Mbahu, atdheu im!
Nga Ramadan Mehmeti – Mbahu, Atdheu im, mbahu! A po heton se si nata po të kafshon në loçkë të zemrës, e gishtat e lodhur po të dridhen në telin e lahutës, duke e kënduar këngën e Mujit dhe Halilit në atë fushë të Jutbinës.
Ti, as dëgjon, as flet në këtë mbrëmje të lodhur. Unë kam filluar të shoh në ëndërr rrugëtimin tënd të dikurshëm e të vonuar. Edhe ky dimër shkoi me acarin e shpirtit të plakur dhe përsëri dhembja mbeti këtej.
Në pranverën që do të vijë do të lulëzojnë luleshqerrat.
Atdhe, të lutem, më thuaj, së paku në ëndërr, ndonjë kujtim për fatin tonë të vonuar!
Historinë do ta korrigjojmë me horrat e netëve të vona, e pastaj gjithçka mund të fillojë para mëngjesit, si një ëndërr e keqe, që, edhe të zgjuar, nuk mund ta largojmë.
Turpin e kësaj bote të marrë nuk e heqim dot nga lëkura jonë e regjur. Ende nuk po i shihet fundi në këtë ditë të turbullt.
Populli im, krejt rastësisht gjendet në kohën e kobit, nën atë dritë të rrejshme kuq e verdh, e ti përsëri mbetesh në mes të rrugës me qarkullim të dendur përpara rrezikut të një dite mortore, pa ndjenjë e pa zemër për të nesërmen, duke e korrigjuar historinë.
E ju mund të bindeni vetëm atëherë se gjithçka ka filluar para një mëngjesi të vonuar./rajonipress/