RCCOLA

Mbijetesë e pamundur në Republikën e sunduar

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Edhe pas gati dy dekadave pas lufte në Republikën e Kosovës, kryefjala e ditës është bërë mbijetesa. Sipas analistëve, deputetëve dhe qytetarëve të këtij vendi, është vlerësim i përbashkët se në Kosovë kjo situatë e brishtë dhe e padurueshme ka bërë që i madh e i vogël po kërkojnë çdo mundësi që të ikin një orë e më parë nga shteti ku po sundon fuqishëm mafia kriminale e lidhur me mafio-politikanët e nivelit të lartë në të dyja nivelet e pushtetit dhe në të tria pushtetet e bëra bashkë, ndonëse është evidente se kjo është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e vendit.

Qytetari nga Prishtina, Hakif Hamiti, thotë për gazetën “Kosova Sot” se “falë politikave poshtëruese e plaçkitëse të të gjitha garniturave qeverisëse të pasluftës, që sunduan vendin, kemi ardhur në një situatë ku i madh e i vogël po kërkojnë çdo mundësi që të ikin një orë e më parë nga shteti” .

Edhe pas gati dy dekadave pas lufte në Republikën e Kosovës, kryefjala e ditës është bërë mbijetesa. Sipas analistëve, deputetëve dhe qytetarëve të këtij vendi, është vlerësim i përbashkët se në Kosovë kjo situatë e brishtë dhe e padurueshme ka bërë që i madh e i vogël po kërkojnë çdo mundësi që të ikin një orë e më parë nga shteti ku po sundon fuqishëm mafia kriminale e lidhur me mafio-politikanët e nivelit të lartë në të dyja nivelet e pushtetit dhe në të tria pushtetet e bëra bashkë, ndonëse është evidente se kjo është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e vendit.

Analisti politik, Arsim Haziri, për gazetën “Kosova Sot” tha se në Kosovë janë mungesa e kushteve bazike dhe elementare ato që ndikojnë në shtyrjen e të rinjve drejt perëndimit, atje ku jeta ka dinjitet.”Janë politikat aktuale të pasluftës ato që qëllimisht e kanë krijuar këtë gjendje të paperspektivë dhe kur gjendja është në pamundësi të jetës së dinjitetshme, atëherë e vetmja shprehje që vjen në përdorim është ikja. Kjo ikje zakonisht prek të zhgënjyerit, ata çka tërë mjerimin aktual ia adresojnë politikës aktuale, respektivisht liderëve që në pushtet po i bëjnë afro dy dekada”, potencoi ai.

Qytetarët duhet të vetëdijesohen

Sipas analistit Haziri, situata është qëllimisht e krijuar, pasi i shkon në favor agjendës së tyre dhe këtu arrijnë të ndalen ata që pranojnë të mbesin pjesë e vazhdimësisë së planit fiktiv.”Në vendet e varfra sistemin arrijnë ta mirëmbajnë grupacionet apo partitë asociale dhe përmes mjeteve apo rrethanave negative që instalojnë në shoqëri arrijnë të mbajnë nën menaxhim situatën e përgjithshme. Kjo praktikë është prej kohësh në shoqërinë tonë dhe duke qenë e tillë sot ne bëhemi joimunë që ta kundërshtojmë këtë qeverisje”, theksoi më tej ai. Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, juristi Blerim Burjani, për gazetën “Kosova Sot” tha se jeta e qytetarëve të Kosovës është degraduar për arsye të një udhëheqje, të një politike klandestine, zhvatëse, konfliktuoze dhe të papranueshme nga kjo klasë politike. “Janë njerëzit tanë që në emër të liberalizimit për lobim kanë shkuar madje edhe nga 30 veta në shtetet e Evropës për të shëtitur duke e ditur se çështja e liberalizimit nuk është për lobizim, por është një çështje teknike”, theksoi ai. Sipas tij, kjo situatë është tragjikokomike për popullin, nga shakaja dhe përfitimet e mëdha të politikanëve tanë që po i bëjnë në emër të lobimit për shtetin, prandaj kjo situatë nuk ndryshon kështu, pa një vetëdijesim të qytetarëve tanë. “Nuk duhet të çuditemi se ky është edhe fundi i shpresës së qytetarëve për një jetë më ndryshe, sepse kjo çështje ka marrë plotësisht qasje negative dhe nuk mund të ndryshojë, prandaj përgjegjës për këtë gjendje të mjerë dhe pa asnjë perspektivë është vetë qytetari”, vlerësoi Burjani.

Mobi Casa

Pasoja të rënda të qeverive sunduese

Ndërsa analisti Ilir Fetahu për gazetën “Kosova Sot” tha se me gjithë zhvillimin që e pati për shkak të prezencës dhe ndihmës ndërkombëtare, Kosova ka pasur mundësi që të jetë shumë më përpara, sidomos në zhvillimin ekonomik që ka një ngecje të theksuar dhe për pasojë një pjesë e madhe e qytetarëve e shohin zgjedhjen e tyre daljen në Perëndim.”Një situatë e tillë është një plagë e rëndë, që mund të na ndodhë marrë parasysh se të rinjtë po duan të ikin jashtë vendit. Së këndejmi klasa politike duhet që ta marrë shumë seriozisht dhe të ulen e të punojnë për qytetarët e saj, në mënyrë që mos të na ikin të rinjtë, që më pas si plagë është vështirë që të riparohet”, u shpreh ai. Sipas Fetahut, të rinjtë tanë duhet që ta gjejnë veten në Kosovë, duhet që të kenë vende pune dhe paga me të cilat mund të jetojnë, sepse me të vërtetë jemi lodhur për mbijetesë. Ndërsa deputeti Salih Salihu për gazetën “Kosova Sot” tha se e kemi këtë situatë, sepse të gjitha qeveritë e pasluftës që kanë sunduar me vendin kanë sjellë si rezultat politika degraduese dhe seleksionuese, prandaj janë krijuar edhe të gjitha kushtet për mosfunksionim shtetëror. “Kemi ardhur në këtë situatë për shkak të verbërisë së madhe qytetare në raport me partitë politike, si dhe demagogjisë politike që është praktikuar në vazhdimësi nga të gjitha formacionet politike”, vijoi më tej ai.”Si shoqëri që jemi fatkeqësisht gjendemi karshi një politike që e ka sjellë vendin buzë mosfunksionimi total shtetëror. Sepse të gjitha qeverisjet, si nivel lokal po ashtu edhe nacional, janë dëshmuar se s’janë për qeverisje, për ekonomi, arsim dhe sundim të ligjit e Kushtetutës. Kjo gjendje fatkeqësisht po vazhdon edhe me këtë qeveri”, vlerësoi ai. Salihu porositi se Kosova ka nevojë për një qeverisje për qytetarët dhe jo qeverisje edhe për klientelizëm.

Qytetarët, të irrituar nga politika

Edhe qytetarët e anketuar thonë se tej mase janë të pakënaqur me garniturat politike dhe të gjitha qeveritë e pasluftës që sunduan me vendin. Qytetari Ramadan Ferizi për gazetën “Kosova Sot” thotë se, ndonëse kanë kaluar gati 20 vjet që nga përfundimi i luftës, për dikë duket e pabesueshme, por kjo është një e vërtetë e hidhur se në Republikën e Kosovës mbijetesa, u bë kryefjala e ditës.”Ndërkaq e tëra kjo po ndodh ngase në Kosovë që nga paslufta e deri më sot ka degraduar jeta dhe është bërë e padurueshme pikërisht pas gjithë këtij sundimi të kësaj klase politike që është tërësisht e inkriminuar, në të dyja nivelet. Këtë shtet e degraduan të gjitha partitë politike, qoftë në nivelin qendror apo në atë lokal. Andaj, qytetarët lirshëm mund t’i padisin shumicën e këtyre partive politike që kanë sunduar pas lufte vendin, se e kanë sjellë vendin në një situatë që është bërë një “oazë” për mossundim të ligjit, për krimin e organizuar, që është në shkallën më të lartë, pastaj rritjen e papunësisë, thellimin e varfërisë, degradimin e sektorit publik, ndërsa arsimi dhe shëndetësia kanë rënë nën çdo nivel”, ka thënë ai. Sipas tij, nuk duhet të habitemi se përse qytetarët tanë e kërkojnë shpëtimin e tyre duke ikur sa më parë jashtë vendit. Ndërsa qytetari tjetër nga Prishtina, Hakif Hamiti, për gazetën “Kosova Sot” tha se falë politikave poshtëruese e plaçkitëse të të gjitha garniturave qeverisëse të pasluftës, që sunduan vendin, kemi ardhur në një situatë ku i madh e i vogël po kërkojnë çdo mundësi që të ikin një orë e më parë nga shteti.”Ndërkaq e tëra kjo situatë po ndodh ngase jemi bërë një vend ku po sundon fuqishëm mafia kriminale që është e lidhur me mafio-politikanët e nivelit të lartë në të dyja nivelet e pushtetit dhe në të tri pushtetet e bëra bashkë, duke vepruar haptazi dhe në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, ngase si dihet me Kushtetutën e vendit të tria pushtetet janë të ndara dhe të pavarura njëra nga tjetra”, vlerësoi ai. Sipas Hamitit, me këtë klasë politike përfundimisht nuk mund të ecim përpara dhe pa marrë parasysh se cila nga partitë aktuale në Kosovë po e merr pushtetin, çdo ditë e më tepër po lulëzon krimi i organizuar, kurse mafia e nëntokës kriminale e ka në dorë këtë klasë politike.

(Kosova Sot)