Mobi Casa

Albin Kurti u ka borxh shqiptarëve në RMV, arriti t’i defaktorizojë

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Mero Baze – Albin Kurti mund ta respektonte kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Mickoski, edhe pa legjitimuar përpjekjet e tij për heqjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Ai e priti sot në Prishtinë me nderime të larta kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Mickoski, duke i bërë nder deri në fund dhe duke e çliruar nga përgjegjësia për eliminimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni.

Deklarata e Albin Kurtit se gjuha shqipe nuk ka qenë gjuhë zyrtare në Maqedoni përmbledh në vetvete gjithçka që Albin Kurti po përpiqet të bëjë me historinë e suksesshme të shqiptarëve, si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni.

Gjuha shqipe u vendos si gjuhë zyrtare në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë pasi shqiptarët morën armët në vitin 2001 dhe politika zyrtare e Shkupit u detyrua të ulej në tryezën e Marrëveshjes së Ohrit, duke pranuar shqiptarët si popull shtetformues në Maqedoni.

Neni që sanksionon gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni është i shkruar bardhë mbi të zezë. Përveçse është shkruar, ai është zbatuar në pjesën shqiptare të Maqedonisë, dhe përfaqësimi proporcional i shqiptarëve në administratë ishte një realitet që po forcohej dita-ditës.

Prishja e këtij procesi pas vitit 2001 ka ndodhur për herë të parë pas zgjedhjeve të fundit në Maqedoninë e Veriut, ku partia nacionaliste VMRO-DPMNE fitoi një shumicë dërrmuese dhe faktori shqiptar u defaktorizua falë Albin Kurtit.

Ai ndërhyri në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut duke përçarë faktorin shqiptar dhe duke mbështetur një grup njerëzish satelitë të Mickoskit.

Deri këtu pati sukses.

Mobi Casa

Ai arriti t’i defaktorizonte shqiptarët dhe t’i bënte ata të parëndësishëm për Mickoskin.

Në një farë mënyre, ai arriti t’ia hapte rrugën Mickoskit drejt pushtetit të pakufizuar dhe procesit të anulimit të të drejtave të shqiptarëve.

Si një egocentrist delirant, ai mendon se kështu mund të fshijë një histori suksesi të Ali Ahmetit dhe UÇK-së në Maqedoni, duke tentuar të krijojë edhe atje “epokën e Albin Kurtit” – një epokë ku shqiptarët nuk kanë asnjë rëndësi në shtetin e Maqedonisë së Veriut dhe ku gjuha shqipe fillon të mohohet si gjuhë zyrtare.

Dhe është i qartë dhe i gëzuar në atë që ka bërë, sa guxon dhe ta justifikojë. Sot, ai ka deklaruar publikisht se gjuha shqipe nuk ka qenë gjuhë zyrtare, me të njëjtën lehtësi që mbron ministrat e tij kur vjedhin apo kur bëjnë skandale publike.

Në këtë mënyrë, ai jo vetëm që u ka hyrë në borxh shqiptarëve të Maqedonisë si një ushtar i Mickoskit, por edhe më keq, po i del zot asaj që ka bërë, duke i sfiduar ata dhe duke u mbështetur tek pushteti i Mickoskit.

Pikërisht për këtë, ai jo vetëm që u ka borxh shqiptarëve të Maqedonisë për këtë goditje pas shpine ndaj aspiratave të tyre kombëtare, por meriton të përballet politikisht dhe fizikisht me ta, jo vetëm në Maqedoni por edhe në Kosovë.Natyrisht, prekja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare nuk mund të kalojë aq lehtë.

Ai është fitili që mund të hedhë në erë Maqedoninë e Veriut, bashkë me satelitët e saj shqiptarë në Shkup dhe Prishtinë. Shqiptarët e Maqedonisë duhet të barazojnë në perceptimet e tyre Mickoskin me Kurtin, ashtu siç Albin Kurti është barazuar tashmë me të.

Dhe nuk duhet të mbajnë protestat vetëm para zyrave të Mickoskit, por edhe para Albin Kurtit.Është koha që ai të përballet me deliret e tij për të shkatërruar historinë e Kosovës dhe shqiptarëve të Maqedonisë si një histori që fillon me të. Dhe, në këtë rast, historia me të fillon si histori antishqiptare.