RCCOLA

Departamenti i Shtetit kërkon nga Kurti e Vuçiq ”përmbushje urgjente të detyrimeve që dalin nga dialogu”

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që urgjentisht dhe seriozisht të angazhohen për përmbushjen e detyrimeve që dalin nga dialogu që po zhvillojnë.

Kështu shkruan Zëri i Amerikës duke cituar një reagim të Departamentit të Shtetit, përcjell Telegrafi.

“I mirëpresim takimet që janë mbajtur për të avancuar procesin e normalizimit”, thuhet në përgjigjen për Zërin e Amerikës lidhur me takimin e liderëve të Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, me përfaqësues të BE-së dhe liderët e shteteve anëtare.

“Ne vazhdojmë të mbështesim fuqishëm dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si e vetmja mënyrë që do të sigurojë marrëdhëniet e tyre paqësore dhe produktive dhe do të përmbushë aspiratat e tyre për anëtarësim në Union”, thuhet në Departamentin e Shtetit.

Eco Higjiena

Kujtojmë se presidenti i Serbisë iu drejtua qytetarëve të Serbisë pas takimeve me zyrtarë evropianë në Bruksel, në margjinat e samitit të Këshillit Evropian, duke thënë se nuk mund të flasë për detaje sepse ashtu është rënë dakord, shkruan mediumi serb Danas.

Nga ana tjetër, Albin Kurti në deklaratën pas takimit ka thënë se “Vuçiq ka refuzuar nënshkrimin e marrëveshjes me Kosovën, dhe ka kërkuar që të pranohet letra shtesë e cila praktikisht anulon tri parimet e Marrëveshjes Themelore”.

Ndryshe, pesë vendet e QUINT-it paraqitën të shtunën e javës së kaluar në Prishtinë e Beograd një plan të ri “modern”, përfshirë draftin e Asociacionit, që ishte edhe pika kryesore e diskutimeve të Kurtit e Vuçiqit me liderët evropianë të enjten në Bruksel. /Telegrafi/