McKee: Nuk pres që SHBA-ja të ndryshojë qasje ndaj partnerëve evropianë, përfshirë Kosovën
Marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën nuk janë lëkundur gjatë administratave të ndryshme, thotë Erin Elizabeth McKee, ndihmësadministratore në Byronë për Evropë dhe Euroazi në USAID.
“Angazhimi ynë, përkushtimi i popullit amerikan ndaj popullit të Kosovës, kanë vazhduar dhe jam e bindur se do të vazhdojnë”, thotë ajo në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.
“Më duhet të them së pari se periudha kohore 25-vjeçare në Kosovë duket njëkohësisht edhe e gjatë, edhe e shkurtër. Kur erdhëm këtu për herë të parë, kuptohet se angazhimi ynë kishte të bënte me tejkalimin e pasojave dhe rindërtimin, dhe nëse shikojmë nga këndvështrimi aktual, gjatë këtyre dy vjetëve që unë e ushtroj këtë detyrë dhe tri vizitave që tashmë kam bërë në Kosovë, përparimi ka qenë mahnitës.
Përtej tejkalimit të pasojave dhe rindërtimit, është punuar në ndërtimin e një të ardhmeje të jashtëzakonshme, ndërtimin e institucioneve demokratike, krijimin e vendeve të punës, gjithnjë me shikim drejt një të ardhmeje euroatlantike, duke parë shpresën dhe mundësitë në fytyrën e secilit kosovar dhe duke u siguruar që partneriteti ynë të mbetet i fortë. Ky evolucion, ky transformim ka qenë i jashtëzakonshëm”, tha ajo.
McKee është pyetur edhe lidhur me administratën e re në Shtetet e Bashkuara dhe mundësinë e emërimit të një lidershipi të ri të USAID-it.
“Unë nuk mund të parashikoj se cilat do të jenë politikat e presidentit të sapozgjedhur – megjithëse të gjithë kemi kaluar nëpër administrata të shumta së bashku, në fakt, pesë presidenca të ndryshme, duke përfshirë edhe administratën e presidentit Trump – dhe mund të them se marrëdhënia nuk është lëkundur.
Përkushtimi ynë, përkushtimi i popullit amerikan ndaj popullit të Kosovës ka vazhduar, dhe kam besim të plotë se do të vazhdojë kështu”, tha ajo.
Ndihmësadministratorja në Byronë për Evropë dhe Euroazi në USAID është deklaruar edhe lidhur me atë si e parashikon evoluimin e mëtejmë të rolit të USAID-it gjatë viteve të ardhshme.
“Mendoj se me evoluimin e marrëdhënies sonë, si dhe evoluimin dhe përparimin e Kosovës si shtet, edhe puna jonë do të vijojë në të njëjtin kurs.
Siç përmenda më parë, kemi kaluar nga mbështetja humanitare dhe rindërtimi te ndërtimi i një të ardhmeje më të mirë, që do të thotë krijimi i vendeve të punës, investimet e sektorit privat, duke u siguruar që brezi i ardhshëm t’i ketë shkathtësitë e duhura për shekullin e 21-të, për të tërhequr investime të huaja.
Investimet amerikane do të ishin më të mirat. Dhe, sigurisht, shikimi drejt integrimeve euroatlantike, në mënyrë që, mu sikurse Shtetet e Bashkuara, edhe Kosova të gëzojë aleanca, partneritete, tregti dhe të ketë një rol me rëndësi në të ardhmen e saj.
Unë nuk parashikoj që Shtetet e Bashkuara do ta ndryshojnë pozicionin dhe punën e tyre ndaj të gjithë partnerëve tanë evropianë, e kjo vlen edhe për Kosovën”.
McKee, e cila po viziton Kosovën me rastin e 25-vjetorit të punës së USAID-it në Prishtinë, thekson se prioritetet e USAID-it në të ardhmen do të fokusohen në ofrimin e ndihmës për Kosovën në rrugën e saj euro-atlantike, në tranzicionin drejt një energjie më të gjelbër dhe të rinovueshme dhe në konsumimin e mundësive ekonomike. /Telegrafi/