qartë se fokusi ndërkombëtar me qasje të deritashme në arritjen emergjente të marrëveshjeve me Serbinë, duhet ndryshuar tash me çasje tjetër.
Sikurse edhe qëndrimi më këmbëngulës i tyre në luftimin e krimit dhe korrupsionit, përfshirë gjithë skenën politike, pozitë e opozitë. Në fund të ditës kanë mekanizmin e tyre më të fuqishëm në Kosovë, EULEX-in. A nuk ju mjafton fakti që në skenën politike kemi politikanë me pagë 1000 euro e prona milionëshe?
1. Pas gjithë atyre takimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, e pas kaq shumë vitesh bisedime, kemi një veri me 40 mijë serbë që nuk i njohin ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës; një politikë të bashkëbiseduesit që pengon në secilin tentim tëKosovës të integrohet. Propaganda gjatë UNESCO-s ishte përgjigje e mjaftueshme e shkeljes së marrëveshjes qëkishte nënshkruar Beogradi se “s’do ta pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”.
Vazhduanndërkohë me marrëveshjen aspak transparente për Asociacionin e Komunave Serbe. Derisa nuk nisi presioni i opozitës, nuk është ditur në detaje se çfarë përmban ajo marrëveshje: a ka apo jo funksion ekzekutiv, çfarë roli kanë ato, a ka jetësim të autonomisë territoriale serbë në Kosovë apo jo? Koalicioni qeveritar s’ka pyetur kë për marrëveshjet dhe nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë që për qytetarët e Kosovës të dalë me sqarime. As që është diskutuar të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Si në “bahçe të babës” është negociuar, duke u injoruar në vazhdimësi 1.8 milion banorë të Kosovës.
2. Asociacioni dhe demarkacioni ishin kauzë e zgjedhur nga opozita për të thirrur protestën, korrupsioni nuk u përmend në thirrje. Shumë thjesht, sepse brenda opozitës së bashkuar sot ka liderë e kryetarë partish të përfshirë në krim dhe korrupsion, ish-shokë të denjë të pushtetit.
Për këtë arsye këta dhjetëra mijëra qytetarë të Kosovës, kanë dalë për kauza të tyre në rrugë. Janë këta bashkëqytetarë të atyre kosovarëve që gjatë vitit paguan rrjete kontrabandistësh për të dalë ilegalisht nga Kosova në shtetet e Schengenit. Në protestë qytetarët kanë pasur 1001 arsye, pos demarkacionit e asociacionit. Ata kanë dalë nga varfëria, papunësia, të diplomuar të papunë, ata që fëmijët iu bredhin rrugëve e s’kanë shpresë për një vend pune e shumë arsye të tjera.
3. Po ashtu, jam e bindur se këta qytetarë nuk kanë dalë as në përkrahje të opozitës, me pak përjashtim, sepse i njohin shumë mirë skandalet e atyre që dikur ishin në qeveri, e të tjerë që e lusnin Hashim Thaçin të ndajnë pushtetin bashkë. Qytetarët kanë dalë në rrugë nga zori, paperspektiva, izolimi… kundër këtij pushteti që për pak muaj detyroi mbi 100 mijë qytetarë të ikin nga Kosova!
4. Protestat masive janë mjeti i fundit legal, legjitim, demokratik për një shoqëri të ngulfatur nga Qeveria arrogante, e korruptuar dhe asgjëbërëse.
Sa më masive të jenë protestat aq më shumë bindet bota se Kosova nuk udhëhiqet nga ata që duhet dhe atyre, që janë përlyer deri në fyt, iu ngushtohet hapësira, iu numërohen ditët.
Por, këtë proces po e sabotojnë koktejët e molotovit, kaotët, zjarri, gurët dhe dhuna. Këto të fundit, janë afekti që ua zgjasin ditët të korruptuarve dhe të paaftëve.
Kundër kësaj, kundër dhunës u desh që opozitarët të ndërmarrin gjithçka që ajo të mos ndodhë: të mos sulmohen institucionet, të mos lëndohen policë, të mos njollosen protestat.
Me dhunë, zjarr dhe molotov nuk bindet as bota e as populli se je alternativë që mund të udhëheqësh, përkundrazi bëhesh jetëzgjatësi direkt i gjendjes që është sot.
Me dhunë e molotov të përpiqesh ta bindësh popullin kundër këtij pushteti, është e njëjtë sikur të punosh që ata të mbesin në krye të saj!