UBT

“Me Kosovën të vështirë, me Serbinë të butë”, Escobar ka një përgjigje për ata që ankohen

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Që nga Kryeministri e poshtë, pushteti dhe përkrahësit e tij kanë vërejtje për qasjen e SHBA-së ndaj Kosovës. Për herë të parë në vendin që Presidentja e quan si më proamerikanin në botë është thënë se SHBA-ja po e ndihmon Serbinë dhe po e shtypin Kosovën. Escobar i është pyetur për këtë dhe se kishte gati një përgjigje. Ai thotë se, në fakt, Amerika ka bërë çdoherë, gjithçka në favor të Kosovës, e jo në favor të Serbisë.

Gazeta Express

Emisarit amerikan, Gabriel Escobar, dukej se i është mbushur kupa me kritikat nga Kosova, se SHBA-ja po është e butë me Serbinë. Kur bashkë me Lajcakun u pyetën nëse janë të vështirë me kosovarët dhe të butë me serbët, Escobar e kishte përgjigjen gati dhe mori fjalën i pari.

Diplomati amerikan thotë se në tre muajt e fundit, në fakt, në 15 vjetet e fundit, SHBA-ja ka bërë gjithçka në favor të Kosovës.

Gjithçka që kemi bërë në 90 ditët e fundit, në fakt në 15 vjetët e fundit, ka qenë në favor të Kosovës. Serbia nuk ka dashur ta njohim ne pavarësinë e saj, por ne e kemi bërë. Serbia nuk ka dashur që ne të bëjmë fushatë globale për njohjen e Kosovës, por ne e kemi bërë, edhe në këto 90 ditët e fundit. Serbia donte që ne t’i bëjmë presion Kosovës, që ta braktisë idenë e zgjedhjeve [në veri], por ne nuk e bëmë. Serbia donte që ne të themi se zgjedhjet do të ishin jolegjitime, për shkak të daljes së ulët, por ne nuk e bëmë”, ka thënë Escobar në një intervistë për “Atlantic Council”.

Kritikat për qasje jokorrekte ndaj Kosovës, kësaj radhe, nuk ishin vetëm nga mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje. Ato i ka thënë e rithënë vetë Kryeministri Kurti.

Escobar dje ishte i gatshëm të sfidonte këdo që thotë se SHBA-ja ishte e ashpër me Kosovën.

“Unë e sfidoj këdo që të më thotë se ku kemi qenë të ashpër me Kosovën dhe të butë me Serbinë. Ne e kemi shtyrë Serbinë që të lëvizë për çështjen e letërnjoftimeve, për barrikadat, edhe për Këshillin e Evropës”, ka thënë Escobar.

Kurti kishte probleme me administratën amerikane edhe gjatë mandatit të tij të parë si Kryeministër. Atë kohë, faji për raportet e krisura i vihej republikanëve dhe Presidentit kontrovers, Donald Trump e njeriut të tij, Richard Grenell. Lëvizja Vetëvendosje priste që zgjedhjet t’i fitonin demokratët. Kurti doli publikisht në pëkrahje të Joe Bidenit. Por, pas dy vjetësh me administratën Biden, përplasja duket se nuk ishte një incident. Raportet e Qeverisë Kurti me Qeverinë amerikane eskaluan.

RCCOLA

Escobar thotë se ndaj Kosovës po kërkojnë bashkërendim dhe njohje të obligimeve të saj ndërkombëtare. Kjo, sipas tij, nuk i bie aspak se janë të ashpër me Kosovën, përkundrazi.

Kryeministri Kurti nuk ka kursyer Qeverinë amerikane, që kur zyrtarë amerikanë dënuan futjen me forcë të kryetarëve të zgjedhur shqiptarë në objektet komunale të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

Deklaratën prej të parave, që e ka dhënë Sekretari amerikan Antony Blinken, për veriu, Kurti e ka quajtur “naive”.

Ai është dukur i hatërmbetur nga ndërkombëtarët vazhdimisht, duke i thumbuar ata në deklarata publike.

Kur po sulmoheshin gazetarët në veri, Kurti po kërkonte që të reagohej nga ata që ishin të zëshëm për situatën. Nënkuptohej se e kishte për zyrtarët e huaj që po i reagonin vazhdimisht veprimeve të Qeverisë.

“Një tjetër gazetar është sulmuar brutalisht teksa mbulonte zhvillimet në veri të Kosovës sot nga persona të maskuar. Sulmet fizike ndaj atyre që raportojnë nga terreni janë absolutisht të papranueshme dhe duhet të dënohen nga të gjitha palët që në anën e kundërt janë të zëshme për situatën”, thuhet në një nga deklarimet e Kurtit.

Kryeministri i ka përmendur ndërkombëtarët edhe pas rrëmbimit të tre policëve kufitarë nga forcat serbe, brenda territorit të Kosovës më 14 qershor. Ky ishte versioni i autoriteteve të Kosovës, ndërsa Kurti kërkonte që ndërkombëtarët të reagonin. Për të ishte e çuditshme që ata nuk reaguan menjëherë, duke thënë se heshtja e tyre nuk i ndihmonte drejtësisë.

“Ne me partnerët tanë i ndajmë informatat, mirëpo heshtja e tyre besoj që nuk i kontribuon as deeskalimit, as hetimit, as drejtësisë. Nuk ka kuptim që për një ngjarje në territorin e Kosovës, e dihet që Kosova është shtet me sipërfaqe relativisht të vogël, as të nesërmen të mos kemi kurrfarë deklarate zyrtare. Dhe, po, mund të jetë edhe shkelje e Rezolutës 1244. Por është komandanti i përgjithshëm i KFOR-it, Ristuccia, i cili për çdo deklaratë e përmend nja dy herë Rezolutën 1244”, është shprehur ai./Express/