Mbreti kthehet në shtëpi

/ 9 minuta lexim

Nga Halil Matoshi- Nga këndvështrimi i kundërshtarit politik edhe Gjergj Kastrioti është tradhtar.

Nga ky prizëm, Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Fatos Nano, Sali Berisha dhe Edi Rama janë tradhtarë. Por historia nuk funksionon sipas këtij këndvështrimi. Jo sidomos me britma e pështyma: Rroftë mbreti! Poshtë mbreti!

Një përballje e pakëndshme me masat e zemëruara i përshkruhet Nikolla Pashiqit, shef i të radikalëve serbë dhe kryeministër i Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve në periudhën 1921-1926 me një ndërprerje (1924), derisa po thërrisnin “Poshtë Pashiqi.”

I përballur me turmën e të pakënaqurve me politikat e tij në një miting ai u ishte drejtuar me fjalët: “Populli im – kafshët e mia”, por kur turma tërbohet, ndërkohë Pashiqi ndërron deklaratën e tij: “Populli im – forca ime” dhe aty për aty populli sërish e brohoritë dhe e duartroket “Rroftë Pashiqi”.

Kjo barsoletë politike dëshmon më së miri ndryshueshmërinë, ose më mirë të thuhet paqëndrueshmërinë e masave në të kuptuarit e politikës dhe sidomos diplomacisë shtetërore.

Nëse kombi është një bashkësi intersubjektive njerëzore, e strukturuar mirë, e konsoliduar politikisht dhe e mbështetur në ligj (konstitucion) atëherë Ahmet Zogu është njëri nga “baballarët e kombit” shqiptar, i cili për herë të parë në historinë e tij njohu Republikën, institucionin e Kryetarit dhe mbi të gjitha shqiptarët nën drejtimin e tij njohën Kushtetutën dhe ligjet, pra edhe Kodin Penal dhe Civil.

Që të gjitha këto pasardhësi i tij Enver Hoxha i suspendoi për gati gjysmëshekulli.

Duke e rritur e jo zvogëluar dhunën politike, duke rritur vrasjet politike në masë, duke ndaluar pluralizmin politik, shtypin e lirë dhe vetë Zotin.

Dallim i madh.

Prandaj, historia nuk është as liri shprehjeje artistike as folklor dhe as emocioni që një bashkësi njerëzish ndien në rrethana të ndryshme, ne dasma e deka, por një përshkrim i saktë analitik i fakteve.

Ajo nuk është pasqyrim bardhezi (i miri dhe i keqi), por një renditje e përballje faktesh, një dije e pandreqshme kryeneçe dhe e papërmirësueshme, një histori përplasjesh e aleancash, një përmbledhje e së shkuarës që të shumtën është e padobishme për ta ndërtuar të sotmen. Por që vlen si dije për të mos mbetur të humbur në interpretim. Historia, ajo mbledh, zbardh e valorizon faktet duke i analizuar ato në mënyrë kritike, varësisht nga kontekstet e brendshme dhe ato ndërkombëtare. Historia që dominohet dhe gjunjëzohet nga fituesi i radhës, në fillim përdoret si monopol i pushtetit për ta ruajtur pushtetin nga kundërrevolucioni, e më pastaj shndërrohet në histeri masave.

A e di dikush thirrjen e plotë të Mbretit të shqiptarëve? Dhe a është marrë dikush seriozisht me zbardhjen e këtij fakti. Si dhe pse u njoh për i tillë nga shumica e kombeve të asaj kohe?

Historia e shtetit shqiptar nuk është ajo që e ka shkruar me zjarr dhe hekur regjimi komunist, por jo as ajo e kohës së diktaturës së Ahmet Zogut.

Historiani normal nuk e merr për të mirëqenë e të palëkundshme këndvështrimin e vetë regjimit të Zogut I, për kundërshtarët e tij politikë, por as atë të komunistëve stalinistë të Enver Hoxhës që për një gjysmë shekulli Ahmet Zogun e trajtuan si mos më zi.

Por historia nuk është as mesi i artë. Është shumë më komplekse.

Historia e shtetit shqiptar është histori përplasjesh perandorake dhe vetë pavarësia e Shqipërisë është fakt që del në skenë nga shtrati perandorak.

Thjesht, lindjen e shtetit shqiptar e influencon shpërbërja e perandorive, Perandorisë Osmane dhe antidotit të saj, Perandorisë dyshe Austro-Hungareze.

Shkurt e shqip, fundi i së parës.

Pas vitit 1912 historia e shtetit shqiptar ndërlidhet me të tjerë faktorë, është më evropiane në tëra zhvillimet dhe pështjellimet, ndonëse në përplasje me të krishterët ortodoksë sllavë dhe grekë, si dhe e ballafaquar me rrethanat e brendshme po aq kontroverse.

Madje shqiptarët u kanë borxh shumë të huajve që ishin me ta në kombkrijim e shtetndërtim, që nga Princi Wied, Presidenti Wilson, jugosllavi me prejardhje hebraike Mosha Pijade.

Nuk mund ta imponojë qasjen e vet historiografike krahu i djathtë, kushtimisht zogist, e edhe më pak krahu i majtë, që për bazë ka interpretimin ideologjik komunist të historisë.

Diçka mund të imponojë vetëm qasja e ftohtë shkencore, analiza kritike e filozofisë së historisë.

Së këndejmi, Zogu ka një karrierë impresive.

Duket se shqiptarët falin gjithçka, madje edhe gjakun, por kurrë s’ta falin suksesin.

Dhe nga ky fatalitet buron edhe histeria aktuale kundër tij.

Rikthimi i eshtrave të Ahmet Zogut në shtëpi, pas gjysmëshekulli vetmie e syrgjynosjeje, rizgjoi epshin e së majtës revolucionare shqiptare për t’ia mohuar shtetndërtuesit kontrovers shqiptar prehjen në truallin që e lindi.

KKVITI

Për të gjykuar me neutralitet po sjellim këtu vetëm pak të dhëna biografike.

Ahmet Zogu, formalisht Naltmadhnia e Tij Zog I Skënderbeu III Mbret i Shqiptarëve, lindi më 8 tetor 1895, në Burgajet të Matit, në një kështjellë të ndërtuar rreth shekullit XV dhe vdiq më 9 prill 1961 në Suresnes afër Parisit.

Zemra e krahinës së Matit ka qenë Burgajeti, në lartësinë më dominuese ne të cilën ishte ndërtuar kështjella e Familjes Zogolli, ku u preh përjetësisht shpirti i motrës së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Mamica Kastriotit – Zogollit, sipas gojëdhënave, së këndejmi Ahmet Zogu shpalljen e tij Mbret e mbështet mbi këtë fakt të diskutueshëm.

Ministër i Brendshëm 1920, kryeministër 1922 – 1924, president 1925 – 1928 dhe Mbret i Shqiptarëve, nga 1 shtatori 1928 – 7 prill 1939 de facto, pas pushtimit italian, ndërsa de jure deri më 2 janar 1946, kur nën drejtimin e komunistëve Shqipëria shpallet Republikë.

Personaliteti historik i Ahmet Zogut po shfaqet në këtë 100-vjetor të shtetit shqiptar i veshur si mos më keq nga oponentët e Sali Berishës, kurse me aurën e personalitetit më të madh pas Skënderbeut sipas dioptrisë së kryeministrit aktual shqiptar dhe partisë që aktualisht është në pushtet në Shqipëri.

Po cilat janë anët e ndritshme të këtij burrë shteti?

Në moshën 13-vjeçare ai bëhet shef i Matit!?

Në moshën 17-vjeçare Zogu rrok armët dhe në krye të 2000 matjanëve shkon në luftë për të mbrojtur Shkodrën e rrethuar nga serbët e malazezët.

Megjithëse në moshë të re, si 18-vjeçar, Zogu ishte ftuar të marrë pjesë në ceremoninë e shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë.

Në gjysmën e dytë të dekadës së dytë të shekullit të 20-të Zogu merr pjesë në luftimet kundër serbëve në Krujë dhe arrin fitore me njerëzit e tij, duke refuzuar ndihmën e austro-hungarezeve.

Në 1917 një komision imperial i drejtuar nga Princi Windischgraetz dërgohet në Mat dhe i ofron Zogut gradën e kolonelit të ushtrisë imperiale dhe e fton që të lidhet me forcat austriake. Zogu refuzon: “Austria ka ardhur në Shqipëri si mike për të zmbrapsur ushtrinë serbe. Në të njëjtën kohë po si mike jona ajo nuk ka të drejtën të ndërhyjë në problemet tona të brendshme. Shqipëria është një vend neutral dhe neutraliteti i saj duhet respektuar”.

Zogu, në qershor 1924 për të mos i hapur udhë luftës qytetare dhe gjakderdhjes ndërshqiptare, largohet në Jugosllavi.

Një gjykatë politike që e kishin instaluar kundërshtarët e tij politikë e dënon me vdekje në mungesë.

Në dhjetor 1924 me vendim të qeverisë “Vrioni” dhe me përkrahjen e fuqive të mëdha, e jo të Jugosllavisë, siç po pretendohet sot nga komunistët shqiptarë, ai rikthen legjitimitetin e rrëzuar në qershor 1924. Më 6 janar 1925 Këshilli i Naltë e dekreton kryeministër dhe ministër të Brendshëm.

Më 25 janar 1925 Kuvendit Kushtetues shpalli Republikën Shqiptare.

Dhjetë ditë më vonë, Ahmet Zogu u zgjodh nga Kuvendi Kushtetues, kryetar i Republikës, duke qenë në të njëjtën kohë edhe kryeministër. Gjatë kësaj kohe, Ahmet Zogu riktheu stabilitetin në vend, ndërmori reforma të rëndësishme, si dhe arriti marrëveshje të rëndësishme ekonomike, politike e ushtarake që forcuan pozitën shtetërore të Shqipërisë.

Kishte lindur Presidenti i parë i shqiptarëve.

Në fund të janarit të 1925-s, me iniciativën e Zogut, u mblodh Asambleja Kushtetuese.

Kushtetuta e re u miratua në mars të 1925-s.

Ishte ajo Republika e Dytë, (pas asaj të Ismail Qemalit) që u krijua më 1925.

Nga njëra anë, Shqipëria ishte republikë parlamentare, nga ana tjetër, presidenti, pra Zogu kishte dhe atributet e kreut të Qeverisë, pra kishte vendosur një sistem “presidencial-parlamentar” të ngjashëm me atë amerikan, ku parashikohej ekzistenca e Senatit dhe e Dhomës së Deputetëve.

Po cilat ishin fajet dhe gabimet e Zogut?

Zogut i bihet në qafë rreth një Marrëveshjeje shumë të diskutueshme (e dëshmuar nga disa historianë vetëm në një version në italisht!?) me Nikolla Pashiqin, nga gushti i vitit 1924, kur Pashiqi realisht nuk ka qenë në pushtet fare!?

Marrëveshja ishte nënshkruar kinse në këmbim të ndihmës që serbët do t’i kishin dhënë Zogut për t’u rikthyer në Shqipëri duke e rrëzuar Qeverinë e Fan S. Nolit. Kjo marrëveshje parashihte, në këtë aranzhman, dhënien e Shën Naumit Mbretërisë SKS.

E vërteta në fakt është se në gjatë vitit 1924, kryeministër i Serbisë nuk ishte Nikolla Pashiqi, por ishte Lubomir Davidoviqi nga Partia e Pavarur Radikale Serbe.