Më 2012 u hapen 9463 biznese të reja

Trendi i hapjes së bizneseve të reja ka vazhduar edhe në janar të këtij vitit. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) nga 1 janari e deri më 5 shkurt, janë hapur 1219 biznese të reja, kurse janë mbyllur 119 biznese. E gjatë gjithë vitit 2012 janë hapur 9463 biznese, për deri sa janë mbyllur mbi 1100 biznese.
Zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) Arta Istrefi ka thënë për Telegrafin se numri i bizneseve të reja është shumë më i madh se ai i atyre që mbyllen.
“Nga data 1 janar- 5 shkurt janë regjistruar 1219 biznese, ndërsa janë mbyllur 119 biznese. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kemi rritje të numrit të bizneseve të regjistruara për 381 biznese”, ka thënë ajo.
Sipas saj, rreth 60 për qind e bizneseve të regjistruara janë tregti dhe shërbime.
Istrefi tha se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është e përkushtuar të vazhdoj reformat për përmirësimin e ambientit për të bërë biznes. “Numri total i bizneseve te regjistruara për vitin 2012 është 9463, ndërsa janë mbyllur 1107”, ka thënë për Telegrafin zëdhënësja Arta Istrefi.
Edhe njohësit e ekonomisë e vlerësojnë hapjen e bizneseve, sipas tyre qeveria duhet t’i stimulojë ndërmarrësit për të investuare po ashtu ti kanalizoj investimet.
Ibrahim Rexhepi Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike e Sociale (STRAS), ka deklaruar për Telegrafin se bazuar në statistika, hapja e bizneseve të reja do të vazhdoj edhe në vitin 2013. “Por, në kuptimin kualitativ kjo nuk flet shumë. Posaçërisht kur dihet se Kosova në evidenca ka mbi 105 mije biznese, por pak më shumë se gjysma prej tyre janë të evidentuara qe së paku njëherë kanë paguar tatim”, tha eksperti i ekonomisë Rexhepi.
Ai thotë se pavarësisht numrit të madh të bizneseve, në to numri i të punësuarve është i vogël bashkë me kapitalin që kanë. Drejtori i STRAS-it Ibrahim Rexhepi thotë se Qeveria duhet të kanalizoj disponimin e ndërmarrësve për të investuar.
“Të ofroj përparësi për bizneset prodhuese, të rregulloj tregun, në mënyrë që bizneset prodhuese mos të dështojnë në fazën fillestare, për shkak të veprimit të konkurrencës që vjen nga zona e informalitetit, të ofroj pushime fiskale, së paku për tri vjetët e para të bizneseve të reja prodhuese”, tha Rexhepi.