Mbi 1,742 gjoba në një javë: Policia në Gjilan intensifikon kontrollet në trafik
Gjilan – Policia e Kosovës në Gjilan, ka bërë të ditur se gjatë një jave janë shqiptuar gjithsej 1,742 gjoba për shkelje të rregullave të trafikut rrugor në rajonin e Gjilan.
Sipas policisë, njësia rajonale e trafikut rrugor dhe stacionet policore kanë realizuar aktivitete të shtuara gjatë periudhës 27 shkurt – 5 mars 2026, në kuadër të planeve operative për rritjen e sigurisë në trafik.
Gjatë kësaj periudhe janë hetuar gjithsej 16 aksidente trafiku, prej të cilave 6 aksidente me dëme materiale dhe 10 aksidente me persona të lënduar.
Policia ka shqiptuar gjithashtu:
24 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurisë,
40 gjoba për përdorim të telefonit gjatë vozitjes,
28 gjoba për modifikim të automjeteve me folije të errëta,
si dhe është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike për 65 ngasës.
Autoritetet policore kanë apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat rrugore, të ulin shpejtësinë, të mos përdorin telefonin gjatë vozitjes dhe të vendosin rripin e sigurisë.
Policia thekson se siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët, duke kërkuar nga qytetarët bashkëpunim për të ulur numrin e aksidenteve dhe për të ruajtur jetën e pjesëmarrësve në trafik./rajonipress/


