Eko Higjiena

Mbrojtja: Dëshmitë e “X”-it, të pavlefshme!

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Avokatët e Fatmir Limajt, Karim Khan dhe Tom Gashi, ka qenë të parët që kanë dhënë fjalën e tyre përfundimtare në rastin “Kleçka” të martën. Ata kanë akuzuar prokurorin Salustro se po merret me spekulime dhe se dëshmitë e Agim Zogajt nuk duhet të merren parasysh.

Edhe avokatët e të akuzuarve tjerë të këtij rasti kanë kërkuar që këto dëshmi të hidhen poshtë dhe për shkak të pavërtetësisë dhe të kontradiktave që ka në to.

“Akuza ndaj klientit të tim është e bazuar në prova të pabesueshme, kryesisht në deklaratat e dëshmitarit Agim Zogaj. Ditari i tij është i pabesueshëm deklaratat e tij janë të pabazuara dhe të pavërteta”, ka thënë Florim Vertofi, avokat i Naser Krasniqit.

Avokati i Nexhat Krasniqit, Bajram Tmava ka kërkuar që dëshmitë e “X”-it të mos merren parasysh. “Nuk mund të merrni vendim gjykues duke u mbështetur në dëshmi të tilla të pavërteta dhe kontradiktore”, ka thënë Tmava.

Ai ka shtuar se ditari i Agim Zogajt është një falsifikim dhe këtë e kanë dëshmuar grafologët. “Grafologët kanë dëshmuar se ditari është shkruar nga të paktën tre persona, prandaj krejt çka është thënë duke u bazuar në atë ditar duhet të bie poshtë”, ka përfunduar ai.

Fjalën përfundimtare e ka thënë edhe avokatja e Arben Krasniqit, Fehmije Gashi. “Prokurori i çështjes ka konsideruar se dëshmitari Urim Krasniqi, konfirmon tregimin e dëshmitarit X se Arben Krasniqi, ishte roje burgu gjatë muajve maj-qershor të vitit ’99. Mirëpo këto janë të pavërteta pasi që Arben Krasniqi në prill ‘99 ka qenë i plagosur rëndë”, ka thënë ajo.

Mobi Casa

Ajo pret që të lirohen të gjithë të akuzuarit. “Besojmë se do të jetë një aktgjykim lirues, ngase prokuroria në një moment nuk ka mundur ta vërtetojë me prova bindëse se të akuzuarit janë të fajshëm e në veçanti me klientin tim Arben Krasniqin”, ka thënë ajo pas daljes nga seanca gjyqësore.

Mahmut Halimi, avokat i Nexhmi Krasniqit, ka thënë se përveç që dëshmitë e Agim Zogajt janë të pavërteta dhe kontradiktore, ekspertët e psikiatrisë kanë vërtetuar se Zogaj nuk ka qenë në gjendje që të bëjë përshkrim real të ngjarjeve.

“Duke u bazuar në përfundimet e arritura nga ekspertët e psikiatrisë zotëri Zogaj nuk ka mundur të bëjë një përshkrim real të ngjarjeve”, ka thënë Halimi.

Avokati i Behlul Limajt, ka deklaruar se akuzat ndaj klientit të tij janë të paprovuara dhe se pret që Behlul Limaj të shpallet i pafajshëm.

Të mërkurën do ta thonë fjalën e tyre përfundimtare pjesa tjetër e avokatëve të të akuzuarve, ndërsa verdikti përfundimtar për Rastin “Kleçka”, do të merret më 17 shtator./zeri/