RCCOLA

Mbi 4700 nxënës i janë nënshtruar kontrollimit shëndetësor

/ 6 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Projekti i vlerësimit të gjendjes shëndetësore të nxënësve të shkollave të Gjilanit, ku janë përfshirë mbi 4700 fëmijë të klasave të para, pesta dhe nënta, ka përfunduar me sukses. Drejtori i QKMF-së, që ka qenë bartëse e projektit, dr Valbon Milazimi, ka prezantuar rezultatet e këtij vlerësimi, në një mbledhje të Komitetit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (KSHMS).

Në kontrollim janë përfshirë 4727 nxënës të klasave të para, të pesta dhe të nënta. Me pedikulozë janë identifikuar 357 raste, 24 me zgjebe, 11 raste me strabizëm, po kaq me aftësi të kufizuara, 2 me sindromin “daun”, 38 me pengesa në të folur, 4 me sëmundjen e autizmit, një me deviacion të hundës, një tjetër me mungesë të dorës, një me ngecje në zhvillim trupor, një shurdhmemec, ndërsa 7 me vështirësi në dëgjim, 112 me syze, 2 me mbitension, 24 anemik, me hipertrofi të tonzillave – 39, me mbipeshë 20, ndërsa me nënpeshë – 19 nxënës të shkollave fillore të komunës së Gjilanit.

Ndërkaq, në kontrollin stomatologjik janë përfshirë 4143 nxënës dhe 2099 prej tyre kanë pasur karies të dhëmbëve, 482 raste kanë qenë me dhëmbë të nxjerrë, 771 me dhëmbë të bllombuar, 187 me dhëmbë të munguar, 59 me fraktura të dhëmbëve, 330 me anomali ortodontike, ndërsa 380 të tjerë pa veçori.

Në të gjithë parametrat vlerësues, pos te pedikuloza dhe pengesat në të folur, më të prekur janë fëmijët e qytetit, sidomos me karies, ka thënë Milazimi.

Rasteve me pedicullozë dhe zgjebe u është dhënë menjëherë terapi, ndërsa rastet me probleme tjera shëndetësore janë referuar te specialistët përkatës për trajtim të mëtutjeshëm, ka thënë ai.

Krahasuar me një projektet e realizuara më 2005 dhe 2008, ku ishin përfshirë, ka ulje të madhe të rasteve me pediculozë dhe zgjedhe, çka dëshmon për një punë të mirë të QKMF-së në sensibilizimin e popullatës për këto sëmundje, ka thënë ai.

Bajram Shaqiri, kryesues i KSHMS, ka thënë se QKMF-ja ka bërë një punë shumë të me këtë projekt, ndërkohë që e ka vlerësuar të nevojshme të punohet në ngritjen e vetëdijes shëndetësore të popullatës, pasi që disa sëmundje janë më të theksuara në fshat e disa në qytet. Një parametër interesant, sipas tij, është ai i përdorimit të syzeve, për faktin se është identifikuar vetëm në shkollat e qytetit.

Xhemajl Salihu, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka thënë se gjendja e përgjithshme shëndetësore e nxënësve të shkollave tona, doli më mirë se sa është menduar. Sa i përket kariesit, me të cilin janë evidentuar 2099 nxënës, Salihu, duke qenë specialist i stomatologjisë, ka thënë se kjo është sëmundje e shekullit.

Detyra jonë është që rastet e identifikuara, tani t`i trajtojmë dhe fëmijëve t`ua shpëtojmë dhëmbët nga shkatërrimi. Në shkollat e qytetit punojnë dy ambulanca stomatologjike, ku mund të trajtohen këta fëmijë, ndërsa mbetet që në fshatra ta organizojmë një shërbim dental lëvizës, ka thënë ai.

Mobi Casa

Jashar Jashari e vlerësoi të mirë punën bërë, por tha se është e vonuar, ndërkohë që kërkoi që projekti për vlerësimin e gjendjes shëndetësore të nxënësve, të vazhdohet edhe viteve të ardhshme dhe të përfshihen të gjitha gjeneratat.

Nexhat Halili ka thënë se të dhënat e terrenit, duhet të përpunohen dhe në bazë të tyre të planifikohen aktivitetet tjera shëndetësore, përfshirë edhe edukimin. Duke qenë edhe vetë në ekipin që ka punuar në terren, ai ka thënë se disa të dhëna nuk janë pasqyruar në këtë raport.

Sipas tij, pengesa në të folur janë identifikuar te 27 fëmijë të klasave të para dhe ka kërkuar që të intervenohet menjëherë. Kemi konstatuar dy raste me vese të lindura në zemër, pastaj me deformim të skeletit, një fëmijë me fryrje në bark, që nuk kemi ditur si ta identifikojnë sëmundjen e tij. Kurse, probleme me shikimin, ka pasur edhe në fshatra, ka thënë Halili.

Sami Ahmeti ka thënë se një kopje e raportit duhet t`u dërgohet edhe shkollave, në mënyrë që ato ta dinë gjendjen shëndetësore të nxënësve të tyre, kurse Hajriz Ibrahimi, pasi ka çmuar punën e bërë nga ekipet mjekësore në terren, ka thënë se kjo analizë duhet të përdoret në hartimin e politikave lokale shëndetësore, që janë kompetencë e komunave.

Valbon Milazimi ka thënë se analiza e prezantuar bazohet te raportet e terrenit dhe nëse diçka mungon, do të plotësohet ndërkohë.

KSHMS është njoftuar edhe gjendjen sa i përket vaksinimit, ku Gjilani mund të lavdërohet më shumë se çdo komunë tjetër, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Ismet Uruqi nga ekipi për vaksinim, ka thënë se standardi botëror është 95 për qind dhe këtë nivel e ka arritur komuna e Gjilanit. Askund në botë, nuk është qind për qind.

Nëse ndonjë fëmijë mbetet pa u vaksinuar, faji është i prindërve që nuk iu kanë përmbajtur udhëzimit tonë. Ne i vizitojmë të gjitha shkollat, por ndodh që për shkak të ndonjë sëmundje, alergjie ose problemi tjetër, ndonjë fëmijë të mbetet pa u vaksinuar, por ne i lëmë porosinë prindit që ta sjellë atë më vonë për vaksinim. Ka mjaft raste kur kthehemi edhe për herë të dytë në shkolla, për shkak të këtyre rasteve, ka thënë ai.

Ndryshe, Uruqi ka thënë se ka anomali edhe te ligji. Derisa, para luftës, vaksinimi ka qenë obligues dhe ndëshkues për prindin, nëse nuk e ka kryer këtë obligim, tani vaksinimi është obligues dhe vullnetar. /rajonipress/